Kreu i ARRSH në pranga pret masën e sigurisë, zbulohen veprime të kundraligjshme dhe me Unazën

Kreu i ARRSH në pranga pret masën e sigurisë, zbulohen veprime të kundraligjshme dhe me Unazën

13:47, 15/03/2024
A+ Aa A-

Ka nisur në SPAK, seanca për masën e sigurisë për kreun e ARRSH-së, Evis Berberin dhe dy biznesmenët,Valter Begaj dhe Ervis Lami,  të arrestuar dje me disa akuza për abuzime të rënda me fondet e buxhetit të shtetit për infrastukturën.

Gazetari Fatjon Gjinaj i SYRI TV, në një raportim sot në mesditë nga SPAK, tha se në godinë janë futur dhe avokatët e tri personave të arrestuar në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që ka ngritur katër akuza ndaj tyre.

Po pritet të zhvillohet seanca për verifikimin e masave të sigurisë, të cilat janë “arrest me burg” dhe me shumë gjasa do të konfirmohen.

Ndërkohë SYRI TV ka mësuar detaje të reja nga dosja e tyre, duke filluar nga Evis Berberi deri tek personat me të cilët ka bashkëpunuar apo kryer veprime që bien ndesh me ligjin.

Nga kqyrja e sistemit elektronik të Agjencisë së Prokurorimit Publik, shoqëria “Net Group” shpk e shtetasit Valter Begaj është shpallur fituese në tri procedura prokurimi të ARRSH gjatë kohës kur drejtues ka qenë Berberi.

Siç duket nga aktet hetimore, ku SYRI TV ka pasur akses për të vëzhguar një pjesë të konsiderueshme rezulton se kreu i ARRSH, Berberi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dy prej të cilëve janë vënë në pranga, kanë kryer veprime të kundraligjshme dhe sa i përket projektit të Unazës së kryeqytetit.

Procedura e kryer nga ARRSH, ku është njoftuar bashkimi i operatorëve ekonomikë, NET Group i Valter Begajt dhe i një kompanie tjetër, Sëiss Consulting Energy, si ofertë e suksesshme me ofertë në vlerën prej 41 milionë lekësh pa TVSH është një prej disa konstatime që ka kryer SPAK në bashkëpunim me organe të tjera ligjzbatuese dhe të prokurimeve, ku kanë arritur në përfundimin e konsumimit të veprave penale nga zyrtari i lartë i shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i ARRSH në bashkëpunim me persona të tjerë.

AKUZAT E SPAK

"Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (depozituar në datën 07.03.2024), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 21, datë 13.03.2024 ka vendosur:

1.     Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E.B., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet  259, 287/2 të Kodit Penal.  

2.     Caktimin e masës së sigurimit personal shrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.B., ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “N….. Group” sh.p.k., dhe ortak i shoqërisë “D…..” sh.p.k.,  si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 244-25, 287/2 të Kodit Penal.  

3.  Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E.L.,administrator i shoqërisë “D….” sh.p.k., dhe punonjës i shoqërisë “N…….Group” sh.p.k.,si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 244-25, 287/2 të Kodit Penal.  "

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco