Komisionet hetimore/ PS e qëndis ligjin sipas shqetësimeve të Ramës

Komisionet hetimore/ PS e qëndis ligjin sipas shqetësimeve të Ramës

09:10, 01/12/2023
A+ Aa A-

Pas disa javësh protesta të opozitës në parlament, Partia Socialiste ka sjellë në kuvend variantin e saj për ligjin e komisioneve hetimore.

Ashtu siç pritej, ndryshimet ligjore që u prezantuan nga socialistja Ermonela Felaj e frenojnë hetimin e parlamentin për çështje të caktuara, ndërkohë që vendimi për të ngritur apo jo një komision hetimor kalon në varësi të humorit të mazhorancës.

Nëse Kushtetuta e detyron Kuvendin të ngrejë një komision hetimor, mjafton që këtë ta kërkojnë 35 deputetë, ligji shton kufizimet nëpërmjet koncepteve, që lënë hapësirë për interpretime.

Kufizimi i qëllimit të komisioneve hetimore

Kështu, specifikohet që “çështja e veçantë”, që kërkohet të hetohet nga parlamenti, duhet të jetë një çështje që “hetohet në aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjeve, njohjes dhe verifikimit në thellësi të një fenomeni, ngjarjeje apo veprimtarie dhe që nxisin iniciativa për propozime, amendime apo miratime ligjesh, me qëllim parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë dhe shtetin, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale”.

Nëse marrim si shembull kërkesën për hetimin e çështjes “McGonigal”, kuptohet se hetimi nuk miratohet, pasi nuk plotëson kërkesat e mësipërme të projektligjit që kanë hartuar socialistët.

Mbledhjet e mbyllura që cënojnë “moralin shoqëror”

Drafti i dorëzuar në Kuvend parashikon që mbledhjet e komisioneve të jenë të mbyllura nëse marrja në pyetje e dëshmitarëve mund të cënojë sekrete shtetërore apo të dëmtojë “moralin shoqëror”. Mbetet e paqartë se çfarë konceptojnë socialistët me “moral shoqëror”, por kjo duket se i lë hapësirë mazhorancës të mbyllë komisionet dhe të tkurrë hapësirat për transparencë mbi çështjet që hetohen.

Në variantin e parë, mbledhjet mbyllen kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror.

Në variantin e dytë, parashikohet mbyllja e dyerve në rastet kur “publiciteti mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit”.

Edhe anëtarët e komisionit detyrohen me ligj që të mbajnë konfidenciale informacionet e këtyre mbledhjeve të mbyllura.

Në këtë rast, ligji i shkon përshtat shqetësimit të shprehur më parë nga kryeministri Edi Rama që thotë se nuk do të lejojë që parlamenti të shndërrohet në teatër të propagandës nga opozita.

Shqetësimi i PS për komisionet hetimore

Deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj, që prezantoi propozimet tha se “puna e komisioneve hetimore ka dalë jashtë kornizave të Kushtetutës së Shqipëri. Ne duam të bëjmë një ndarje të qartë që mos të zëvendësojmë punën e prokurorisë dhe të Gjykatës”.

Felaj i referohet komisionit hetimor për inceneratorët, ku dëshmuan kryeministri Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe të tjerë punonjës të administratës që më pas u arrestuan nga SPAK.

Duhet thënë që një pjesë e dëshmive që u dhanë në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët u përdorën nga prokurorët e SPAK në dosjet përkatëve, ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për punën e parlamentit.

Në një prononcim të disa muajve më parë, Dumani u shpreh se “Komisionet hetimore, parlamentare kanë qëllim dhe funksion të ndryshëm nga hetimi që kryen SPAK, i cili është i natyrës penale. Standardet e provueshmërisë së procesit penal janë më të larta dhe procedura e ndjekur për ngritjen e një akuze është shumë më rigoroze”, – tha kreu i SPAK në një prononcim për INA.

Dumani tha se ligji parashikon që Prokuroria e Posaçme mund të bashkëpunojë me komisionet hetimore, parlamentare, sipas dispozitave ligjore në fuqi, duke rrëzuar propozimet e mazhorancës.

“Nuk ulemi me non gratën”

Për shkak të refuzimit që mazhoranca u bën komisioneve hetimore, opozita ka protestuar prej disa javësh. Në sallën e kuvendit janë ndezur flakadanë, ndërsa punimet e komisioneve parlamentare kanë kaluar online për shkak të përplasjeve fizike mes deputetëve.

Megjithatë, deputetja e PS, Ermonela Felaj tha se mazhoranca nuk do të ulet në tryezë me Sali Berishën për të negociuar një zgjidhje.

“Me ‘non gratën’ nuk do të takohemi. Kushdo nga opozita që dëshiron të vij në mbledhjet e komisioneve ne do të ulemi dhe do të diskutojmë. Jemi të detyruar që ta trajtojmë së bashku me dy nismat e tjera e Tabakut dhe e Spahos.’– tha Felaj.

Propozimet e PS për komisionet hetimore janë paralajmëruar nga Edi Rama.

“Pse kjo është detyra e opozitës duke abuzuar me një të drejtë që ta jep Kushtetuta, por e ke këtu këtu e jo për të marrë nëpër gojë gjithë Shqipërinë. Kemi dashur ta bëjmë me një komision të posaçëm të përbashkët për të bërë një integrim të të gjithë problematikës bashkarisht. Tani do e bëjmë vetë” – tha Rama disa ditë më parë.

Opozita ka kërkuar nëntë komisione hetimore në parlament, me qëllim hetimin e atyre çka i quan afera korruptive të qeverisë. Në këtë legjislaturë, i vetmi komision hetimor që është ngritur është ai për inceneratorët. Më pas, puna për komisionet hetimore është paralizuar.

Komisionet hetimore që refuzohen nga PS

1. Është mohuar komisioni për hetimin mbi aferën e Portit të Durrësit, që i dhuroi biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabar qindra mijëra hektarë tokë në Durrës, pasi e përjashtoi nga taksat përmes një marrëveshjeje të dyshimtë.

2. U refuzua komisioni për veprimtarinë e ish shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Çarls McGonigal në vendin tonë. Pretendimi i opozitës është se McGonigal është paguar nga Rama për t’i sulmuar.

3. Është refuzuar komisioni hetimor për çështjen “Beketi”, që i kushton shqiptarëve 110 milion euro pas mbylljes arbitrare të televizionit Agon Channel.

4. Është refuzuar komisioni për udhëtimet me çarter të Edi Ramës, që ende nuk dihet se sa i kanë kushtuar buxhetit të shtetit. Por, që sipas dokumentave që publikuan hakerat iranianë, Ramakishte kryer 137 udhëtime me charter jashtë vendit nga shtatori i 2013 deri në tetor të vitit 2022.

5. Është mohuar komisioni për investitorët strategjikë, që përfshiu në një skandal ministren Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi.

6. Është mohuar komisioni hetimor për rastet e konfliktit të interesit.

7. Është mohuar komisioni hetimor për dyshimet për rrjedhjet e të dhënave të sistemit TIMS. Qëllimi i I këtij Komisioni Hetimor ishte që të mblidhte informacione mbi respektimin e mbrojtjes së të dhënave personale.

8. Është mohuar komisioni hetimor për koncesionet në shëndetësi. Hetimi parlamentar për 4 kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, që përllogariten në vlerën totale rreth 450 milionë USD, u kërkua nga 45 deputetë të opozitës.Tri prej këtyre kontratave janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për abuzim me fondet publike dhe shkelje ligjore./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco