Kraja: Diaspora është më se e mirëpritur të investojë, problem është personalizimi i vendimeve nga Rama

Kraja: Diaspora është më se e mirëpritur të investojë, problem është personalizimi i vendimeve nga Rama

09:46, 01/12/2023
A+ Aa A-

"Investitorët e huaj, e përsëris, në veçanti diaspora, duhet të jenë më se të mirëpritur në Shqipëri. Partneriteti me Italinë është më se i mirëpritur, por dhe në këtë rast, edhe në rastin tjetër, problemi qëndron te personalizimi në ekstrem i vendimmarrjeve të një qeverie, e cila punon gjithçka vetëm për të mbrojtur skandalet e saj, për të bërë propagandë dhe për të abuzuar me mirëbesimin e këtyre partnerëve."

Të ashtuquajturit “Investitorë Strategjikë” në Shqipëri, pra, ata që duhet të investojnë mbi 5.5 milionë euro në një sektor të vendit dhe të punësojnë mbi 80 persona, vërehet se po përzgjidhen vetëm sipas interesave personale të kreut të qeverisë, Edi Ramës.

I tillë është biznesmeni i arrestuar Pëllumb Gjoka, aktori Gazmend Paja, ish-ministrja Olta Xhaçka me ish-deputetin socialist, bashkëshortin Artan Gaçi etj;   

Së fundmi po qarkullojnë lajme që listës së investitorëve strategjikë i është bashkuar edhe Dukagjin Lipa, babai i këngëtares së njohur Dua Lipa, që po ndërton në zonën midis Fierit dhe Lushnjës, një park fotovoltaik. Me çmimin 1 euro/m, investimi e tejkalon vlerën e pronës dhe automatikisht e bën edhe pronar të truallit. Por, a ka lidhje ky dhurim-investim me fushatën propagandistike të Dua Lipës nëpër botë për “bumin e turizmit në Shqipëri falë Edi Ramës dhe Erion Veliajt"?!

A ka lidhje dhurimi i territorit në Lezhë për kampe refugjatesh, Italisë, në këmbim të mbështetjes personale të Edi Ramës?!

Për këto çështje u pyet sot z.Akil Kraja, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Partisë Demokratike, ekspert i ekonomisë, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

Kafe Shqeto: A është ky një lloj shpërblimi për familjen Lipa, pasi pikërisht vajza e kësaj familjeje, Dua Lipa, i ka bërë një fushatë të jashtëzakonshme, qoftë Kryeministrit Edi Rama, qoftë kryebashkiakut Erion Veliaj së fundmi, në sektorin e turizmit?

Akil Kraja: Në radhë të parë mendoj se çdo përfaqësues i diasporës shqiptare dhe në sensin e gjerë e kam fjalën, në trojet shqiptare, është më se i mirëpritur të investojë në Shqipëri. Kështu që ne duhet të bëjmë shumë kujdes që të mos krijojmë amalgama, të cilat janë të preferuara nga Edi Rama. Ju e dini që shpeshherë etiketon me këto amalgama edhe Kryeministrin Albin Kurti. Pra, do të thosha që të jemi shumë të kujdesshëm për të evituar çdo lloj keqkuptimi.

Thënë kjo nga ana tjetër që unë besoj absolutisht që kjo mikpritje duhet të shkojë në paralel me atë që është edhe rregulli i ligjit të lirë, transparenca, ekonomia e lirë, konkurrenca dhe në këtë drejtim mendoj se ashtu si edhe me paktin e Italisë për pritjen e emigrantëve me kryeministren italiane Meloni, ne po flasim për të njëjtën situatë. Po flasim për situata kur Kryeministri në mënyrë personale përpiqet që të krijojë disa marrëdhënie individuale preferenciale për të transaksionuar më pas interesa kombëtare, kolektive, troje publike në këtë rast ose siç është rasti i Lezhës në një truall publik. Pra, ky do të ishte thelbi i problemit.

Sigurisht, investitorët e huaj, e përsëris, në veçanti diaspora, duhet të jenë më se të mirëpritur në Shqipëri, partneriteti me Italinë është më se i mirëpritur, por dhe në këtë rast, edhe në rastin tjetër, problemi qëndron te personalizimi në ekstrem i vendimmarrjeve të një qeverie, e cila po punon gjithçka vetëm për të mbrojtur skandalet e saj, për të bërë propagandë dhe për të abuzuar me mirëbesimin e këtyre partnerëve.

Në rastin konkret flasim për një investim që futet në ligjin e Investimeve Strategjike, një ligj i cili është pjesë e komisioneve hetimore të refuzuara të opozitës.

Thelbi i çështjes: çfarë është ky ligj?! - Ky ligj i vitit 2015, krijon një komitet për investimet strategjike, që nëse ti bën një investim 5.5 milionë euro dhe punëson tetëdhjetë persona, ke mundësi të marrësh truall publik, le të themi “Shqipëria 1 euro”!

Në parim, “Shqipëria 1 euro”, një politikë e vetë qeverisë Berisha aso kohe është pozitive në momentin kur kjo prek asete imobilare si fabrika të abandonuara, godina publike, kostot e mirëmbajtjes të së cilave janë edhe më të shtrenjta se kostot e transaksionit.

Kanë ekzistuar edhe më para politika të ngjashme me taksa të ulëta ose incentivizuese për sipërmarrjen. Bëhej fjalë kryesisht për kapanone ushtarake apo industriale për sektorin e fasonit, pra për biznese që krijonin një volum të madh pune dhe që sillnin e ky është thelb: Krijonin një efekt zinxhir, që do të thotë se ti krijon një investitor të huaj kryesisht, i cili sjell një teknologji; kjo teknologji sjell inxhinierë dhe më pas sjell efekt në kontraktorë, kompani të mirëmbajtjes, sjell inxhinierë të huaj, sjell procese, protokolle, financime shtesë. Pra, sjell një industri të re; kjo industri rrit pagat e më pas rrit eksportet e do të ishte qëllimi.

Nëse kthehemi në modelin aktual, nga 52 investimet strategjike të qeverisë Rama, vetëm dy janë me investime të huaja dhe me ç’pashë, vetëm njeri ishte investim i huaj dhe ky pak a shumë në sektorin fason, por për industrinë automobile, imobiliare dhe në det, plazh./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në videon e Kafe Shqeto

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco