Rama nuk kërkon mandat tjetër?! Berisha: Gjyqin do ta bëjnë qytetarët

Rama nuk kërkon mandat tjetër?! Berisha: Gjyqin do ta bëjnë qytetarët

09:35, 26/02/2024
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratë, Sali Berisha ka akuzuar se qeveria e krimit në Shqipëri e ka mbushur paraburgimin me të pafajshëm. Në fjalën e mbajtur para mbështetësve të cilët vijojnë protestën maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha theksoi se, arrestimet janë bërë për statistika pasi nuk ka akuzë mbi ta.

Kryedemokrati Sali Berisha, e ka akuzuar Edi Ramën se po aplikon mbi shqiptarët çdo formë të mundshme vjedhjeje. Duke u ndalur te skandali i publikuar në SYRI TV nga Piranjat, Berisha theksoi se punonjësit e bashkisë së Erion Veliajt tregtojnë eshtrat dhe skeletet e foshnjave.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju luftëtarëve të paepur të lirisë dhe dinjitetit, të qëndresës dhe shpresës.

Me qëndresën tuaj, me zërin tuaj, jeni bërë udhërrëfyes për mbarë shqiptarët.

Çdo natë qytetarët e këtij vendi, ndjekin fjalimet tuaja, ndjekin parlamentin tuaj të fjalës së lirë, i cili është vite drite larg parlamentit Rama-Linda, i cili është vite drite larg parlamentit të krimit, që voton buxhet në 4 minuta, që shtyp liritë dhe të drejtat e popullit opozitar.

Nga kjo rrugicë, nga ky parlament ju përcillni shqiptarëve të vërteta e mëdha.

Ju denonconi këtu si luftëtarë të pamposhtur, Edi Ramën, monizmin e shëmtuar të tij, diktaturën e tij, të bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Në aleancën siç e kanë thënë vetë me krenari, aleancën e qelbësirave.

Çdo natë nga kjo rrugicë, me guxim, ju mbroni liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë ndaj të cilave sot ka një agresion nga narkoshteti, njëlloj si në diktaturat e egra.

Miqtë e mi!

Jashtë dritave të qytetit, në burgjet e këtij vendi është ulur mesjeta.

Shqipëria sot është i vetmi vend në Europë, botë, që 62% të të gjithë të burgosurve i ka me paraburgim.

Ky është dhunim masiv i të drejtave të njeriut.

I ka me paraburgim se janë të pafajshëm, sepse nuk ka akuzë mbi ta, sepse arrestohen vetëm e vetëm për statistika.

Se ky ministër që është turpi i ministrit, turpi i njeriut, që është i lidhur kokë e këmbë me krimin, urdhëron dhe arrestohen njerëz pa asnjë lidhje me krimin, i plasin në burgje dhe i lënë aty.

Ju denonconi këtu një diktaturë, e cila njëlloj si në Rusi, Tunizi, Ugandë, arreston si person nën hetim, pa asnjë provë, fakt apo dokument, kryetarin e PD-së.

Arreston tjetrin pse ka marrë 410 metra tokë të veten, trashëgim të familjarëve të tij.

Ju denonconi një diktaturë të shëmtuar që ka krijuar për vete, drejtësinë më të shëmtuar më të shpërfytyruar që ka pasur dhe ka Shqipëria  apo ndonjë vend tjetër.

Të dashur miq!

Përsëri denoncoj vendimin e Gjykatës së Lartë si një vendim stalinist, si një vendim turpi, si një vendim njerëzish të marrë peng për vjedhjet e tyre, pasuritë e tyre.

Pasi Gjykata e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, i denoncoi qëndrimet ndaj gazetarit, tre gjykatës nën presionin e Edi Ramës, nëpërmjet hanxharit të tij Dumani, vendosin të kundërtën, firmosin të kundërtën e asaj që kanë firmosur një vit më parë.

Hanxharë të fjalës së lirë dhe lirisë së medieve.

Çdo natë këtu denonconi me guxim vjedhjet e tmerrshme që u bëhen qytetarëve shqiptarë.

Ju e dëgjuat, thatë këtu se shqiptarët në vitin 2023 paguan 700 milionë euro taksa më shumë.

Të dashur qytetarë, a e dini sa janë 700 mln euro?

Ua them unë.

700 mln euro janë fiks rroga 100 për qind më të larta për të gjithë punonjësit në Shqipëri.

700 mln euro është fondi i pagave në Republikën e Shqipërisë.

Mos harroni se këto janë vetëm shtesë, sepse në 10 vite nga taksat tuaja janë investuar gjoja 11 miliardë euro.

Po ku janë, ku kanë shkuar, çfarë kanë ndërtuar?

Rrugë që shemben, shkolla me çmime të 5-10 fishta, rrugë që i shtrojnë me bukë peshku. Nuk ka formë vjedhje që Edi Rama nuk e aplikon mbi shqiptarët.

Cilido që ka lexuar apo parë filmin ‘Të Mjerët’, i kujtohet aty një personazh, një rreshter, që quhej Talardje. Në fushëbetejë ai vidhte të plagosurit dhe të vdekurit. U hiqte orët, unazat dhe gjërat e çmuara.

Po punonjësit e bashkisë së Erion Veliajt që tregtojnë eshtrat, skeletet e foshnjave.

A ka më faqezi se ata mbi tokë, a ka turp më të madh se të kesh një kryetar të tillë bashkie.

A ka turp më të madh dhe krim më të shëmtuar se tregtia me varret e fëmijëve. A kanë fëmijë këta, a kanë njerëz këta. Këta i ka tjetërsuar vjedhja, këta i përkasin krimit dhe vetëm krimit.

Këta nuk janë më qenie njerëzore, nuk kanë dinjitet, janë skllevër të krimeve të tyre, duhet ti largojmë një orë e më parë nga pushteti.

Të dashur miq!

Kjo javë ka bërë krenar çdo shqiptar. Ka bërë me krah çdo shqiptar, sepse shqiptarët e panë në 20 shkurt se cila është fuqia magjike e bashkimit të tyre.

Se me bashkimin e tyre tejkaluan çdo lloj parashikimi.

Tronditën në themele Edi Ramën dhe suitën e tij, organizatën kriminale të tij, qeveri.

Rezonuan në të gjithë botën.

Prandaj ju drejtohem ju misionarëve të bashkimit, të bëni gjithçka, të bashkohemi si kurrë më parë me çdo shqiptar që është i gatshëm të luftojë për lirinë dhe dinjitetin e tij.

Me çdo shqiptar që është i gatshëm të luftojë për interesin kombëtar të këtij vendi dhe kombi.

Me çdo shqiptar që është i gatshëm të përballet me këtë regjim krimi, droge dhe vjedhje të Edi Ramës.

Edi Rama është tronditur thellë gjer në palcë. E kam thënë dhe u them nuk ka njeri më frikacak mbi tokë se atë.

Mos e harroni kurrë këtë.

Këto 2-3 ditët e fundit, Edi Rama hap thashetheme dhe fjalë se ai, nuk kërkon një mandat tjetër. Nga ana tjetër lë të kuptohet poshtë e përpjetë se ka bërë marrëveshje si McGonigali.

Tani më lejoni të ju them ju. Edi Rama së pari asnjeri nuk beson mashtrimet e tua dhe çdo marrëveshje që mund të kesh bërë, do ta grisim dhe ta hedhim në koshin e plehrave.

Do të jenë qytetarët shqiptarë që do të bëjnë gjyqin në bankën e të akuzuarit, gjyqin e historisë.

Nuk ke shpëtim.

Ëndërra jote për Shqipërinë për opozitë, ka marrë fund.

Shqipëria sot ka opozitë më të fuqishme se kurrë.

Vajatorët e tu, larot e Shqipërisë pa opozitë që u sulmojnë ju, që sulmojnë demokratët nga mëngjesi gjer në darkë janë skllevër të organizatës kriminale të qeverisë.

Janë skllevër të firmave të tyre, të parave të krimit me të cilat mbrohen.

Ndaj dhe asnjë ndikim nga fushata e tyre e turpshme, e shpifur, e mashtrimit e sharjeve se ata përfaqësojnë thjeshtë larot e Edi Ramës, larot e regjimit, larot e krimeve qeveritare dhe të veta.

Së fundi, një mesazh për fermerët e Shqipërisë, por edhe për të gjithë qytetarët.

Të mbështesim fermerët.

U bëj thirrje fermerëve dilni në rrugë me të gjitha mjetet tuaja, sepse në shekuj përveç hiperkolektivizmit nuk keni patur një armik të egër si regjimin e Edi Ramës.

Dilni në rrugë me të gjitha mjetet tuaja dhe ju garantoj se demokratët, mbarë shqiptarët do të mbështesin kauzën tuaj të drejtë dhe ju do të fitoni.

Edhe njëherë mirënjohje të pakufishme ndaj jush.

Fitore, fitore, fitore.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Rroftë flamuri i Partisë Demokratike, flamuri i fitores.

Faleminderit shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco