Kamberi: Në marrëveshjen Kosovë - Serbi, standardet të jenë të vlefshme për të gjitha komunitetet në Ballkan

Kamberi: Në marrëveshjen Kosovë - Serbi, standardet të jenë të vlefshme për të gjitha komunitetet në Ballkan

12:27, 29/11/2023
A+ Aa A-

"Ato që Kushtetuta aktuale e Kosovës afron, ato që po pretendohen me Dialogun e Serbisë të sigurohen për serbët në Kosovë, do të ishte tendencioze, do të ishte e rrezikshme për të ardhmen dhe stabilitetin e rajonit nëse do të lokalizohen vetëm për një pakicë."

Shaip Kamberi, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshëvës në parlamentin e Serbisë, tha sot se ata presin një angazhim më të madh të madh nga Shqipëria dhe nga Kosova për mbrojtjen e të drejtave të tyre si komunitet dhe nëse shkohet në një marrëveshje Serbi-Kosovë, nuk duhet lënë pa zgjidhur asnjë temë e nxehtë mes dy shteteve e cila do të nxiste tensione në të ardhmen.

Z. Shaip Kamberi ishte i ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV, ku ndër të tjera u përgjigj si në vijim:

Kafe Shqeto: Z. Kamberi, sa ka ndryshuar vëmendja që ka Shqipëria dhe shqiptarët ndaj bashkëkombëtarëve të tyre në Luginës e Preshevës? A janë prezentë ata perceptimin publik, në ndërgjegjen kombëtare, në mendime? Si ndiheni ju atje?

Kamberi: Ne kemi takime periodike me autoritetet në Tiranë, i kemi më të shpeshta ndoshta këtu në Prishtinë. Kemi kontakte të rregullta, por presim një angazhim më të madh, presim një prezencë më të dukshme, më vizuale, edhe të Shqipërisë, edhe të Republikës së Kosovës. Ajo që për ne në këto momente është më e rëndësishme,  jetike, është që dialogu Prishtinë-Beograd apo Kosovë – Serbi të përdoret që të bisedohet dhe për të drejtat e shqiptarëve, se nuk mund të ndahen të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave.

Kafe Shqeto: Është pak e çuditshme, se e kam dëgjuar edhe nga liderë të tjerë të Preshevës apo aktivistë, nëse i referohemi Kushtetutës, ajo që e ka për detyrë të ketë një angazhim politik dhe jo vetëm ndaj ndaj shqiptarëve të Preshevës, është pikërisht Republika e Shqipërisë. Sidomos në kohën e muajit të mjaltit Vuçiç – Rama, a pritej që të kishte më shumë zhvillime pozitive për ju?

Kamberi: Shqipëria mund të ndihmojë në çështje të caktuara. Shqipëria mund të ketë një fond të caktuar për të ndihmuar Luginën e Preshevës, Shqipëria mund të ketë program të caktuar shtetëror të shkëmbimeve kulturore, gjuhësore, për arsim, për çështje të ndryshme që karakterizojnë të drejtat kolektive të komunitetit, por Serbia me dy duar pranon që ne të kërkojmë reciprocitet siç e thonë ata, me të drejtat e serbëve në Shqipëri. Interesi ynë madhor është që të kemi reciprocitet me të drejtat e serbëve në Kosovë! Me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, sepse kjo është një risi në Ballkanin Perëndimor.

Ato që kushtetuta aktuale e Kosovës afron, ato po pretendohen me dialogun e Serbisë të sigurohen për serbët në Kosovë, do të ishte tendencioze, do të ishte e rrezikshme për të ardhmen dhe stabilitetin e rajonit nëse do të lokalizohen vetëm për një pakicë, sepse e thashë, të drejtat që janë përcaktuar apo duhet të përcaktohen me Kushtetutën e Kosovës, janë të drejta të njeriut, janë të drejta të një komuniteti dhe nuk duhet të jenë ekskluzive vetëm për një komunitet. Meqenëse kanë mbështetje në normat ndërkombëtare, ato të drejta duhet të jenë të karakterit universal.

Ballkanin shumë herë, me të tjerash edhe shkelja e të drejtave të pakicave, e ka çuar në konflikte dhe nëse shkojmë në një marrëveshje,  nuk duhet lënë asnjë temë e nxehtë mes dy shteteve e cila do të nxiste tensione në të ardhmen. Prandaj mendojmë se jo vetëm për rehatinë e shqiptarëve, por për stabilitetin e Ballkanit, është me rëndësi që këto standarde që po ndërtohen të jenë të vlefshme për të gjitha komunitetet në Ballkan.” /ar.sh.SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë me z. Shaip Kamberi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco