VIDEO/ Inskenim skenash krimi, Këlliçi: PD thirrje Rama-Ballës, fund provokimeve ndaj opozitës, lironi protestuesit

16:17, 21/02/2024
A+ Aa A-

Inskenimi i një skene krimi, mbrëmë para Kryeministrisë, nga polico-patronazhistët e Taulant Ballës, është shenja e degjenerimit final të pushtetit të Edi Ramës.

Gjezdisja për disa orë në shkallët e selisë së qeverisë, ishte një akt neverie që buron nga urrejtja e tyre dhe shefave të tyre për fjalën e lirë, demonstrimin qytetar dhe të drejtat e opozitës.

Partia Demokratike u bën thirrje Edi Ramës dhe Taulant Ballës t’u japin fund provokimeve ndaj opozitës, të lirojnë protestuesit, të respektojnë të drejtat e tubimit qytetar. Policëve që angazhohen në tejkalim të kompetencave dhe me zell partiak në dhunimin dhe arrestimin e protestuesve tanë, u themi fare qartë se i njohim, ua dimë fytyrat dhe bëmat dhe do të përgjigjen një më një, dhe pa kaluar gjatë!

Image

Deklarata e plotë e Këlliçit:

Të dashur qytetarë,

Opozita e dëgjoi dje fjalën tuaj në Bulevard dhe po kështu edhe qeveria. Angazhimi i policëve civilë për të intimiduar, goditur dhe arrestuar protestuesit e opozitës, është shenja se pushteti ka frikë nga ju dhe nga opozita.

Duhet të ketë frikë sepse i ka ditët e numëruara.

Partia Demokratike siguron të gjithë protestuesit se ne do tu dalim zot. Tubimi i djeshëm, i qindra mijëra shqiptarëve është siguresa e garancisë se në këtë vend është sovrani që e ushtron pushtetin, dhe ata qeveritarë në kryeministri dhe ata policë me uniformë, janë vetëm qiraxhinj në shtetin e shqiptarëve.

Taulant Balla, Muhamet Rrumbullaku e të tjerë, të bëjnë kujdes! Tu thonë zelltarëve partiakë në polici se nuk i mbron asgjë para së drejtës dhe ligjit. Nuk mund të fshihen dhe nuk mund të marrin garanci paprekshmërie nga ata që as vetë nuk i kanë këto garanci! Kush prek demokratët do të përgjigjet një më një.

Çdo procedim, ndalim apo abuzim me protestuesit e djeshëm do të marrë përgjigje ligjore dhe qytetare. Cdo polici abuziv do t’ia çojmë ligjin te dera, çdo shkelësi do t’i kujtojmë se interesat e qytetarëve, e drejta e fjalës dhe protestës, nuk mund të negociohen me patronazhistët e pushtetit.

Bëni kujdes, sepse kujdestaria e pushtetit nuk e ndal dot shpagimin e ligjit, dhe kur kjo të ndodhë as Edi, as Taulanti nuk do jenë aty për tu mbrojtur.

Në fund, edhe njëherë, mirënjohje për të gjithë shqiptarët që dhanë dje një mesazh force dhe shprese. Të gjithë protestuesve që u cenuan në krye të detyrës qytetare, në zemër të protestës, u themi se Partia Demokratike dhe opozita janë me ta në çdo hap ligjor dhe njerëzor.

Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokratëve u dalim zot!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco