Landfilli i Vlorës/ Rama e premtoi gati në pranverë, 'ITS' nuk ka para për borxhet

Landfilli i Vlorës/ Rama e premtoi gati në pranverë, 'ITS' nuk ka para për borxhet

18:57, 24/02/2024
A+ Aa A-

Në Tetor 2023, kryeministri Edi Rama, gjatë një shëtitjeje inspektuese në zonën e Dhërmiut, kërkoi “me forcë” nga kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha që landfilli i ri i qytetit të mbyllej brenda pranverës së këtij viti.

Pas këtij urdhëri, Rama iu drejtua kamerave të stafit të tij, duke ua bërë këtë premtim edhe qytetarëve vlonjatë: Landfilli i ri do të jetë gati në pranverën e vitit 2024”.

Image


Kryeministri u detyrua të thoshte diçka, pasi landfilli i vjetër i qytetit, i shndërruar në një “bombë ekologjike”, u shndërrua në kartolinën më të keqe të sezonit turistik, të cilin Rama e konsideroi “të shkëlqyer”.
Shtëllyngat e tymit të zi që dilnin gjatë verës nga zjarri në vend-depozitimin e vjetër të mbetjeve ishin pikërisht ajo kartolinë që nuk i duhej shefit të qeverisë, i cili merakun kryesor ka estetikën dhe jo thelbin.

Image

E, megjithatë, përtej premtimeve për qytetarët dhe urdhërit për kryebashkiakun Dredha, landfilli i ri jo vetëm që nuk është gati për këtë pranverë, por edhe nuk është aspak e qartë se kur do të përfundojë. Për më tepër që kanë kaluar jo pak, por gati 3 vjet nga afati i parashikuar në kontratë për përfundimin dhe dorëzimin e kësaj vepre publike.

Kompania sipërmarrëse, “Integrated Technology Service” e biznesmenit në kërkim, Klodian Zoto, aktualisht është nën administrim shtetëror, pas përfshirjes së pronarit të saj dhe kompanisë në aferën e inceneratorëve.

Menaxhimi shtetëror i kompanisë jo vetëm që nuk solli risi, por ajo nuk po u jep zgjidhje as detyrimeve të mbartura nga Zoto.

Ndaj “Integrated Technology Service” së fundmi është vendosur një sekuestro për shkak të borxheve të prapambetura. Kjo është sekuestroja e gjashtë në radhë, ndërkohë që pesë të tjerat vijojnë të jenë ende aktive.

Me një situatë tejet të vështirë financiare dhe pa mundësi për kryerjen e veprimtarisë ekonomike, kompania “ITS” nën menaxhim shtetëror duket se e ka thuajse të pamundur që të plotësojë “dëshirën” e kryeministrit, i cili ndërkohë nuk ka thënë asnjë fjalë se përse ky projekt ka tejkaluar çdo lloj limiti për t’u dorëzuar.

Sekuestrot në seri

Kompania ‘Integrated Technology Service” u vendos nën sekuestro preventive në dhjetor 2021, në kuadër të hetimeve të kryera nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), si pjesë e aferës së inceneratorëve.

Image

Pronari i saj, Klodian Zoto, prej asaj kohe është në arrati, ndërkohë që mbi të rëndojnë disa masa sigurimi “arrest me burg” dhe dënime ende jo të formës së prerë për abuzimet me kontratat koncesionare të inceneratorëve Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Pas largimit të tij, menaxhimi i kompanisë private u mor në dorëzim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Në vijim, kompani të ndryshme, të cilat kishin kryer shërbime për “ITS” e Zotos, kërkuan likujdimin e faturave të tyre.

Në mungesë të shlyerjes vullnetare, kompanitë, në kohë të ndryshme, kërkuan nga gjykata lëshimin e urdhërit të ekzekutimit për faturat e papaguara.

Pas gjykatës, hyri në lojë Përmbarimi Privat, i cili prej gushtit të vitit 2023, ka lëshuar plot 6 urdhëra sekuestrimi.

Image

Sekuestrimi më i fundit në radhë mban datën 8 Shkurt 2024 dhe bën fjalë për mos-shlyerjen e rreth 30 faturave që “ITS” i kishte detyrim një studioje arkitekturore.

“Bllokohet” landfilli

Situata e vështirë financiare e “Integrated Technology Service” natyrisht do të reflektohet në zvarritjen pa fund të landfillit të ri të Vlorës.

Në qershor të vitit 2020, “ITS” në bashkëpunim me një kompani italiane, “Bulfaro” fituan një tender me vlerë 10 milionë euro për ndërtimin e landfillit të ri të Vlorës.

Tenderi është mbajtur “sekret”. Ai u mësua vetëm kur banka gjermane “KFW”, e cila i ka dhënë kredi qeverisë shqiptare për këtë projekt, e publikoi atë në faqen e saj të internetit.

Image

Kur kanë kaluar rreth 4 vjet nga ai tender, qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë lloj transparence për procedurat e ndjekura në këtë rast.

“Boldnews.al”, disa kohë më parë, kërkoi të dhëna për tenderin, pjesëmarrësit, ofertat dhe mënyrën e përzgjedhjes së fituesit, bazuar në ligjin “Për informimin Publik”.

Por, institucionet e përfshira në këtë procedurë, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM) e Bashkia e Vlorës, refuzuan të jepnin informacion.

Mungesa totale e transparencës vijoi edhe pas aktivizimit të Komisionerit për Informim dhe zhvillimit të një séance dëgjimore pranë këtij institucioni.

Megjithatë, fakti mbetet që tenderi 10 milionë euro u fitua nga ‘ITS” dhe “Bulfaro”. Aktualisht që “Integrated Technology Service” e Zotos është nën sekuestro, së pari si pjesë e hetimit penal dhe më tej, për shkak të borxheve të pashlyera, premtimi i Ramës për përfundimin e landfillit të ri të Vlorës do të vijojë të mbetet në letër./boldnews

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco