SYRI TV/ Nuk ndalen faturat për kompaninë e Zoto-Mërtirit, Durrësi dhe Vora paguajnë 250 mijë euro

15:37, 25/03/2024
A+ Aa A-

Teksa dosja e Inceneratorit të Tiranës vijon të jetë në SPAK, bashkitë nuk ndalin pagesat për këtë kocension.

Gjatë ditëve të fundit, bashkitë e Durrësit dhe Vorës kanë arkëtuar për llogari të inceneratorit rreth 250 mijë euro pagesa.

Afera e inceneratorit të Tiranës, deri më tani ka çuar pas hekurave disa persona, ndërsa hetimet vijojnë.

SYRI TV

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion nisi njëkohësisht në vitin 2020 hetimet për aferat e tre inceneratorëve. 

Ndërkohë që deri më tani, disa pjesë të hetimeve për koncesionin e Fierit dhe të Elbasanit kanë shkuar për gjykim, madje janë dhënë edhe disa dënime, për aferën e inceneratorit të Tiranës hetimet vijojnë pafundësisht.

Në 4 vjet hetimet, SPAK-u ende nuk ka arritur të zbulojë se si dhe kush e ka kryer aferën qindra milionë euro, pavarësisht se në tavoliën e tij ka fakte pa fund për drejtues të lartë shtetërorë dhe të pushtetit lokal.

Kjo zvarritje ka krijuar premisat që bashkitë e qarkut të Tiranës të vijojnë të paguajnë tarifën abuzive 29 euro për ton mbeturina, pavarësisht se, si hetimet e SPAK-ut, ashtu edhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë konstatuar se vlera është e lartë për një shërbim që nuk merret i plotë, pasi nuk ekziston inceneratori. Gjatë ditëve të fundit, Bashkitë e Durrësit dhe të Vorës kanë arkëtuar rreth 276 milionë lekë të vjetra ose rreth 250 mijë euro.

Bashkia e Vorës ka arkëtuar dy fatura në datë 21 mars 2023, në shumë 76 milionë lekë të vjetra. Këto fatura janë paguar për depozitimin e mbetjeve në periudhën dhjetor 2023-janar 2024. Ndërsa kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako ka likujduar një faturë të vetme në datën 18 mars 2023, me vlerë afërsisht 200 milionë lekë të reja. Kjo faturë i përket depozitimit të mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës për muajin shkurt të këtij viti. 

Kompania koncesionare e Sharrës, “Integrated Energy bv” është nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme, në vijim të hetimeve që po zhvillon SPAK-u për “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “mashtrim” dhe “pastrim parash”.

Deri më tani, për këtë aferë janë prangosur disa zyrtarë të nivelit të ulët, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit të koncesionit për ndërtimin dhe operimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, të nënshkruar në vitin 2017 ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë “IEBV”, me kosto koncesionare 120 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco