Media amerikane: Biden i afrohet më shumë narkoshtetit të vetëm të Europës

Media amerikane: Biden i afrohet më shumë narkoshtetit të vetëm të Europës

00:43, 21/02/2024
A+ Aa A-

Nga John Schindler

Koha, thonë, është gjithçka. Të enjten e shkuar, Sekretari i Shtetit Antony Blinken bëri një ndalesë në Shqipëri. Ai e bëri këtë gjatë udhëtimit për në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë. Ndërsa ndodhej në Tiranë, Blinken zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin socialist Edi Rama. Kryediplomati i Amerikës përshëndeti aleatin tonë në NATO si një partner "të jashtëzakonshëm" amerikan, duke vlerësuar mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën, ndihmën për refugjatët nga disfata jonë e fundit në Afganistan, plus "një qasje të përbashkët për të luftuar shtrembërimet dhe gënjeshtrat e rrezikshme dhe për të ndërtuar një ekosistem informacioni elastik" (çfarëdo që të thotë kjo). Blinken vijoi:

Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e përsosur apo e shpejtë, por po jep rezultate reale dhe e dëgjuat kryeministrin duke i përshkruar. Sot u takova me gjyqtarë dhe prokurorë kyç që po ndihmojnë në udhëheqjen e përpjekjeve për reforma. Zyrtarët e korruptuar po mbajnë përgjegjësi. Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbasin pasuritë e tyre.

A e di Blinkeni se cilin vend po vizitonte? Mos mendonte se kishte zbritur në Danimarkë?

Në planetin Tokë, sundimi për pak më shumë se një dekadë i Ramës e ka bërë Shqipërinë e vogël të bëhet një qendër kryesore globale e kontrabandës së drogës, si dhe narkoshteti i vetëm në Europë. Nën qeverisjen socialiste, kriminelët shqiptarë janë bërë globalë, duke përhapur tentakulat e tyre në mbarë botën. Kudo që shkojnë gangsterët shqiptarë, pasojnë dhuna dhe kaosi, më së fundmi në Ekuador. Ky nuk është sekret. Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës në mbarë botën janë plotësisht të vetëdijshme se sa sukses ka Shqipëria në krimin e organizuar në disa kontinente, gjë që është alarmante.

Në dhjetor, policia spanjolle shkatërroi një bandë shqiptare, duke sekuestruar 11 ton kokainë. Disa javë më parë, policia në katër vende europiane shkatërroi një tjetër grup shqiptar të krimit të organizuar të përfshirë në kontrabandën e drogës nga Amerika Latine në Europë, duke arrestuar rreth pesë duzina mafiozësh. Me siguri Blinkeni ka dëgjuar për të gjitha këto.

Megjithatë, koha për këtë vizitë sigurisht që nuk ishte e mirë. Të nesërmen pasi kryediplomati amerikan lëvdoi publikisht Ramën dhe qeverisjen e tij, një gjykatës federal në Uashington dënoi një ish-zyrtar të lartë të FBI-së me më shumë se dy vjet burg për marrjen ryshfeti nga qeveria Rama. Në përputhje me marrëveshjen e tij për pranimin e fajësisë me Departamentin e Drejtësisë, Charles McGonigal, mori një dënim me 28 muaj burg për marrjen e 225,000 dollarëve ryshfet në vitin 2017 nga një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete shqiptare që vepronte për llogari të Tiranës. Kjo marrëveshje e pistë përfshinte takime të shumta mes McGonigal-it dhe Ramës. Përveç dënimit që McGonigal mori në dhjetor nga një gjykatë federale në Nju Jork për akuza të veçanta në lidhje me shkeljen e sanksioneve ndaj Rusisë, në bashkëpunim me një oligark të lartë të Kremlinit, agjenti i turpëruar po përballet me gjithsej 6 vjet e gjysmë pas hekurave kur ai të paraqitet në burg muajin e ardhshëm.

Aspekti shqiptar i çështjes McGonigal, i cili mund të jetë skandali më i keq i korrupsionit në historinë e FBI-së, është më i rëndi, pasi ka ndodhur kur ai ishte ende i punësuar në FBI. Se çfarë dëmi i bëri McGonigal sigurisë sonë kombëtare në këmbim të parave nuk mund të thuhet ende, por mund të jetë i madh.

As mediat nuk duken të interesuara për ta zbuluar. Siç e kam raportuar më parë, ka akuza të besueshme se McGonigal ishte përfshirë në shantazhe të oligarkëve ballkanikë për të pasuruar qeverinë Rama, si dhe agjentin batakçi të FBI-së, deri në dhjetëra miliona dollarë. Megjithatë, për çfarëdolloj arsyeje, shumica e mediave duket se nuk kanë interes për ta eksploruar këtë. As Departamenti i Drejtësisë. FBI-ja, natyrisht, dëshiron që ky makth të marrë fund.

Për arsye që janë të vështira për t'u deshifruar, administrata Biden vazhdon të ndërhyjë për Ramën dhe qeverinë e tij aleate të gangsterëve, duke përfshirë mbështetjen publike të Blinkenit javën e kaluar. Mund të mos jetë e rastësishme që Rama ka simpatinë e Alex Sorosit, 38-vjeçarit që ka marrë përsipër misionin global të babait të tij të famshëm miliarder për financimin e kauzave progresive në të gjithë botën. I riu Soros bën vizita të rregullta në Tiranë dhe shoqërohet me kryeministrin, të cilin Alex Sorosi e quan "vëllai im", duke postuar fotot e tyre mes vëllezërish në rrjetet sociale, ndërsa Rama është po aq i papërmbajtur për takimet e tij të shpeshta me "i dashur miku im."

Pse është Alex Sorosi kaq i interesuar për një vend të vogël ballkanik me më pak se 3 milion njerëz që sinqerisht nuk figuron në ekonominë globale (përveç kontrabandës së paligjshme të drogës) është një mister. Javën e kaluar, për ditën e Shën Valentinit, Alex Sorosi bëri publike të dashurën e tij të re, e cila rezulton të jetë Huma Abedin, ish-gruaja 47-vjeçare e deputetit të turpëruar Anthony Weiner, plus shërbyesja/Mini-unë prej shumë vitesh e Hillary Clinton-it. Kjo e bën Alex Sorosin pjesë të familjes së gjerë Clinton.

Nëse republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve gjejnë kohë, mbase duhet të pyesin se çfarë po ndodh.

John R. Schindler ka shërbyer në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare si analist i lartë i inteligjencës dhe oficer kundërzbulimi./Washington Examiner - Syri.net

 

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco