‘Buxheti për shëndetësinë, më i ulëti në BE’/ Alimehmeti: Nuk dimë sa njerëz ka, jo më sa të sëmurë

09:59, 29/02/2024
A+ Aa A-

I ftuar në KAFE SHQETO në SYRI TV, mjeku Ilir Alimehmeti ka folur për mungesën e medikamenteve kryesore për kurimin e sëmundjeve kryesore dhe kontrabanda e tyre.

Alimehmeti sqaroi se në tregun shqiptar mungojnë shumë medikamente dhe kontrabanda e ilaçeve nuk është si kontrabandat e tjera, pasi njerëzit në momentin që shteti nuk i siguron dot medikamentet që i duhen për tu mjekuar, do bëjnë gjithçka për ti siguruar në mënyra të tjera.

Sipas mjekut, buxheti i vitit 2024 për shëndetësinë është më i ulëti në Europë dhe përfaqësi të mëdha ndërkombëtare të kompanive më të mëdha që ekzistojnë në botë janë larguar, ku në vitin 2014 kishim 13 përfaqësi dhe tani kanë mbetur vetëm 3.  

Gjithashtu Alimehmeti u ndal edhe te të dhënat që mungojnë në Shqipëri për numrin e të sëmurëve dhe llojet e patologjive, ku sipas tij ne nga censusi nuk dimë se sa njerëz kanë mbetur në vend dhe jo më të dimë se sa të sëmurë ka.

Alimehmeti: Barna që mungojnë në treg tani apo që kanë munguar më parë, janë shumë, nuk është se është një i vetëm. Në momente të caktuara kemi mungesa të llojeve të caktuara dhe nqs shkoni në farmaci, do jua thotë shumë thjesht farmacisti është mungesë, nuk hyn, ka kohë etj.

Këtu kemi një problem të madh, saherë që flasim për jetën dhe shëndetin, do të kemi një problem madhor dhe nis nga shumë problematika. Të kishte qënë një problem i vetëm do e kishim shumë më të thjeshtë.

Nuk është një sëmundje, ju përmendët 2 emra mjekimesh, por ka shumë më tepër se kaq mungesa, ka edhe në fusha të tjera si p.sh. kush ka pasur nevojë për antibiotikë kohët e fundit meqë kaloi sezoni i gripit, do ta ketë të qartë që shumë prej tyre kanë munguar ose nuk janë cilësore dhe si rrjedhojë detyrohen të pyesin farmacistin dhe gjejnë zgjidhje alternative.

Nuk do të përdorja termin e rëndë kontrabandë, pasi ka të bëjë vetëm me pjesën e regjistrimit në shtet, hyrjeve daljeve apo pagesës së ndonjë takse, por për sa i përket shëndetit të qytetarëve, me këto elementë po ndihmohet shëndeti i njerëzve sepse përndryshe nuk e gjejnë atë medikament, çfarë do bëjnë po nuk e gjetën, përderisa shteti nuk krijon hapësirat dhe mundësitë për të pasur këto mjekime këtu, dy duar për një kokë thotë shprehja shqiptare, njerëzit do mundohen të bëjnë zgjidhje për veten e tyre kur shteti nuk i ndihmon.

Nuk do përdorja një term aq të rëndë për një gjë që ndihmon shëndetin, patjetër që nuk është legjitime dhe duhet regulluar por është në favor të shëndetit sepse nuk është naftë apo cigare që po hyjnë kontrabandë, pasi këtu bëhet fjalë për të ndihmuar njerëzit.

Fondi që kemi ne për buxhetin e 2024 për shëndetësinë është më i ulëti në Europë. Kjo do të thotë që edhe fuqia blerëse që ka një popull i vogël si ne, do të thotë që nuk është tregu më i mirë i mundshëm për një kompani dhe nuk kemi një situatë ku qeveria shqiptare të ketë luksin të largojë si në 2014, përfaqësi të mëdha ndërkombëtare të kompanive më të mëdha që ekzistojnë në botë sepse shumë prej tyre janë larguar, ku në atë kohë kishim 13 përfaqësi dhe tani kanë mbetur vetëm 3, pra vjen si rrjedhojë e sjelljes ndaj qeverisjes ky element.

Një çështje e fundit ka të bëjë edhe me pjesën që ne në Shqipëri nuk e dimë sa njerëz ka, sa është nevojë, sa janë të sëmurët, për sa duhet të bëhesh gati.

Ju e patë për censusin që ne nuk marrim dot përgjigjen se sa njerëz janë jo më se sa të sëmurë kemi.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco