Berisha përshëndet deputetët kudo që janë: Ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin

12:46, 02/12/2023
A+ Aa A-

"Nëse doni të kuptoni gjendjen e një kombi, çdo qytetar duhet t’i hedhë një sy parlamentit të tij", - tha Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ndër të tjera, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së.  - Nëse doni evidencë më të qartë për rikthimin e diktaturës, përsëri theksoj, hidhni një sy parlamentit tonë."  Ndiqeni të plotë në videon më sipër.

"Një nga projektet më të hershme të Edi Ramës, - tha ai, -  ka qenë shkatërrim i parlamentit. Sepse po shkatërrove parlamentin, ke asgjësuar pluralizmin, demokracinë dhe sovranitetin e brendsghëm të kombit.

Në vitin 2013, Edi Rama bëri pucin e parë ndaj parlamentit. Ai e kriminalizoi atë, e mbushi me kriminelë nga më ordinerë dhe e veshi ata me kostumin e deputetit.

Pas ligjit të dekriminalizimit, Edi Rama bëri puçin e dytë ndaj parlamentit, kësaj here në përpjekje për të krijuar opozitën fasadë. Ai mori peng kryetarin e opozitës dhe synoi krijimin e pseudo opozitës dhe kishte planifikuar që me këtë kallp opozitë, të qeverisnin në kurriz të shqiptarëve. De facto, t’i bënin gjëmën demokracisë shqiptare.

Edhe këtu, Edi Rama dështoi. Së bashku ia thyem ëndrrën e bashkëqeverisjes me pseudo-opozitën.

A kishim kosto ne për këtë? Sigurisht që po. 

Nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Edi Ramën, që mu propozua nga kryekëshilltarët e Lulzim Bashës, unë u dizenjova non-grata dhe sot kam një dhëndërr të burgosur politik.

Dhe tani çfarë i mbeti Edi Ramës? Tregoi më në fund në sytë e të gjithë botës se kush është në të vërtetë.

Vendosi t’i bëjë parlamentit një grusht shteti brenda shtetit.

Por ne ia dolëm, e shpëtuam opozitën, e shpëtuam parlamentin. Grupi ynë parlamentar, dhe i përshëndes deputetët kudo që janë, në këtë sallë dhe kudo që ndodhen, me mosbindje civile, e zhyti në ilegalitet parlamentin e krimit, parlamentin e diktaturës, parlamentin e narkoshtetit.

Por kur opozitës i mohohet çdo e drejtë e mundshme e dhënë nga Kushtetuta, kur garda kthehet në një polici kundër opozitës, kur buxheti kalon për 4 minuta, kur Kushtetuta shkelet çdo ditë, a mund të quhet më Shqipëria një republikë parlamentare. 

Përgjigjia është vetëm një: Në Shqipëri është rikthyer diktatura e bandave, e krimit, e drogës, ne do e përmbysim atë.

Në këmbë, demokratë dhe demokrate, mosbindja civile është betimi ynë.

Përmendëm se vendi ynë ka pasur armiq shqipfolës të rrezikshëm, por të mos keqkuptohemi, historia e Shqipërisë nuk është histori e tradhtarëve, është histori e heronjve, e patriotëve, e njerëzve të ndershëm, e demokratëve.

Për çdo tradhtar, për çdo pushtues, ka pasur gjithmonë heronj shqiptarë që kanë shpëtuar Shqipërinë. 

Pushtimi nga perandoria më e madhe e kohës, nxori Skënderbeun.

Diktatura më e egër komuniste e kohës solli lëvizjen studentore, prijësin e saj, Azem Hajdari. Azem, ti je gjallë!"

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco