Iu ndalua vizita në Serbi/ Sveçla: Do veprojmë mbi parimet e reciprocitetit

Iu ndalua vizita në Serbi/ Sveçla: Do veprojmë mbi parimet e reciprocitetit

11:25, 04/01/2024
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi Serbia e ndaloi që të zhvillojë vizitën në Luginën e Preshevës.

Ai ka thënë se ndalimi i vizitës së tij dëshmon qasjen destruktive të Serbisë dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës dhe ka thënë se për këtë do të veprojnë mbi parimin e reciprocitetit si vlerë e barazisë.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë arsye shpjegim. Ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë, ne do të veprojmë mbi parimet e reciprocitetit si vlerë e barazisë mes dy shteteve tona”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se ky refuzim “pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës”.

“Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se vizitën në Luginë ka dashur ta realizojë pas ftesës që ka marrë nga Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar për vizitë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Sipas agjendës, ishin planifikuar takime në selitë e Këshillit në tri komuna si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë Shaip Kamberi. Me kënaqësi kam pranuar ftesën dhe kam filluar përgatitjet”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka thënë se autoriteteve serbe u kishte përcjell edhe agjendën e takimeve dhe informatat e nevojshme për delegacionin.

“Në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kemi përcjellë agjendën dhe informatat e nevojshme të delegacionit në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes në Serbi dhe realizim të vizitës”, ka shkruar Sveçla.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco