Diasporianët parakalojnë, qeveria shënon fillimin e fushatës elektorale 2025

Diasporianët parakalojnë, qeveria shënon fillimin e fushatës elektorale 2025

14:07, 28/11/2023
A+ Aa A-

Nga Alba Kepi.

Tirana është mbushur sot me diasporianë nga e gjithë bota.  Parakalojnë në bulevardin kryesor të qytetit, aty ku dikur ngrihej parada e diktatorit.

Parakalojnë aty ku me ditë e me javë mijëra shqiptarë protestonin për votën e vjedhur, të dhënat personale të vjedhura, për kontrollin e jetës përmes listave padron-(alla) Gestapo; protestonin për të rinj e të reja që po braktisin vendin e shpopullojnë kombin; protestonin për të drejtat e studentëve, për fëmijët e dhunuar në kopshte e çerdhe pa liçensa, për varfërinë e liritë e mohuara; protestonin për pronat e vjedhura, për pasuritë kombëtare të vjedhura, shtëpitë e shembura, pensionistët e harruar, ilaçet e skaduara, ushqimet e helmuara, invalidët e harruar.

Diasporianët parakalojnë krenarë me ngjyrat e kombit që i mbajnë mbi trup e mbi krye e më pas do të drekosen në një nga restorantet e hotelit të VKM për zhvillim. Thuhet se do të jenë mbi 1600 persona për drekë, si kurrë më parë kish ndodhur.

Thuhet se një kompani greke është kujdesur për dekorin e qytetit në këtë formë mega-festive, aq “mega” sa nuk kish njeri e kompani shqiptare ta merrte përsipër.

Thuhet dhe se një kompani (arti, kulture, eventesh, organizimesh e sa më shumë të kesh aq më shumë renditen në aktivitetet e saj) në zotërim të gruas së një funksionari të lartë, po menaxhon gjithçka.

Diasporianët parakalojnë në bulevardin e paradave të diktatorit e shqiptarët paguajnë të shohin se si ata gëzojnë, kërcejnë, lumturohen nën ritmin e daulleve e lahutave.

"Heeeejjjj, a ka Zot kjo tokë?!"

"Atdheu është në rrezik, o heeejjjj!" - ushtonin dikur nga Alpet shqiptare, nga maja e Korabit, tek ajo e Jezercës; nga Tomorri, Gjallica, Çika, Bjeshka, Lura, Shebeniku e çdo malësi.

Diasporianët parakalojnë e organizimi i kësaj parade shënon për qeverinë, fillimin e fushatës elektorale të 2025-ës. Misioni i tyre është diaspora. Në fillim karrota (parada) dhe më pas bastuni (vota).

Gëzuar (pa)varësinë!

P.s. Foto pak orë para Paradës në Tiranë

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco