Alfred Lela: E dini ç'do të kishin bërë gazetarët në Shtëpinë e Bardhë për një ngërthim si ai ndaj Ambrozias?!

Alfred Lela: E dini ç'do të kishin bërë gazetarët në Shtëpinë e Bardhë për një ngërthim si ai ndaj Ambrozias?!

12:27, 21/03/2024
A+ Aa A-

"Çfarë do të kishin bërë gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse do të kishte pasur, jo një incident të kësaj shkalle, po nëse presidenti s’do t’i ishte përgjigjur pyetjes së njërit prej kolegëve?! - Do të ishte braktisur konferenca e shtypit!"

Shtysat e kryeministrit për ta bërë këtë veprim janë drejtorët që bien për të fshehur ministrat apo kryeministrin; është presioni i ndërkombëtarëve i të gjitha formave; është korrupsioni galopant; koncesioni i Sterilizimeve; inceneratorët...

"Një rol në qëndrimin e fortë të organizmave ndërkombëtare ka luajtur fakti se Rama është përsëritës.  Ishte shumë i qartë ngërthimi, shtyrja,  ishte dëshira për të ushtruar dhunë."

Analistit Alfred Lela, drejtor i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, i është kërkuar një opinion sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV lidhur me sjelljen brutale të kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares Ambrozia Meta, që tërhoqi vëmendjen dhe u dënua edhe nga organizatat ndërkombëtare të medias.  

Moderatori Flavio Qarri kërkoi mendimin e Lelës se si është e mundur që ndaj kësaj sjelljeje të përsëritur të kryeministrit, nuk reaguan në masë vetë përfaqësuesit e medias në Shqipëri. Po ashtu, e nxiti t'i jepte një shpjegim se çfarë mund të fshihej pas humbjes së kontrollit nga kreu i Qeverisë. Dhe në fund, një pyetje më vete ishte se si iu duk i ashtuquajturi “hark opozitar euro-atlantik” që u shfaq çuditshëm këto ditët e fundit.  

Flavio: Z. Lela, a keni një ide pse mediat vetë, në kurriz të tyre, zgjodhën të heshtin?

Lela: Mediat po e paguajnë ose kanë paguar prej një dekade tashmë, edhe sjelljen e tyre. Të jemi të ndershëm dhe t’i japim kryeministrit, fajet që ka kryeministri po edhe medias, fajet që ka. Edhe kjo sjellje çon tek sjellja e kryeministrit. Janë të ndërlidhura.  Ju përmendët rastin e Grupit të News24 që...

Flavio: E di pse e përmenda atë?! Sepse më kujtohen transmetimet tona të SYRI TV për pishinën famëkeqe. Për një pishinë!

Lela: Me të drejtë sepse historia të detyron ta përmendësh dhe historia është e freskët. Është solidariteti që na kërkohej neve si gazetarë me atë që po i ndodhte një medieje dhe e gjetën solidaritetin apo jo, me sa kujtoj unë, në një masë të mirë.  Tani, kur vjen puna që kërkon solidaritet një pjesë tjetër e medias, solidariteti është i munguar dhe ne këtë duhet të fusim në llogari. Pra, media, me atë që bën ose nuk bën, i jep të drejtë, i jep dorë kryeministrit që ta vazhdojë sjelljen në vend që ta ndërpresë.

Çfarë do të pritej, çfarë do të kishin bërë, ta zëmë, meqë shpesh ne themi drejtësia amerikane, kjo amerikane dhe çdo gjë amerikane për të mbuluar pikërisht këto orientalizmat tona nga kompleksi dhe pasiguria?!

Çfarë do të kishin bërë gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse do të kishte pasur, jo një incident të kësaj shkalle, po nëse presidenti s’do t’i ishte përgjigjur pyetjes së njërit prej kolegëve?! Do të ishte braktisur konferenca e shtypit! Të gjithë do të kishin pasur qëndrim unanim, pavarësisht nëse do të ishte i Uashington Post që është e afiluar majtas apo i Uashington Examiner që është e afiluar djathtas. Të gjithë do të kishin qëndruar për profesionin dhe për kolegun, gjë që nuk shihet këtu dhe është fatkeqe e çon te sjelljet recidiviste të përsëritura të kryeministrit. Nuk është hera e parë kjo. Ambrozia, sigurisht, ka marrë pjesën e luanit në këto, në revanshin fiziko-psikologjik të kryeministrit. Them “psikologjik” sepse duket se ka një parehati ndaj pyetjeve të Ambrozias, që është guximtare.

Flavio: Të bëj pak spekulim, nëse më lejon, Alfred. Çfarë halli ka Rama që e ka humbur pak fillin? Se gjithë spekulimi ka qenë që ka një hall të madh që po e fal edhe Sazanin!

Lela: Këtu po më fut vërtet në një spekulim ose hamendësim po e quajmë. Parehatia, pra gjuha e trupit, fakti që kryeministri vë dorë mbi një gazetare, mbi një vajzë, mbi një grua, tregon shqetësim, tregon se ai ka një shqetësim. Tani, se cili është shqetësimi, mund ta marrim me mend; janë pyetjet që kanë të bëjnë me Sazanin, vijimësia e pyetjeve të Ambrozias që pak a shumë përbëjnë të gjithë atë që është maja e aisbergut e korrupsionit galopant në Shqipëri, në një Shqipëri të drejtuar nga qeveria e kryeministrit.

Pra, ne njohim parimin në gazetari që “nuk ka pyetje të gabuara”, por ajo që mund të themi është se qëndrimi ose ajo që duhet thënë, qëndrimi i zotit Rama, i kryeministrit në këtë rast, është krejt i gabuar, është krejt i pavend, i pasjellshëm, është anti në çdo kuptim të fjalës. Shtysat e kryeministrit për ta bërë këtë veprim unë mendoj që ne i diskutojmë portaleve, mediave, paneleve,  çdo ditë, janë të gjitha ato bashkë: janë drejtorët që bien për të fshehur ministrat apo kryeministrin; është presioni i ndërkombëtarëve i të gjitha formave; është korrupsioni galopant; koncesioni i Sterilizimeve; inceneratorët...

Të gjitha këto, sado lëkurëtrashë, sado t’i jetë trashur lëkura kryeministrit në këto gjëra, sigurisht është i dorëzuar para mundësisë se mund të jetë edhe radha e “majës” për të rënë. Unë mendoj se këto janë shqetësimet që e bëjnë kryeministrin e një vendi që të ngrejë dorë mbi një gazetare, e theksoj, edhe kur ajo është grua, kur është femër dhe saboton edhe një gjë tjetër, edhe një retorikë tjetër: saboton retorikën e Ramës për gratë që ai i do, që ka gjysmën e qeverisë gra, tërrci – vërrci, pra përralla  të tilla.

Pra, përralla dhe realiteti përplasen dhe fiton realiteti. Realiteti është që i ka për shou, për fasadë të gjitha ato gra që i vendos në poste. Kur vjen puna që një grua e re i bën një pyetje për punën e vet, zoti Rama ngre dorë e kjo ngritje dorë ndaj një gruaje, as me Kanun, as me ligje, as me republikë, as me monarki, nuk lejohet, nuk parashikohet; është turp i madh.

Flavio: Tani të flasim edhe për paradoksin e fundit. Në mënyrë shumë të urtë dhe të pandjeshme, infrastruktura komentuese e mazhorancës dhe personale e kryeministrit, u përpoq të thoshte, të relativizonte “hë se nuk i bëri gjë”. Nga ana tjetër, ishte i çuditshëm reagimi aq i fortë i organizimeve ndërkombëtarë të gazetarëve. Pse?

Lela: Ambrozia Meta është gazetare, është një grua e re, është grua dhe është e goditur nga pushteti, nga fuqia. Këto janë gjëra që nuk rrinë mirë. Dhe në një vend, kryeministrit të të cilit i janë falur (ju e dini, ne e dimë, e kanë parë ndërkombëtarët, e kemi kritikuar) i janë falur shumë shkelje, por me sa duket kjo është vija e kuqe. Një burrë me të gjitha fuqitë, që godet një grua, fuqia e vetme e së cilës është të bëjë një pyetje. Pra, disbalanca këtu.

Nuk duhet të jesh ndërkombëtar, nuk duhet të jesh i organizatave të mbrojtjes së gazetarëve, të grave apo të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duhet të jesh... Edhe sikur të kishe zbritur nga një planet tjetër, do të vijë një ditë në tokë që do ta kuptojë se ajo është një shkelje e rëndë. Quaje “shpërthim nervash”, quaje “mbipushtet”, por është e pasjellshme, e pahijshme, është jo burrërore e të gjitha me radhë duke shtuar edhe këtë tjetrën, mendoj unë, që ka luajtur një rol në qëndrimin e fortë të organizmave ndërkombëtare: Rama është përsëritës, është recidivist, është e disata herë; gërsheton goditjen psikologjike ose dhunën psikologjike, verbale dhe kjo pastaj ishte vërtetë e pafalshme se ishte shumë i qartë ngërthimi, shtyrja, pra, ishte dëshira për të ushtruar dhunë. Imagjinoni nëse doni që të imagjinoni se ç’e zezë do të kishte qenë nëse s’do të kishte njerëz, nëse s’do të ishte në publik, nëse do të ishte një ambient i izoluar nga kamerat në sytë e publikut.

Flavio: Një pyetje të fundit kam. Si ka qenë darka juaj mbrëmë? A mund të ushqeheshit pas “harkut opozitar të euro-atlantizmit global” të Bamir Topit, Preç Zogajt, Spartak Ngjelës, Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeajt?

Lela: Kur pashë emrin, m’u kujtua romani “Harku i Triumfit”. Por po të shkruhej titulli i një novele apo i një tregimi për atë takim do të ishte “Harku i Dështimit”, jo i triumfit. Kaq kam për të thënë./ar.sh/SYRI.NET

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco