Cakrani: SPAK me mjete si Sigurimi i Shtetit, s’qenka e thënë t’i ndahet shpirti nga Arianit Çela dhe Rrapi Mino

Cakrani: SPAK me mjete si Sigurimi i Shtetit, s’qenka e thënë t’i ndahet shpirti nga Arianit Çela dhe Rrapi Mino

09:26, 27/11/2023
A+ Aa A-

SPAK-u, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, në sytë e avokatit të mirënjohur Kujtim Cakrani, po i ngjan gjithnjë e më shumë strukturës famëkeqe hetimore të diktaturës, Sigurimit të Shtetit, për shkak të mjeteve dhe formave të punës që po përdor për gjoja zbulimin e krimeve dhe korrupsionit në nivele të larta.

Cakrani, i pyetur sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV se çfarë mendimi ka për strategjitë që po ndjek SPAK-u dhe për arrestimet me bujë, tha:

“SPAK-u deri tani nuk është një strukturë e mirëorganizuar nga pikëpamja e formimit dhe, kur je i çorganizuar, duhen gjetur dhe metoda të ndryshme ose më saktë, herë pas here mundohesh të krijosh hapësira të reja, por që nuk janë funksionale.

Edhe këto që kërkon SPAK-u të bëjë, me mënyrat e infiltrimit pa ligj apo mënyrat e tjera që ata kërkojnë të zbulojnë  gjoja krime të pasurisë apo krimin e organizuar, gjithmonë në mënyrë ekstraligjore, ne na kthen shumë pas në ato kohërat e diktaturës ku me anë të bashkëpunëtorëve të Sigurimit, arrestonin njerëz dhe dënonin me akuza krejt të pabazuara.

Unë nuk besoj se SPAK-u ka atë pritshmëri që ka pasur për qytetarët, thjesht deri tani ka ngritur një tymnajë dhe i ka dhënë qytetarëve vetëm arrestime popullore  për t’u dukur në sy të publikut sikur është një strukturë që po punon.

SPAK-u e ka shumë të thjeshtë nëse do të zbulojë krime qoftë të korrupsionit apo krimit të organizuar, ka mjete të tjera, ka mënyra të tjera të ndjekjes së parave ku në mes të Tiranës apo në çdo qytet tjetër, i ka të gjithë këta që ndërtojnë apo të gjithë këta që kanë bërë korrupsion me pushtetin. Kanë vila, kanë ndërtesa, kanë pasuri të paluajtshme, kështu që po të ndjekë paranë, SPAK-u e ka shumë të lehtë për t’i evidentuar dhe për t’u gjetur llogaritë bankare - pa pasur nevojë që të infiltrojë pastruese apo njerëz të afërt a shoqëri etj. etj.

Mua këto forma më duken forma të Sigurimit të Shtetit dhe s’qenka e thënë që edhe kësaj strukture të posaçme t’i ndahet shpirti nga Arianit Çela dhe Rrapi Mino, ndaj nuk kam asnjë lloj pritshmërie. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kështu do të përfundonte edhe SPAK-u shqiptar, se fundi i fundit ata prokurorë nuk është se kanë rënë nga qielli, brenda sistemit kanë qenë. Nuk shquhen për hetime të mëparshme të karrierës së tyre, hetime që kanë zbuluar krime apo që kanë zbuluar korrupsion etj. etj.

Ndaj për mua si avokat nuk më bën asnjë çudi që SPAK-u të ndjekë forma ekstraligjore dhe të çuditshme për të zbuluar korrupsionin e të tjerat.”/ar.sh/SYRI.NET

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco