'Çështja Beleri'/ Greqia hedh një tjetër hap drejt bllokimit të Shqipërisë në BE

'Çështja Beleri'/ Greqia hedh një tjetër hap drejt bllokimit të Shqipërisë në BE

09:34, 30/11/2023
A+ Aa A-

Qeveria greke po përshkallëzon reagimet e saj ndaj Shqipërisë për shkak të mbajtjes në burg të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Gazeta greke “Protothema” shkruan se këtë të mërkurë në Këshillin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER), Greqia ka paraqitur shprehjen e një rezerve në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Ndërsa e përditshmja tjetër greke Kathimerini, që trajton të njëjtin bllokim, e ve theksin te pamundësia e Belerit për t'u betuar.

“Një grek etnik i zgjedhur si kryetar i Bashkisë së Himarës në Shqipërinë e Jugut gjatë zgjedhjeve komunale të 14 majit, u pengua të betohet për shkak të një arrestimi për blerjen e supozuar të votës dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve.”

Athina ka bërë të qartë se nuk do të japë pëlqimin për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, nëse nuk do të ketë zhvillime pozitive në lidhje me marrjen e detyrës së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Më herët, gjatë muajit tetor, Greqia nuk pranoi dërgimin e asaj që quhet “letra e të 27”-ve për hapjen e një sërë kapitujsh në pikënisjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Më 4 dhjetor, Gjykata e Tiranës do të marrë në shqyrtim, pas shumë muajsh pengesë, kërkesën e Fredi Belerit për t’i dhënë leje për të bërë betimin ndërkohë që do të zhvillohet edhe një gjykim normal për akuzën e blerjes së votave prej tij. Gjyqi për këtë çështje ka dështuar pas pranimit të dëshmitarit kryesor të akuzës se ka pasur lidhje me policinë dhe është paguar nga fonde sekrete. Ai pritet të nisë më 5 dhjetor në Tiranë”, shkruan “Protothema”.

“Me deklaratat e ministrit të Jashtëm, Giorgos Gerapetritis dhe me misionin në Tiranë të ministrit të shtetit Stavros Papastavros, i cili vizitoi Fredi Belerin në burgun e Durrësit, Athina ka dërguar një mesazh të qartë se do të përdorë çdo mjet presioni që ka në dispozicion për të rrëzuar këtë ndjekje penale arbitrare dhe politike ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës duke dhunuar brutalisht Shtetin e Ligjit në Shqipëri”, e mbyll gazeta greke.

Pak javë më parë Athina e bllokoi letrën për hapjen e kapitujve të parë duke dhënë një “sinjal” lidhur me çështjet që e shqetësojnë me Shqipërinë. Në këtë kohë, Athina mori presion shumë të fortë si nga Gjermania, ashtu edhe nga Presidenca Spanjolle, për të ndryshuar qëndrimin e saj.

Megjithatë, Greqia nuk ka ndërmend të tërhiqet pa kishte, pasi pretendon se ndalimi shtatëmujor i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës është një shkelje e shtetit të së drejtës, siç përshkruhet nga traktatet evropiane dhe acquis evropiane.

Më 4 dhjetor, Gjykata e Posaçme e Shqipërisë do të shqyrtojë kërkesën e Fredi Belerii për betimin si kryetar i Bashkisë Himarë./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco