Afera 450 mln euro e Portit të Durrësit/ Berisha: Me kaq rriteshin pagat 60%

Afera 450 mln euro e Portit të Durrësit/ Berisha: Me kaq rriteshin pagat 60%

09:25, 23/02/2024
A+ Aa A-

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta!

Luftëtarë të lirisë, të dinjitetit dhe të fitores së sigurtë! Miqtë e mi, me 20 shkurt tejkaluam historinë. Me 20 shkurt, iu provuam shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica.

Se ne jemi fuqia politike më e madhe e këtij vendi.

Se ne jemi e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë!

Uragani i 20 shkurtit vazhdon jehonën e tij të fuqishme. Zgjon luanin e fjetur te çdo shqiptar. Fton luftëtarët e lirisë, gati për betejën e radhës, betejën pa kthim. Ky armik i egër që sillet ndaj këtij vendi, ky armik i egër që sillet ndaj shqiptarëve, më keq se çdo pushtim barbar që kanë njohur. Ky duhet të përballet me mosbindjen civile. Duhet të përballet me fuqinë e pamatë të uraganit popullor.

Edi Rama është sot armiku më shkatërrimtar që ka njohur Shqipëria në histori. Shqipërinë, pasuritë e saj, i ka shndërruar në pasuri të veta dhe të klaneve të tij.

Miqtë e mi!

Dy ditë më parë deklarova para jush si objektiv emergjent, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Deklarova votimin menjëherë në parlament të minimumit jetik.

Normale, mund të ketë dhe ka me të drejtë njerëz që kanë shtruar pyetjen: nga t’i gjejë ky paratë? Aty dhashë një përgjigje se dyfishimi i rrogave dhe pensioneve ju garantoj se nuk është kurrë më shumë se 40 përqind e vjedhjeve që bën Edi Rama me Rilindjen e tij.

Më lejoni t’u jap vetëm dy shembuj.

Dje, narkoqeveria informoi se për Portin e Durrësit do të shpenzohen 450 milionë euro nga xhepat tuaja për t’u ndërtuar Dubai City, Rama-Alabar.

Të dashur miq!

450 milionë euro mjaftojnë, teprojnë për rritjen me 60 përqind të rrogave të të gjithë shqiptarëve. Ja pra, vetëm me vjedhjen me një dorë, vetëm me vjedhjen e tij me një dorë, nxirren mënjanë 60 përqind e fondit që duhet për rritjen e rrogave.

Po mos është kjo dora e vetme? Jo miq. Dora e tyre e zezë shtrihet në çdo gjë, në të gjitha prokurimet, në të gjitha koncesionet, në të gjitha partneritetet publike-private. Të gjitha këto së bashku ju garantoj se mjaftojnë për të ndërtuar të gjitha punët publike që janë në ndërtim, për të dyfishuar çdo rrogë dhe pension të shqiptarëve, për të vendosur ligjin e minimumit jetik.

Ju e shihni vetë se ç’bëhet.

Çdo ditë lajme që kanë në themel vjedhjen. Po pse shemben rrugët? Rrugët shemben se vidhen paratë dhe hidhet jo materiali që duhet, por bukë peshku.

Po pse ndryshohen trajektoret e rrugëve? Ndryshohen që vjedhja të bëhet tërkuzë.

Po pse ndahen rrugët në dhjetëra e dhjetëra lote? Që të mund të vidhet dhjetëra e dhjetëra herë.

Të gjitha këto janë realiteti më i hidhur që vrasin çdo ditë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, varfërojnë, mjerojnë ata.

Të dashur miq!

Edi Rama me reformën e tij në drejtësi ka krijuar mburojën më të tmerrshme gjyqësore, prokuroriale të vjedhjeve të tij monstruoze dhe qeverisë së tij. Nuk ka asnjë proces ndaj asnjë personi që nuk përcaktohet nga Edi Rama. Karakteri i kësaj drejtësie sot është më kriminali që ka ekzistuar që nga mesi i diktaturës.

Çdo vendim shkruhet në zyrat e Edi Ramës dhe dërgohet në SKAP, apo në gjykatë.

Ndërkohë, SKAP-i dhe gjykata janë të mbushur me anëtarë, me grupe të strukturuara kriminale, me llum njerëzor, ua them unë ju këtu.

Meqë jam këtu para jush, në emër tuaj dhe për ju, do i çoj një mesazh asaj gjykatëses Gjoka-Maneku, Maneku-Gjoka.

Mesazhi im është ky: edhe njëherë, je përzënë nga ndonjë vend për aktivitete llumi? Thuaju shqiptarëve. Turp të kesh! Turp të kesh, të them. Turp të kesh! E marrë peng nga Edi Rama dhe zbaton si mercenare urdhrat e tij. Je turp i drejtësisë, turp i Shqipërisë.

Miqtë e mi!

Në një vend ku nuk ka drejtësi, duhet prokurori publik, gjykatësi publik. Prokurori publik, sigurisht nuk ka fuqi t’i dërgojë kriminelët ku e kanë vendin. Por prokurori publik nga kjo tribunë, nga kjo platformë, ka të gjithë fuqinë morale për t’i varur ata në shtyllën e turpit të kombit shqiptar, në mënyrë figurative.

Ka të gjithë forcën për t’u bërë atyre gjyqin moral. Për t’i bërë Edi Ramës, gjyqin që meriton. Njeriut, i cili ka pushtuar parlamentin me Lindën e tij. E përdor atë si një strofull të interesave të klaneve më kriminale.

Sot në parlament nuk votuan deputetët. Sot votuan trafikantët e drogës që shëmtojnë Tiranën me monumentet e drogës dhe korrupsionit, me kullat e drogës dhe korrupsionit dhe që fryjnë me qindra milionë euro kontot bankare të Edi Ramës. Sot u vendos që barbaria e tyre të vërshojë drejt trashëgimive tona qindra e mijëra vjeçare. Drejt parqeve tona.

Po pse? Vetëm e vetëm se Edi Rama në çdo ndërtim, në çdo leje merr përqindjen e tij.

Imagjinoni ju miq, a mund të imagjinoni ju miq një kryeministër në botë që firmos leje ndërtimi si për kullën 70-katëshe, edhe për ndërtesën dykatëshe të Karlo Bolinos. A ekziston kund në botë kjo? Ekziston vetëm aty ku gjithçka bëhet në funksion të xhepit të tij.

Sepse prapa firmës së tij, siç flitet rëndom, qëndrojnë të paktën 30 përqind e ndërtimit. Në 10 kate, 3 kate. Në 30 kate, 10 katet e Ramës. Kur bëhen 60, fut 20-katëshin në xhep. Por ai nuk lejon komisionet hetimore sepse ata do nxjerrin të gjitha këto në dritën e diellit.

Edi Rama me avionin e tij privat, rezulton se ka udhëtuar 3 gjer në 7 herë më shumë se çdo kryeministër në Europë, Azi, Afrikë dhe Oqeani.

Çfarë janë këto udhëtime? Janë një pjesë për punë. Të tjerat janë udhëtime transporti. Gjerësisht thuhet se me ‘Ismailin’ e tij, se i ka vënë emrin e Ismail Qemalit ky hajdut që ka vetëm veten shok në histori, transportohen tonelata drogë. Transportohen tonelata euro të vjedhura. Transportohen tonelata narkoeuro. Ndaj dhe në 18 muaj, 140 udhëtime.

Ndaj dhe emërohet Taulant Balla për të shkatërruar TIMS-in në mënyrë që të mos gjenden gjurmët e këtyre udhëtimeve. Por ja ku ia them këtu, se ai do hetohet për secilin prej këtij udhëtimi.

Dhe miqtë e mi, ka një statistikë të tmerrshme. Thonë se nga Shqipëria nisen valixhe diplomatike më shumë se nga 30 vende të marra së bashku.

Kjo sepse, valixhet diplomatike të ‘Ismailit’ transportojnë drogë, krim, krim, drogë. Ndaj dhe gjyqi publik, prokurori publik është rruga e vetme për të damkosur këta hajdutë që vjedhin dhe fshehin me SKAP-in e tyre, me drejtësinë e tyre.

Sonte jam këtu t’i them Edi Ramës se nuk ka forcë në botë që të shpëton nga drejtësia. Se krimi yt në Shqipëri dhe botë do ndëshkohet me forcën më të madhe të ligjit.

Duke përfunduar, ju falënderoj me shumë, shumë mirënjohje. Ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë pa kthim, këtë betejë drejt fitores.

Betejën për qeverinë teknike, betejën për qeverinë teknike, për zgjedhje pa Edi Ramën, për votën e lirë, për fitoren e opozitës.

Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë opozita shqiptare. Rroftë flamuri ynë, flamuri i fitoreve!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco