Afati i ri i ligjit për investimet strategjike deri në dhjetor 2027

Afati i ri i ligjit për investimet strategjike deri në dhjetor 2027

23:19, 24/01/2024
A+ Aa A-

Ligji shumë i debatueshëm i mbaroi efektet e tij në dhjetor 2023, por sipas propozimit socialist ndryshimet ligjore do të kenë efekt prapaveprues duke e shtrirë veprimin që nga data 1 janar 2024. 

Ndryshimet ligjore parashikojnë të rrisin dhe vlerën e investimeve deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t'i japin më shumë rol në vendimmarje ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat.

“Në nenin 36 fjalet “data 31 dhjetor 2023” zevendesohen me fjalet “data 31 dhjetor 2027″”- thuhet në propozim. 

Në nenin e fundit  parashikohet që “ligj hyn ne fuqi 15 dite pas botimit ne Fletoren Zyrtare me perjashtim te nenit 6 te ketij ligji,i cili i shtrin efektet nga 1 janari 2024”.

Në relacionin bashkangjitur deputeti propozues e cilëson në përputhje me Kushtetutën efektin prapaveprues të ligjit.

Kjo është shtyrja e tretë e afatit të një ligji që është miratuar në vitin 2015, dhe u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama”, fillimisht me afat deri në vitin 2018.  Por afati i tij u shty edhe dy herë të tjera në Kuvend me justifikime të ndryshme nga socialistët. 

Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesve. Sipas opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Socialistët refuzuan disa herë kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zbatimin e këtij ligji, pas shqetësimeve se ai ishte përdorur për të favorizuar biznesmenë pranë qeverisë.

Njëri prej përfituesve është dhe Artan Gaçi, bashkëshorti i deputetes socialiste, Olta Xhaçka, i cili përfitoi statusin për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut, një nga zonat më të bukura në Jug të vendit.

Ligji i mëparshëm u njihte statusin investitor strategjik në turizëm çdo projekti që investonte më shumë se 5 milionë euro dhe punësonte 80 punëtorë. 

Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitorëve strategjikë qindra hektarë tokë përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera./ reporter.al/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco