Milaim Nela: Partitë nuk i bëjnë as siglat, as vulat, as ngjyrat, por vullnetet politike

Milaim Nela: Partitë nuk i bëjnë as siglat, as vulat, as ngjyrat, por vullnetet politike

21:09, 02/12/2023
A+ Aa A-

Nga Milaim Nela

I nderuar Dr Berisha,

Të nderuar kuvendarë demokratë!

Të nderuar opozitarë qëndrestarë kudo që jeni në Shqipëri dhe ju që na ndiqni nga larg!

Jeni ju 500 mijë qëndrestarë apo më shumë që i rezistuat presionit, shantazhit duke rrezikuar bukën e fëmijëve tuaj më 14 Maj dhe votuat për opozitën dhe kandidatët e saj që më motivoni më së shumti.

Situata në të cilën ndodhet opozita reale kjo opozitë që akoma mban gjallë shpresën për pluralizëm politik në Shqipëri është e rëndë mbase më e rëndë se para Dhjetorit të vitit 1990.

Partia Demokratike dhe ju demokratë që nga 9 shtatori i para dy viteve keni qenë nën një presion të jashtëzakonshëm nga klika sorosiane e ‘rilindjes’ dhe patronazhistët e saj të mbështetur për fat të keq edhe nga faktorë të huaj që të hiqnit dorë nga Partia që doli nga lëvizja e dhjetorit 90-të për interesa të pushtetit të rilindas.

Shqiptarët u kërcënuan me ngrënie bari term që nga brezi im e lart e njohim shumë mirë se çdo të thotë!

Partia Demokratike është partia e vetme që krahas gabimeve të kuptueshme deri diku për arsyet që i përmenda më lart është forca e vetme politike që kur ka patur pushtetin e ka bêrë punë të mira për këtë vend!

***

Ne nuk duhet të harrojmë por të ju a kujtojmë shqiptarëve veç të tjerave DY LIRI shumë të rëndësishme që kanë vulën e Partisë Demokratike - LIRINË E FJALËS që sot shumica e shqiptareve mjerisht e kanë të kufizuar serish nga bijtë e ATYRE dhe LIRINË E LËVIZJES të cilën qeveria BERISHA 2 e realizoi në vitin 2010.

Shumë miq të mi me të drejtë këtë vit e quajnë vit të çlirimit real të Shqipërisë.

***

Partia Demokratike arriti të mbijetojë falë jush dhe përpjekjeve titanike të Dr Berishës por nga ana tjetër ajo ka sfidën e jetës ti përgjigjet nevojave të shoqërisë shqiptare sot.

Është shumë komode sot të kritikosh një opozitë që ndodhet në kushtet që është ajo sot!

Megjithatë unë modestisht e në mënyrë konstruktive e kam bërë këtë në vazhdimësi por sot edhe për shkak të minutave të kufizuara nuk do ndalem aty por dua dashamirësisht të bëj dy tre sugjerime e nëse ky Kuvend i nderuar i gjykon të arsyeshme do shpresoja ti merrte në konsideratë.

Në rrafshin partiak kjo parti e ka JETIKE hapjen ndaj gjakut të ri ndaj ideve të reja.

Po ashtu do ti bënte vetëm mirë Partisë Demokratike integrimi i elementëve të spikatur nga mërgata sidomos nga vendet ku emigracioni shqiptar është në numra të konsiderueshëm.

Departamenti Brain Gain ka bërë punë të lavdërueshme por kjo është shumë pak dhe rolin e tij e shoh pak ndryshe.

Duke vlerësuar kontributin e elitave që kanë kontribuar në dekada ripërtëritja e partisë demokratike është e domosdoshme!

Duhet të gjejmë mënyra për të ringjallur atë frymë që u krijua deri në Kuvendin e Dhjetorit të vitit 2021.

‘Një ujë që nuk rrjedh nuk pihet’ - thotë mençuria popullore.

Partia Demokratike duhet të dalë me një program afatshkurtër dhe afatgjatë se si do ta nxjerrë vendin nga gremina ku e ka futur rilindja. Nëse kjo parti është parti që e ndjekin gjysmë milionë shqiptarë duhet të ju dëshmojê atyre që PD nuk është vetëm Sali Berisha por ka një skuadër dhe ekip të denjë që do ta udhëheqë atë nesër.

Por kjo duhet të dëshmuar me veprim

Është jetik një gërshetim i PËRVOJËS me gjakun dhe idetë e reja duke ju përgjigjur pritshmërive jo vetëm të elektoratit të djathtë por shoqërisë shqiptare në tërësi!

Ish të persekutuarit dhe pronarët që ATA i quajnë ish pronarë duhet të jenë shtylla kurrizore e një partie të djathtë.

Sot duhet të jetë e qartë për gjithkënd se nuk është synim imediat pushteti i partisë demokratike por shembja e autokracisë së ‘rilindjes’!

Ndalimi i rrënimit të Shqipërisë dhe një qeveri tranzitore që do vendoste së pari ligjshmërinë në shina për një periudhë 6, 10 apo 12 mujore është nevoja më imediate.

Vetëm kur shoqëria dhe votuesi shqiptar të jetë i çliruar nga patronazhistët e të jetë i lirë për të votuar ka kuptim gara për pushtet dhe alternativa, përndryshe nuk do kemi as zgjedhje as garë reale!

E kur të vijë ajo kohë ka hapësirë të diskutohet për të djathtën konservatorizmin e shtratin në të cilën duhet të jetë një parti e djathtë si partia demokratike.

Në rrafshin më të gjerë jashtë partisë demokratike e shoh jetike nevojën e një FRONTI të BASHKUAR OPOZITAR me të gjithë aktorët dhe faktorët jashtë PD-së që jo domosdoshmërisht ndajnë të njëjtën ideologji me ne por janë qartësisht e pa ekuivok kundërshtarë të ‘sektit rilindas’!

Ka potenciale intelektuale edhe nga e majta shqiptare që janë kundërshtarë dhe opozitarë të rilindjes po aq sa ne që e duan Shqipërinë por nuk e gjejnë veten brenda PD-së!

Ne duhet tu japim mundësinë atyre si pjesë e një fronti të bashkuar opozitar e bashkë me ne ta realizojmë ndryshimin që presim për shpëtimin e vendit.

Duke qenë pjesë e MËRGATËS i kam dy fjalë për bashkëkombësit e mi kudo ku jetojnë nëpër botë.

Le të mbledhim të gjitha energjitë dhe potencialet tona ta shpëtojmë atdheun tonë Shqipërinë nga zhbërja! Ne mund të kontribuojmë në mënyra të ndryshme por duhet të angazhohemi!

Ta shpëtojmë vendin tonë nga zhdukja.

Koha është tani para se të jetë shumë vonë.

Është koha të mbështesim opozitën shqiptare sepse kjo është e vetmja varkë shpëtimi për pluralizmin të cilin e fituam pas 45 viteve sakrifica e humbje jetësh si asnjë komb tjetër i ngjashëm me ne!

Për ata që e quajnë veten diasporë me disa bishta mbrapa dhe deklarohen ‘NEUTRALË’ ndaj partive politike dhe konstruktive me regjimin dua të ju them se në fakt me këtë ata nuk bëjnë gjë tjetër përveçse lojën e binomit Rama-Basha!

Neutraliteti është aleancë me pushtetin e nuk ka as logjikë as përfundim tjetër.

Nuk ka negociata për asgjë me ata që duhet të jenë para drejtësisë për gjëmën që I kanë bërë këtij vendi!

Partiçkat ‘alla-mjaftiste’ të pompuara, proklamuara dhe sponsorizuara si shpëtimi dhe e ardhmja e vendit janë vetëm për të ju hutuar e çoroditur juve. Ata janë investimi i ‘rilindjes’ për të mbijetuar në kalin e pushtetit të vjedhur!

Këta janë në mos në bashkëpunim po aq të dëmshëm sa pengjet dhe vulëvjedhësit e simboleve të PD-së!

Mos u mashtroni!

Atyre deputetëve që në Prill të vitit 2021 kanë marrë votat e elektoratit të djathtë e nuk janë sot në këtë sallë dua të ju them se ambasadat ku ju faleni çdo javë apo më shpesh nuk do munden të ju mbajnë në politikë gjatë e duke qenë një person që e njoh kulturën dhe mentalitetin perëndimor prej një çerek shekulli ju garantoj se ajo kulturë nuk i respekton servilët dhe të pabesët por veç i përdor aq sa ju duhen për interesa të momentit. Ata vlerësojnë në fund të fundit njerëzit me integritet e ju me këto qëndrime që keni mbajtur këto dy vite keni treguar deficit serioz të integritetit politik.

Ju e keni rrënuar besimin dhe i keni prerë në besë zgjedhësit tuaj e mos kujtoni se ata do ju a harrojnë.

Atyre që akoma kërkojnë largimin e Sali Berishës pa kushte ju them;

Hajdeni në mejdanin e politikës e ta mundim atë me ide, platforma e me votë!

Po ju ndihmoj edhe unë sa të mundem!

Por në fund mbreti i demokracisë është vota dhe vetëm vota!

Dua ta lidh situatën ku ndodhet Partia Demokratike me një përjetim timin personal.

Shumë miq të mi këto dy vite më kanë pyetur;

Ti jeton mirë, jeton jashtë e je i realizuar profesionalisht pse përzihesh në politikë?

Pse mbështet Partinë Demokratike?

Disa të tjerë janë munduar të më pyesin por nga droja se më lëndojnë nuk ma kanë thënë!

Këtyre të fundit po ju a jap përgjigjen këtu sot nga kjo foltore e nderuar!

Po, jam i realizuar dhe i përmbushur profesionalisht por megjithëse jetoj në një vend me standarde nuk mund të rri indiferent ndaj kësaj drame që po i ndodh vendit tim.

Unë u përfshiva sepse kuptova që kostoja e indiferencës është shumë herë me e madhe se ajo e sakrificës sado që të jetë ajo!

Këtë do të doja ta kuptonin edhe ata që e quajnë veten INTELEKTUALE por nuk kanë patur kurajën deri sot ta prishin rehatinë e tyre!

Unë do jem këtu sa herë të thërrasë gjaku i të parëve se ky është vendi im.

Nëse nuk reagojmë nga brenda dhe nga jashtë,  jo vetëm ne që e njohim veten për të djathtë por për të gjithë pa dallim të majtë e paparti nesër mund të jetë tepër vonë dhe mbase nuk do ketë vlerë!

Po pse mbështes Partinë Demokratike?

Sepse kjo opozitë pavarësisht se vula dhe sigla i janë vjedhur dhe mbahen në sirtar nga një grup pengjesh të pa integritet e pa shtyllë kurrizore është forca e vetme politike që ka potencialin dhe energjitë e nevojshme për të krijuar ortekun e për ta përmbysur klikën më të rrezikshme që ka parë ky vend pas bandës vëllavrasëse të Enver Hoxhës!

Në disa aspekte ‘rilindja’ është më e rrezikshme se vetë mëma e saj!

Jo vetëm po bëjnë shpopullimin por po duan ta zëvendësojnë këtë popullatë me viktimat e luftërave dhe varfërisë të vendeve të tjera të botës!

Po synojnë që territoret shqiptare të shërbejnë si valvul shkarkimi i presionit të faktorit masiv migrues i vendeve të zhvilluara europiane!

Ne nuk guxojmë të lejojmë zbrazjen, shpopullimin e këtyre trojeve dhe zëvendësimin e shqiptarëve denbabaden autoktonë me hallexhinjtë që as nuk duan të vijnë këtu por se dikujt brenda dhe jashtë vendit i konvenon kjo.

Kjo është toka jonë është sofra jonë bujare që mirëpret gjithmonë miqtë dhe duhet të presë nevojtarët që kërkojnë ndihmë ashtu siç e kanë zakonet tona, tradita jonë shqiptare mijëra vjeçare dhe ligjet ndërkombëtare por nuk nuk mund ta bëjmë këtë tokën tonë një Guatanamo Bay apo burgun e fatkeqëve të kontinenteve të tjera.

Ne nuk guxojmë të lejojmë që Shqipëria Zyrtare të vazhdojë të jetë patericë e Serbisë kundër Kosovës!

Ne nuk guxojmë të lejojmë gjobitjen e shqiptarëve të Kosovës sa herë vijnë në Tiranë!

Ne nuk guxojmë që për interesa të një klike pro-serbe të gjobisim sa herë shkojnë në Kukës apo Prishtinë shqiptarët e Shqipërisë në një rrugë të ndërtuar tërësisht me para publike të taksave të shqiptarëve.

E të gjitha këto të nderuar anëtarë të këtij kuvendi bëhen VETËM duke u bashkuar të gjithë në një betejë politike në çdo cep të vendit për interesin madhor të kthimit të pluralizmit dhe normalitetit.

...

Për fund kam një kërkesë për Dr Berishën!

Doktor!

Partia Demokratike nuk guxon të shkojë në zgjedhjet e ardhshme kurdo që ato të ndodhin pa emrin e kryetarit të saj në fletën e votimit dhe nën siglën e një partie tjetër cilado qoftë ajo!

Ekipi i juristëve të partisë të hartojë hapat ligjorë dhe në një afat të caktuar kohor!

Partitë nuk i bëjnë as siglat as vulat as ngjyrat por vullnetet politike!

Po të ishin këto të mjaftueshme do bënin bravat parti!

Ju faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco