SYRI TV/ 'ECO-ALB' kryen 1.3 mln euro tendera për djegësin që nuk punon

11:44, 12/02/2024
A+ Aa A-

Rreth 1.3 milionë euro tendera ka kryer shoqëria ECO-ELB, që menaxhon inceneratorin e Elbasanit, për djegësin që prej dy vjetësh nuk funksionon. Nga një vëzhgim i kryer, rezulton se gjatë vitit 2023, shoqëria publike ECO-ELB, ka shpenzuar shuma marramendëse për blerje karburanti, pjesë mekanike apo vegla pune dhe kontrata të ndryshme, për djegësin që tashmë është vërtetuar se nuk punon

SYRI TV

Kompania publike që menaxhon inceneratorin e Elbasanit, ECO-ELB, ka zhvilluar gjatë vitit 2023 rreth 30 tendera për të menaxhuar mbeturinat e rajonit, ndërkohë që mali me plehra të papërpunuara po rritet në mënyrë progresive. Vlera në total e këtyre tenderave kalon 1.3 milionë euro.

Pjesa më e madhe e procedurave të prokurimit publik lidhen me funksionin e impiantit të djegies së mbeturinave. ECO-ELB ka blerë karburant, pjesë mekanike e teknike, ka paguar për shërbime remonti, ndërhyrje elektrike e hidraulike. Në përfundim, sërish rezulton se inceneratori i Elbasanit është jashtë funksionit.

Drejtuesit e kompanisë, në një deklaratë të dhënë për median pak ditë më parë, pranuan se inceneratori ka punuar më pak se një muaj, ndërkohë që nuk ka futur asnjë kilovat energji elektrike në rrjetin e Korporatës Elektro Energjetike Shqiptare. Inceneratori i Elbasanit ishte i pari ndër tre të tillë, të miratuar nga qeveria e Edi Ramës në mandatin e parë. Ai u pasua nga inceneratori gjysmak i Fierit dhe ai inekzistent i Tiranës. Në vitin 2014, Rama dhe ministrat e tij miratuan kontratën koncesionare me shoqërinë “Albtek Energy” për ndërtimin, operimin dhe dorëzimin e inceneratorit të Elbasanit.

Kosto koncesionare ishte mbi 22 milionë euro. Kompania merrte përsipër që të ndërtonte impiantin me fondet e veta, megjithëse më vonë u zbulua se ajo nuk kishte as mundësi financiare dhe as përvojën për të ngritur vepra të tilla. Në bazë të kontratës, shoqëria “Albtek” e dorëzoi veprën publike në përfundim të afatit 7-vjeçar, në dhjetor 2021.

Në të njëjtën kohë, pronarja e kompanisë, Stela Gugallja, u shpall në kërkim, bashkë me bashkëjetuesin e saj, Mirel Mërtiri dhe mikun e tyre, Klodian Zoto, nën akuzën se kanë kryer korrupsion dhe pastrim parash.

Inceneratori i Elbasanit kaloi në administrimin e shoqërisë publike ECO-ALB, e cila ka aksionerë bashkitë e Elbasanit, Cërrikut, Belshit, Përrenjasit, Gramshit dhe Librazhdit. Deri më tani, impianti i Elbasanit ka funksionuar si landfill, për shkak të mos-funksionimit të inceneratorit. Mungesa e djegies së mbeturinave ka ezauruar hapësirat e landfillimit, duke e shndërruar zonën në një rrezik të lartë për jetën dhe shëndetin e banorëve të qytetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco