Kikia: Fati i zgjedhjeve nuk kalon në Sazan, por kë do të votojnë shqiptarët!

Kikia: Fati i zgjedhjeve nuk kalon në Sazan, por kë do të votojnë shqiptarët!

10:21, 19/03/2024
A+ Aa A-

"Unë mendoj se fati i zgjedhjeve në Shqipëri nuk kalon fare në Sazan, përtej impaktit që mund të kenë aleancat politike."

Investimi i parashikuar i dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec në Shqipëri, ka ngritur pikëpyetje të mëdha në opinion se cilat janë përfitimet direkte të shqiptarëve nga këto projekte, por cilat janë në radhë të parë përfitimet politike të Kryeministrit me tri mandate, Edi Ramës.

Moderatori Flavio Qarri i emisionit Kafe Shqeto në SYRI TV mendon se ka një shqetësim të madh, veçanërisht në kampin e opozitarëve që do të donin ta kritikonin shumë këtë falje që Rama i bën diplomacisë ekonomike, por nuk kanë çfarë t’i bëjnë, se "janë njerëz të Trump-it”. Ndaj moderatori pyeti analistin Mentor Kikia nëse fiton apo rrezikon Rama me këtë lëvizje.

Dhe Mentor Kikia ia preu: Mendoj se ka shumë konspiracion në politikë dhe duket sikur në SHBA, Shqipëria është qendra e vëmendjes atje dhe e gjithë politika e jashtme atje zhvillohet rreth Shqipërisë!

Flavio: Po në të gjitha mediat kryesore ishte çështja shqiptare.

Kikia: Jo, s’ishte çështja shqiptare! Ishte çështja e një investimi të familjes Trump dhe pa dyshim në një fushatë elektorale, kundërshtarët politikë shikojnë me lupë çdo gjë. Kjo është hiçgjë, por rivalët në zgjedhjet presidenciale i zbulojnë njeri-tjetrit histori deri në adoleshencë.

Kur ka kandiduar Bill Clinton për herë të parë, i nxorën fotografi ku kishte flokë të gjata si endacakët dhe kishte pirë hashash në banjën e shkollës, dëshmonte një shok dhe e publikuan në gazetë që Bill Clinton kur ishte në shkollë e i binte trompës, pinte hashash. Dikujt tjetër i nxorën një foto që ndërkohë që shokët e tij luftonin në Vietnam, gjuante për zogj në një lagunë.

Pra, në fushatë elektorale në SHBA do të shfrytëzohet çdo mizë që mund të fluturojë përreth kandidatit për president. Problemi është sa jemi ne në këtë histori.  Këtu tek ne është krijuar bindja se zgjedhjet tona, fati i Shqipërisë, fati i qeverisjes së Shqipërisë kalon vetëm përmes Shteteve të Bashkuara dhe në këtë rast kalon në Sazan.

Unë mendoj se fati i zgjedhjeve në Shqipëri nuk kalon fare në Sazan, përtej impaktit që mund të kenë aleancat politike.

Unë kam parë këto ditë, kam monitoruar shumë rrjetet sociale dhe kam parë që në PD-në e zotit Berisha kanë varur turinjtë se “ua mori” Rama, Trump-in.

Tek kampi tjetër i z. Basha ka pasur fërkime duarsh: “Hë, ku e keni Trump-in tani?!”

Këtej nga socialistët ka një lloj ngazëllimi që “e siguruam edhe mandatin tjetër meqë do t’i japim familjes së Trump-it atë resortin!!!”

Këto, mendoj se janë të gjitha naivitete. Fati i zgjedhjeve vendoset se kë do të votojnë shqiptarët dhe se për kë do të votojnë shqiptarët!

Z. Richard Grenell e tha shumë qartë në intervistën me kolegun Çlirim Peka - qeveritë amerikane bashkëpunojnë me çdo qeveri dhe kjo ka qenë universale sepse deviza e politikës së jashtme amerikane është “nuk ka aleatë të përjetshëm, por ka interesa të përjetshme”./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në vijim në videon e SYRI TV   

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco