Policët me 'SKY'/ Formulari i Taulant Ballës 'fut ujë', model i rrëzuar nga Strasburgu

Policët me 'SKY'/ Formulari i Taulant Ballës 'fut ujë', model i rrëzuar nga Strasburgu

17:26, 05/12/2023
A+ Aa A-

Disa vjet më parë, një funksionar i lartë i drejtësisë së Turqisë, deklaroi në një samit në Tiranë se qeveria e tij kishte shkarkuar disa dhjetra mijëra punonjës të administratës, përfshirë mjekë, mësues dhe mbi një mijë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët kishin të instaluar në telefonat e tyre aplikacionin për mesazhe të enkriptuara, “Bylock”.

Ai zyrtar, një militant i flaktë i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, u shpreh gjithashtu se kushdo që kishte të instaluar atë aplikacion konsiderohet automatikisht pjesëmarrës në atë që u konsiderua si “puç shteti” disa-orësh, në verën e vitit 2016, pa u provuar nëse ata realisht e kishin përdorur për “puç” apo thjesht për komunikime të natyrave të ndryshme.

Një mësues turk, i shkarkuar nga detyra për këtë motiv, fitoi të drejtën në Gjykatën e Strasburgut, në një vendim pilot që shërbente për të gjithë situatat e ngjashme, megjithëse qeveria e Erdogan nuk ka dhënë sinjale se do t’i zbatojë.

Në çështjen “Yüksel Yalçinkaya kundër Turqisë”, Dhoma e Madhe e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, vendosi në shtator të vitit 2023, se “Turqia shkeli të drejtat e Yalçinkaya për gjykim të drejtë sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të drejtat e tij kundër kriminalizimit retroaktiv. Yalçinkaya, një ish-mësues, ishte dënuar në gjykatat turke për anëtarësim në një organizatë të armatosur terroriste vetëm me pohimin e prokurorëve se ai përdorte aplikacionin ByLock”.

Një model i tillë duket se ka vendosur të aplikojë edhe Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla.

Pak ditë më parë ai nxori një Urdhër, nëpërmjet të cilit detyrohen të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të vetëdeklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionin e kriptuar “SKY-ECC”.

Ky urdhër, siç thuhet, është në vazhdën e pastrimit të policisë nga element të inkriminuar dhe bashkëpunëtorë të krimit të organizuar.

Image

Në foto: Urdhëri i Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, për formularin “SKY-ECC”

Muajt e fundit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kryer arrestime të disa anëtarëve të grupeve kriminale, si edhe funksionarë policie, të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale pas koordinimit dhe komunikimit me mesazhe në aplikacionin “SKY-ECC”.

Deri më tani, hetimet e SPAK-ut, të bazuara mbi mesazhet në ‘SKY”, të zbërthyera nga autoritetet franceze, kanë zbuluar vetëm një numër shumë të vogël punonjësish policie që kanë bashkëpunuar me grupe kriminale.

Ndërkohë, ekspertë të sigurisë dhe reporterë që mbulojnë zhvillimet në sistemin e drejtësisë, shprehen të bindur se numri i oficerëve të Policisë që kanë përdorur për qëllime kriminale këtë aplikacion është shumë më i lartë.

Nisur nga kjo premisë, duket se ministri Balla ka vendosur të reagojë, duke detyruar punonjësit e policisë që të vetëdeklarojnë nëse kanë përdorur aplikacionin “SKY”.

Urdhëri dhe, rrjedhimisht, edhe formulari, kanë problematika të theksuara kushtetuese, që lidhen me lirinë e individëve, por edhe ligjore, për mënyrën se si synohet të arrihet qëllimi për pastrimin e policisë.

Përdorimi i mjeteve të komunikimit, ku përfshihen edhe aplikacionet e telefonave celularë, janë një e drejtë themelore e njeriut. Ndaj, kufizimi ose, më saktë, kërcënimi se kush ka përdorur një aplikacion të caktuar, mund të përbëjë shkelje të drejtëpërdrejtë të Kushtetutës.

Sipas urdhërit të Ballës, kuptohet qartësisht se aplikacioni “SKY ECC” konsiderohet apriori si kriminal. Ndërkohë, problemi nuk qëndron tek aplikacioni, por tek mesazhet që kanë përdorur individë të caktuar nëpërmjet këtij aplikacioni.

Pra, rrjedhimisht, jo çdo përdorues i këtij aplikacioni është detyrimisht i përfshirë në veprimtari kriminale.

Përvoja e organeve ligjzbatuese ka zbuluar raste të pafundme të aktivitetit criminal me aplikacione të ndryshme telefonike, si Ëhats-app, Viber, Signal, VK, e të tjerë.

Por, për asnjë prej këtyre aplikacioneve nuk është vendosur një “masë ndaluese” përdorimi, edhe pse ato përdorin mesazhe të kriptuara “end to end” dhe një pjesë e tyre janë të padeshifrueshme për autoritetet shqiptare.

Pasi, siç u përmend më lart, problemi nuk është aplikacioni, por mënyra se si përdoret.

Në këtë këndvështrim, ngrihet edhe një tjetër pikëpyetje ligjore mbi nismën e ministrit Balla.

Në formular parashikohet ndër të tjera se punonjësi i Policisë mund të shkarkohet nga detyra në rast se nuk tregon përdorimin e aplikacionit “SKY”.

Image

Ky model është i ngjashëm me ligjin “Për dekriminalizimin”, ku zyrtarët e lartë largohen nga detyra nëse nuk tregojnë për dënime penale në të shkuarën.

Por, “Dekriminalizimi” është mbështetur mbi një ligj Parlamenti, ndërkohë që largimi i mundshëm i policëve nga detyra për faktin se nuk deklarojnë që kanë përdorur ‘SKY ECC” mbështet mbi një akt nënligjor ministri. Pra, çdo analogji e mundshme mes Dekriminalizimit dhe formularit për aplikacionin SKY, më së paku çalon nga ana e hierarkisë së normave ligjore.

Ndaj, nisma më e fundit e Taulant Ballës është e mbushur me nota të thella populizmi.

Policia e Shtetit ka probleme të theksuara në luftën kundër kriminalitetit. Në kohë të ndryshme, janë zbuluar zyrtarë të nivelit të mesëm e të ulët të trupës policore, të cilët kanë toleruar ose janë angazhuar si bashkëpunëtorë të grupeve kriminale, sidomos në trafikun e narkotikëve.

Pastrimi i Policisë së Shtetit duket qartësisht se nuk mund të realizohet me një formular, i cili nuk mund të zbulojë “gënjeshtarët”, në rast se autoritetete franceze nuk japin informacione për përdoruesit e ‘SKY ECC”.

Aq më tepër, mund të ketë edhe punonjës policie që mund të kenë përdorur këtë lloj aplikacioni për komunikime të ndryshme, intime apo të çdo natyre tjetër dhe jo detyrimisht për aktivitet kriminal.

Pastrimi i Policisë kryhet me mekanizma ligjorë dhe forcim të kontrollit të brendshëm. E, natyrisht, nuk mund të realizohet me formularë dhe me kontrollin sipërfaqësor të telefonave, për të verifikuar se çfarë aplikacionesh janë instaluar./ boldnews/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco