Alimehmeti: Në zgjedhje u përballëm me pushtetin totalitar, paranë dhe krimi, por duhet dhe analizë

17:08, 02/12/2023
A+ Aa A-

Fjalimi i anëtarit të Këshillit Kombëtar, Ilir Alihmehmeti:

Miq, qytetarë, demokratë, qëndrestarë,

Kjo konferencë mbizotërohet nga fakti që po mblidhemi nën hijen e rezultatit të 14 majit. 

Ky fakt mbizotëron agjendën tonë sot. 

Ky fakt përcakton agjendën tonë nga sot, 

pasi e dimë që vetëm duke u nisur nga ai rezultat ne mund të organizohemi drejt  krijimit të planit të fitores në të ardhmen.

Prandaj nuk duhet të kishim hyrë për shtatë muaj në periudhë vajtimi, por duhet ta përdornim humbjen vetëm për një gjë:

Për të mësuar!  

Për të zënë mend!

• Vetëm nëse mësojmë nga humbja, 

• Vetëm nëse mësojmë thellësisht, 

• Vetëm nëse mësojmë sistematikisht dhe

• Vetëm nëse mësojmë institucionalisht mund të sigurohemi që kjo të jetë humbja e fundit me të cilën përballet lëvizja jonë.

Është e vërtetë që ne u përballëm me një sistem zgjedhor të falsuar gjerësisht! 

Është e vërtetë që ne u përballëm me armë të pabarabarta!

Është e vërtetë që ne u përballëm me pushtetin totalitar, me paranë, me krimin, dhe, fatkeqësisht, me heshtjen e ndërkombëtarëve.

Heshtje që vazhdoi edhe kur kryeministri bënte thirrje të hapura për të mos votuar!

Por vota është baza e demokracisë miqtë e mi!

Dhe rezultatet e 14 majit na u servirën zyrtarisht si demokratike!

Dhe, pasi këtij procesi, mund të flasim për një Republikë Kushtetuese!

A është Shqipëria një Republikë Kushtetuese miqtë e mi?

Në letër po, por:

A jetojmë ne një Republikë Kushtetuese?

A rriten fëmijët tanë në një Republikë Kushtetuese?

A do ta krijojnë të ardhmen fëmijët tanë në një Republikë Kushtetuese?

Përgjigja e qartë është JO!

Këtë përgjigje e japin qindra mijëra shqiptarët që ikën nga Shqipëria!

Këtë përgjigje e japin dhjetëra mijëra të rinjtë që largohen çdo vit!

Këtë përgjigje e japin pothuajse njëqind mijë lindjet e munguara në këto dhjetë vite!

Këtë përgjigje e dinë të gjithë thellë në shpirt, pavarësisht nëse e shprehin apo jo!

Ka një sërë problemesh të krijuara nga Qeveria mbi të cilat mund të flasim pa fund, por dua ta përdor këtë fjalë për të parë më tej, më larg!

Pasi, nuk mund të ketë ndryshim të sistemit, nëse nuk jemi ne të parët që ndryshojmë!

Për këtë duhet të bindemi të gjithë!

Ka ardhur koha për një pajtim të gjerë kombëtar të të gjitha forcave opozitare, por detyra kryesore na takon ne!

Pa asnjë diskutim!

Së pari, duhet të bazohemi te analiza e zgjedhjeve vendore!

E di që ka ende persona “të ndrojtur” ndaj idesë së analizës!

Duket sikur vetë aktiviteti i analizës konsiderohet nga një numër i vogël si “tradhëti ndaj parimeve të grupit”.

Unë mendoj krejt ndryshe mbi analizën.

Unë mendoj se në det nuk mund të futemi dot pa busull!

Unë mendoj se në procesin e ndryshimit nuk mund të futemi dot pa analizë.

Unë mendoj se, pas humbjes, çdo parti politike duhet të kryejë vlerësimin, rishikimin dhe ekzaminimin, por edhe ta kryejë në mënyrë të ndershme, 

Pasi nëse nuk e kryen atë, ajo parti nuk do të “tradhëtonte parimet e grupit”, por në fakt do të tradhëtonte parimet e saj, moralin e saj, politikat e saj dhe njerëzit e saj.

Dhe më duhet ta them, për këtë analizë të ndershme janë të interesuar pikërisht njerëzit e saj dhe qytetarët që kërkojnë ndryshimin, rishikimin dhe reformimin!

Dhe çdokush tjetër në këtë sallë që ka bërë të njëjtën gjë e di që baza kërkon rishikimin dhe reformimin!

Nuk është kërkesë që vjen nga disfatistë!

Nuk është kërkesë që vjen nga të panikosur!

Nuk është kërkesë që vjen njerëz në krizë identiteti politik!

Përkundrazi,

Kërkesa për ndryshim dhe reformim vjen nga qëndrestarë!

Kërkesa për ndryshim dhe reformim vjen nga qytetarë me identitet politik shumë të qartë!

Kërkesa për ndryshim dhe reformim vjen nga qytetarë me ideale dhe parime shumë të qarta!

Këta qytetarë nuk janë të frikësuar për të analizuar,

Këta qytetarë nuk janë të frikësuar për të menduar, 

Këta qytetarë nuk janë të frikësuar për të sprovuar parimet e tyre ndaj pushtetit dhe realitetit të Shqipërisë!

Por janë forumet e lëvizjes sonë politike që duhet ta bëjnë të mundur!

Janë forumet e lëvizjes sonë politike që duhet të mundësojnë bashkimin e madh!

Janë forumet e lëvizjes sonë politike që duhet të mundësojnë hapjen e Partisë, por hapje me mekanizma të qartë!

Janë forumet e lëvizjes sonë politike që duhet të mundësojnë ristrukturimin rrënjësor!

Janë forumet e lëvizjes sonë politike që duhet të mundësojnë shtimin dhe rritjen e kapaciteteve të burimeve tona njerëzore!

Kjo është fryma që mbizotëron shumicën dërrmuese të mbështetësve tanë!

Dhe nëse i përgjigjemi si duhet, të bashkuar:

Kjo është fryma që do të na bëjë të aftë që të përballemi!

Kjo është fryma që do të na bëjë të aftë që të fitojmë!

Kjo është fryma që do të na bëjë të aftë të meritojmë qeverisjen!

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco