'Koha i dha të drejtë Sali Berishës në udhëkryqet e Ballkanit (dhe luhatjet e politikës amerikane në rajon)'

'Koha i dha të drejtë Sali Berishës në udhëkryqet e Ballkanit (dhe luhatjet e politikës amerikane në rajon)'

13:57, 25/11/2023
A+ Aa A-

Nga Nikola Kedhi

Në gusht të vitit 2018, një propozim befasues iu bë një publiku modest në Republikën e Kosovës dhe në Shqipëri – një shkëmbim territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjet mes dy vendeve. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishin të gjithë në të njëjtën faqe për propozimin.

Thashethemet se administrata Trump qëndronte pas kësaj u përhap menjëherë, kryesisht nga kritikët e tij në rajon. Nuk ndihmoi që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Donald Trump, John Bolton, dha mbështetjen e tij. Megjithatë, anëtarë të ndryshëm të administratës Trump mohuan pretendimet se propozimi kishte ardhur prej tyre, madje edhe Bolton, vite më vonë, tha se ishin udhëheqësit lokalë ata që ia kishin paraqitur planin qeverisë amerikane. Mediat lokale theksuan Fondacionin e Shoqërisë së Hapur (Soros) si trurin pas kësaj ideje.  

Nëse do të zbatohej, do të kishte qenë një kuti e Pandorës në një rajon delikat me një status quo të brishtë, duke krijuar një precedent për Bosnjën, pjesët e tjera të Ballkanit dhe madje edhe në Evropë, duke rikthyer tema të ndjeshme të arkivuara prej kohësh. Potenciali për konflikt etnik ekziston, dhe duke ndërmarrë këtë eksperiment të rrezikshëm, reaksioni zinxhir që do të kishte nisur do të kishte qenë i rëndësishëm për të gjithë kontinentin.
Kishte vetëm një udhëheqës që e kundërshtoi këtë perspektivë. Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe lideri aktual i opozitës, Sali Berisha, një burrë shteti konservator me përvojë shumëvjeçare në politikë dhe me njohuri të pashembullt në gjeopolitikë, foli me zë të lartë dhe ashpër kundër korrigjimeve kufitare në rajon dhe konkretisht mes Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë.

Sapo nisi të qarkullonte ideja, Berisha, në përputhje me qëndrimet që do të mbanin më vonë Gjermania dhe Franca, u bë i pari që theksoi se “shkëmbimi i territoreve ishte një ide serbe, që ata e kishin kërkuar gjithmonë me këmbëngulje patologjike, edhe para shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. E vërteta është se Serbia në këtë rast dëshiron të tregtojë, të përdorë territoret shqiptare si produkt tregu, pasi e shqetëson zgjimi gjithnjë e më i madh i ndërgjegjes kombëtare te shqiptarët. Çdo marrëveshje dhe çdo zgjidhje duhet të jetë një marrëveshje midis dy vendeve të pavarura që njohin integritetin territorial të njëri-tjetrit”.
Disa muaj më vonë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi se Uashingtoni nuk ka inkurajuar kurrë ndonjë ide për ndryshimin e kufijve. “Nëse doni një marrëveshje paqeje, duhet të uleni dhe të bisedoni me kundërshtarin tuaj”, shtoi në atë kohë ambasadori amerikan.
Falë kundërshtimit të fortë të liderëve si Berisha në Shqipëri, aktorëve të ndryshëm politikë në Kosovë, Gjermani dhe më pas një refuzimi të zëshëm nga Shtetet e Bashkuara, ideja e shkëmbimit të territoreve u braktis.

Pas këtij episodi, ideja e “Minishengenit” ose Ballkani i Hapur, u prezantua si një alternativë ndaj Procesit të Berlinit, një nismë bashkëpunimi ndërqeveritar e lidhur me zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Evropian. Ndërsa kjo e fundit kishte mbikëqyrjen dhe garancitë e nevojshme të ofruara nga Gjermania dhe vendet e tjera evropiane, Minishengeni përfshinin vetëm Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë, me pjesëmarrjen ngurruese, herë po e herë jo, të Malit të Zi, dhe me siguri do të kishte çuar në dominimin serb në rajon. Shtetet e Bashkuara - ose të paktën Departamenti i Shtetit - u shfaq edhe një herë për të mbështetur këtë ide të re, me shumë sinjale të përziera që vinin nga përtej Atlantikut. U shtua presioni mbi Kosovën për t'iu bashkuar, edhe pse Serbia refuzoi të njohë pavarësinë e saj dhe u përpoq të impononte vullnetin e saj në rajon.

Megjithatë, nga hiçi, në gusht 2023, kur lufta në Ukrainë po hynte në vitin e dytë, nisma e Open Balkan u shpall e vdekur nga kryeministri shqiptar dhe faktorë të tjerë në rajon, duke u rikthyer sërish në Procesin e Berlinit, udhëhequr nga Gjermania. Analistët dhe aktorët politikë vendas, kur shpjegojnë inkoherencën në politikën e jashtme amerikane, ngrenë çështjen e rrymave të shumta brenda qeverisë amerikane, shpesh në kundërshtim me njëra-tjetrën, me qëllime dhe metoda të ndryshme. Këta janë vetëm dy shembuj ku mungesa e lidershipit amerikan dhe eksperimentimi i pakujdesshëm i segmenteve të caktuara të burokracisë amerikane, mund të kishin penguar përparimin e fituar me vështirësi në rajon.

Edhe një herë, Sali Berisha, përfaqësues i të djathtës shqiptare, ishte zëri kryesor në Ballkan që doli kundër një procesi, i cili pati bekimin e Rusisë dhe që do të destabilizonte Ballkanin, duke rritur ndikimin rus. Ishte i fundit në një seri qëndrimesh të ngjashme prej burri shteti, që Berisha kishte mbajtur gjatë karrierës së tij të gjatë, duke përfshirë punën e tij të palodhshme për futjen e Shqipërisë në NATO dhe fillimin e procesit për anëtarësimin në BE. Duke përfshirë këtu gjithashtu politikat e tij të vazhdueshme pro-amerikane dhe pro-perëndimore, largpamësinë për zvogëlimin e varësisë energjetike nga Rusia duke lobuar dhe ndërtuar TAP-in dhe shumë nisma të tjera, për të cilat ai nuk po merr kreditet e duhura.

Berisha, zërat konservatorë nga partia e tij dhe qeveria e Kosovës mbetën vetëm për shumë vite, në kundërshtim të një plani të rrezikshëm që do ta kishte parë Rusinë të uzurponte dalëngadalë rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Në fund të fundit, u vërtetua se kishin të drejtë. E djathta pro-perëndimore shqiptare ka një trashëgimi të të qenit në anën e duhur të historisë gjatë dekadave të fundit. Edhe përballë braktisjes së pashpjegueshme nga aleatët e saj, ajo ka qëndruar gjithmonë me dinjitet dhe e ka mbajtur kokën lart. E ka bërë këtë edhe kur pas dekadash persekutimi të së djathtës, komunistët gjetën strehim në Perëndim, pas rënies së murit të Berlinit.
Rajonit i mungojnë liderët e staturës së Berishës, të cilët mund të sjellin stabilitet afatgjatë dhe që kanë kapacitetin për të mbajtur qëndrim në momente delikate. Liderët “labortorikë” nuk mund të zëvendësojnë kurrë ata realë, rëndësia, përvoja dhe aftësitë vendimmarrëse të të cilëve bëhen parësore, veçanërisht në rajonet e brishta. Një nga gabimet që Perëndimi bën shpesh është mbështetja e individëve ose grupeve të gabuara, dhe kjo ka pasoja për të cilat të gjithë palët e interesuara pendohen më pas. Ndihma dhe mbështetja e komunistëve në Shqipëri gjatë dhe pas komunizmit, në vend të të persekutuarve nga regjimi gjakatar dhe që shpresonin në shpëtimin e Amerikës, ka qenë një gabim i tillë.

Perëndimi, veçanërisht gjatë viteve të Obamës, mbështeti të ashtuquajturin stabilizim - që do të thotë krijimin e regjimeve gjysmë-autoritare në Ballkanin Perëndimor që do të ruanin status quo-në dhe do të parandalonin këto vende nga përshkallëzimi i konflikteve me njëri-tjetrin, në kurriz të demokracisë. Nga ana tjetër, ndikimi rus në vende të tilla si Serbia është i rëndësishëm, dhe Shqipëria dhe Kosova i kanë varur shpresat te Shtetet e Bashkuara si ndërmjetës dhe ndikim i drejtë dhe i ndershëm në rajon.
Megjithatë, Perëndimi duhet të dijë se sakrifikimi i demokracisë për stabilitet do të çojë përfundimisht në destabilitet dhe konflikt. Historia nuk tregon alternativë tjetër. Shumë njerëz në rajon mendojnë se burokracia perëndimore ndërhyn në çështjet e brendshme, duke imponuar zgjidhje që ata besojnë se janë të duhurat, duke tjetërsuar në këtë proces njerëzit vendas – veçanërisht ata më pro-evropianë dhe pro-amerikanë. Sulmimi i liderëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, veçanërisht atyre që e kanë dëshmuar veten si aleatë të mëdhenj, dhe kërkimi i largimit të tyre përmes proceseve jodemokratike, mund të rezultojë bumerang. Besimi te lidershipi amerikan po zvogëlohet edhe te më pro-amerikanët, dhe kjo është diçka që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta rregullojnë.

Ndërkohë evropianët, me gjithë retorikën e tyre për demokracinë dhe sundimin e ligjit, janë të lumtur të qëndrojnë mënjanë dhe të shohin teksa një rajon i tërë bie në autoritarizëm. Fatmirësisht, konservatorët shqiptarë të qendrës së djathtë mund të përballen me sfidat e kohës sonë dhe të provojnë të jenë një forcë pozitive në rajon, nëse u jepet rasti, duke u mbështetur në trashëgiminë e gjeneratave të mëparshme të së djathtës dhe duke u mbështetur nga përvoja e liderëve si Berisha.
Rajoni do të ishte më keq nën ndikimet ruse dhe kineze – nuk mund të ketë asnjë dyshim për këtë. Megjithatë, është gjithashtu e qartë se veprimet amerikane janë ato që po çojnë në një zbehje të ndikimit amerikan. Duket e pakuptimtë, por fatkeqësisht e vërtetë. Është një vazhdimësi e një politike të jashtme kaotike që braktis aleatët dhe inkurajon armiqtë. Duket se kërcënimi kryesor për Pax Americana është vetë burokracia amerikane.  

Luhatjet e politikës së jashtme, mungesa e një strategjie kohezive afatgjatë dhe braktisja e aleatëve duhet të marrin fund para së gjithash në interes të Shteteve të Bashkuara, dhe sigurisht edhe në dobi të vendeve pro-amerikane si Shqipëria dhe Kosova, që vazhdojnë të vuajnë, krejt padrejtësisht.
Në Shtetet e Bashkuara nevojitet një udhëheqje e fortë politike për të parandaluar dorën e papërgjegjshme burokratike që të vendosë politikat dhe të zbatojë vullnetin e tyre. Vetëm një politikë e jashtme kohezive, realiste, e shoqëruar me sensin e shëndoshë, politikat fusioniste reganiste brenda vendit, mund të rivendosë lidershipin amerikan në skenën botërore dhe të parandalojë një shekull kinez.

*Nikola Kedhi është ekspert ekonomie dhe komentator gjeopolitik, bashkautor i Kushtetutës së Vlerave të Qendrës së Djathtë në Shqipëri dhe bashkëpunëtor i disa mediave në SHBA, MB dhe Evropë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco