Berisha: Larot e Edi Ramës në media vjellin vrer vetëm kundër opozitës

Berisha: Larot e Edi Ramës në media vjellin vrer vetëm kundër opozitës

09:30, 27/02/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë së Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij ka mbajtur një minutë heshtje për 22 intelektualët e vrarë në 26 shkurtin e vitit 1951. Berisha i ka përmendur emër për emër të gjithë intelektualët e vrarë nga regjimi komunist.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të pëzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve, misionarëve të lirisë, dinjitetit, shpresës, që rrezatoni dritë, besim, urtësi, vendosmëri në të katër anët e vendit, nga parlamenti juaj i lirisë në Rrugën e Shpresës.

Dua të përshëndes me nderim të madh oratorët për fjalët e tyre të shkëlqyera, por sonte do më lejo të përshëndes në mënyrën më të veçantë Artemisën dhe Orgestin, që përfaqësojnë gjimnazistët e Shqipërisë, përfaqësojnë ata të cilët do jenë së shpejti në krye të lëvizjes, të revoltës, të betejës pa kthim kundër diktaturës së re.

Të dashur miq!

26 shkurti është në historinë e Shqipërisë, dita e njërit prej krimeve më të shëmtuara që ka njohur Shqipëria apo ndonjë vend tjetër në diktaturë.

Dita në të cilën 22 intelektualë të shquar të kombit, të diplomuar në tërësi në universitetet më të mira të perëndimit, kundërshtarë të pamposhtur të regjimit komunist, u ekzekutuan pa gjyq.

U pushkatuan në një fshat në afërsi të Tiranës vetëm e vetëm sepse ata nuk mund të pajtoheshin me shtypjen, me mohimin e fjalës së lirë.

Nuk mund të pajtoheshin kurrë me drejtësinë e re të diktaturës komuniste.

Nuk mund të pajtoheshin kurrë me mohimin e të drejtës së fjalës, të drejtës së pronës, të drejtave themelore të njeriut.

Ndaj dhe ata pa proces gjyqësor, pa asnjë proces gjyqësor, në një rast unik, të gjykuar pasi ishin pushkatuar dhe groposur në një gropë të përbashkët, ranë si misionarë të pamposhtur në mbrojtje të vlerave dhe idealeve më të larta njerëzore.

Ata ishin studiues, mësues, shkrimtarë, publicistë, inxhinierë, mjekë, atdhetarë të vërtetë, intelektualë të vërtetë.

Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Hekuran Troka, Luka Drashkoviç, Hakik Koka, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qeralliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petrore Konomi, Zyhdi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasorohu, Manush Peshkëpia, Andon Derhysa, Reiz Selfo, Pjerin Guraziu, Gon Temali, Mehmet Shkupi.

Le të nderojmë me një minutë heshtje martirizimin e tyre për lirinë dhe të drejtat njerëzore, për interesin e kombit për një Shqipëri të lirë.

Miq!

Ju duhet të jeni të vetëdijshëm për rëndësinë e jashtëzakonshme të parlamentit tuaj këtu.

I tmerruar nga ky parlament, Edi Rama ka urdhëruar të gjitha ekranet të mbyllen për ju sepse ka tmerr nga fjala juaj, sepse ka tmerr nga kjo dritare, sepse ka tmerr nga prozhektorët e dritës që përhapen në të katër anët e vendit.

Por sa më e egër, sa më e turpshme censura e imponuar, aq më e shëmtuar, aq më e errët del para shqiptarëve fytyra e këtij regjimi, aq më e pashpresë bëhet e ardhmja e tij.

Miqtë e mi!

Edi Rama me makinerinë e tij propagandistike nga mëngjesi gjer në darkë, sulmon Shqipërinë pa opozitë.

Ngre në qiell narkoshtetin e tij. Larot e Edi Ramës në media, nga mëngjesi gjer në darkë vjellin vrer kundër jush, kundër opozitës, të lemerisur se paratë e krimit do u dalin për hundësh.

Të lemerisur se vjedhjet me firmat e Edi Ramës do u kthehen në vite dënimi. Të lemerisur se do jenë përgjegjës para ligjit.

Miqtë e mi!

Në vitin 1951, gjykatës, prokurorë famëzi, firmosën pas pushkatimit dhe vendimit të Byrosë Politike, për ekzekutimin e martirëve, intelektualëve martirë.

Mendoni ju se kishin ndonjë dallim ata nga Dumanët, nga anëtarët e organizatës kriminale të Skapit të partisë, nga Manekët?

Asnjë miqtë e mi!

Dy janë qëllimet e tyre kryesore. Të mbrojnë narkoshtetin, Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale qeverinë nga vjedhjet e kryera, krimet e shëmtuara, aktet antiligjore dhe antikushtetuese dhe të pasurohen për vete, të shtojnë si shushunja pasuritë e tyre në kurriz të ligjit, të të drejtave, të Kushtetutës.

Drejtësia e re është kopja e shëmtuar e drejtësisë së vjetër të diktaturës. Është drejtësia e mercenarëve që s’kanë ligj as moral ligjor.

Ata që mbrojnë drejtësinë e re, ata mbrojnë krimet e Edi Ramës.

Ata që u servirin shqiptarëve drejtësinë e re, u servirin mburojën e korrupsionit si drejtësi.

U servirin mercenarët, bandat kriminale në drejtësi, që luftojnë kundër opozitës dhe qytetarëve.

Çfarë ligji respektojnë këta banditë? Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin. Zonja antikushtetuese del dhe merret me Olta Xhaçkën për luftë të brendshme në PD.

Nuk përmend vendimin.

Çfarë ligji mbrojnë këta kur pas një viti shkelmojnë, pështyjnë mbi fytyrën e tyre, vendimin që

kanë marrë një vit më parë, siç është rasti i gazetarit Elton Qyno për burimet e informacionit.

A ka qenie më të shpifura se këta? A mund të pranohen këta, të cilët një vit më parë kanë vendosur në përputhje me Kushtetutën, se gazetarit nuk mund t’i kërkohen burimet dhe pas një viti kanë përligjur marrjen peng të gazetarit dhe i kërkojnë të dorëzojë burimet.

Çfarë janë këta mor? Cila është kjo drejtësi mor? Ky është varianti më i shëmtuar, ky është armiku juaj mor zotëri.

Po pse e lavdërojnë të huajt, duhet ta lavdërojnë shqiptarët?

Kurrë, kurrë, kurrë!

Ata që lavdërojnë këtë drejtësi, mbrojnë korrupsionin e tyre.

Ata që lavdërojnë këtë drejtësi, mbrojnë korrupsionin e tyre.

Ata që lavdërojnë këtë drejtësi, mbrojnë korrupsionin e tyre.

A mund të lavdërohet një drejtësi, që si xhelat pret lirinë e fjalës?

A mund të lavdërohet një drejtësi, e cila amniston atë që ka vjedhur mbi 2 miliardë euro qytetarëve europianë?

A mund të lavdërohet një drejtësi, e cila amniston Edi Ramën dhe Erion Veliajn që kanë vjedhur 130 milionë euro për djegësat që nuk ekzistojnë?

Kujt ia shisni këto mor? Çfarë jeni? Çfarë mendoni, se hanë bar shqiptarët?

Turp mor, turp. Cila drejtësi është kjo? Kjo është drejtësia e turpit, drejtësia e krimit.

I bëj thirrje Parlamentit Europian të sjellë një mision faktmbledhës, i bëj thirrje Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës, urdhëroni në vend.

Kjo drejtësia e re e Xhorxh Sorosit i la shqiptarët jo pa drejtësi, por u dha drejtësinë më politike në histori.

Po çfarë kujtoni? Po mbrojtja e të drejtave është akti më themelor i një shteti dhe me drejtësinë politike, nuk ka shqiptar që gëzon një të drejtë të vetme.

Çfarë i mendoni shqiptarët zotërinj? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat si qytetarë europianë? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat kushtetuese? Se nuk duhet të gëzojnë të drejtat e Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut?

Shqiptarë, merrni në dorë fatin tuaj, merrni në dorë vendin tuaj, merrni në dorë të ardhmen tuaj.

Nuk ka korrupsion më të madh ndërkombëtar se ky që ndodh.

Unë ftoj zyrtarët e të gjitha vendeve partnere, lexoni pak raportet tuaja dhe do të gjeni se gjykata e krimeve të rënda ka dënuar në vit 2-3 herë më shumë kriminelë se sa Skapi i partisë, për të cilin betoheni.

Lexoni raportet tuaja, do të gjeni se task-forca e luftës kundër korrupsionit ka dënuar tre herë më shumë në vit për korrupsion se Skapi politik i partisë.

Lexoni pak dosjet, nuk kishte djegësa, nuk kishte sterilizatorë, nuk kishte asnjë prokurim pa tender të hapur, nuk kishte Dubai City, nuk kishte Butrint.

Drejtësia shqiptarë është katastrofa më e madhe pas rënies së Perdes së Hekurt në Europë.

Është sistemi më pengmarrës i ngritur në ndonjë vend.

Shikoni kush kryeson Gjykatën Speciale. Shikoni kush është ajo.

Edhe njëherë i bëj thirrje sonte: thuaji shqiptarëve, je përzënë nga ndonjë vend fqinj? Je ndëshkuar nga ndonjë vend fqinj për punë llumi? Apo je aty dhe shkëlqen?

Turp të kesh, të them unë.

Po ti Duman, që gjer në vitin 2016 kë pasur të regjistruar tre apartamente me rrogën tënde dhe të bashkëshortes, shqiptare dhe shqiptarë, pyeteni veten se cili nga ju mund të blinte tre apartamente me rrogën në shtet dhe me disa përkthime?

Asnjë, asnjë, asnjë!

Duman, pas 54 vite punë, kam arritur të blej 30 metra katrorë apartament më shumë se ç’kam patur në diktaturë.

Nga të erdhën ty fondet për t’u bërë me tre shtëpi? Apo t’i di Edi Rama dhe të mban për zverku.

Thuajua shqiptarëve dhe largohu se e ke bërë Kushtetutën si statutin e partisë tënde që e shkelmon çdo ditë.

Po ai tjetri, Kraja? Po Sadushi me veting sekret? Po Panda me veting sekret?

Zotëri, kjo është drejtësia e të marrurve peng, drejtësia e pengmarrjes, më e shëmtuar në historinë e një vendi.

Të gjitha i kontrollon Edi Rama.

Për të sosur kontrollin e tij, duhet t’u informoj meqenëse këta vendosin censurën dhe qytetarët kanë mundësi të marrin të vërteta vetëm në Rrugën e Shpresës, vetëm nga kjo dritare, çdo natë do bëj publike të reja të tjera.

Miqtë e mi!

Një muaj më parë, Edi Rama jep urdhër në kundërshtim flagrant me ligjin e Shërbimit Informativ Kombëtar. Ligji detyron shërbimin, të dhënat që ai mbledh në punë e sipër për kriminalitetin, për korrupsionin, për vepra kërcënuese, për terrorizëm, etj, me ligj ai ia kalon institucioneve ligjzbatuese.

Kurse një muaj më parë, Vlora që e kuptoni vetë më mirë të quhej me çdo emër tjetër dhe jo Vlorë, e mori pasi e shkarkuar nga Shërbimi Informativ në Kosovë, urdhëron drejtoritë të mos dërgojë asnjë informacion askund tjetër, por çdo informacion që të kërkojë policia, prokuroria apo institucione të tjera, ta dërgojë njëherë të kryeministria, të Engjëll Agaçi dhe pastaj ata ta kalojnë.

A nuk është ky një kontroll i tmerrshëm policesk? A nuk është ky një akt antiligjor? A nuk është kthimi i SHISH në një vegël të verbër të Edi Ramës?

A nuk janë këto së bashku mekanizma të një diktature që bazohet në krimin dhe drogën?

Miqtë e mi, sonte ishte një natë për rikujtuar martirët intelektualë, por edhe njëherë mesazhi i tyre është të ngrihemi në këmbë në betejën pa kthim, në mosbindjen civile, të përmbysim narkoregjimin, të përmbysim levat e tij, organizatat e tij kriminale.

Të rivendosim ligjin, të rivendosim Kushtetutën, të rivendosim të drejtat, të rikthejmë Shqipërinë në rrugën e demokracisë, pluralizmit dhe Europës.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco