Berisha: Do hetohesh Edi Rama për McGonigal, Ekoparkun, inceneratorët e dhjetëra akte korruptive

10:12, 25/11/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një takimi me drejtuesit politikë të partisë në qarqe ka folur në lidhje me aksionin e opozitës. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, kushtetuta nuk mund të bllokohet kurrë. Sipas kryetarit të PD-së, ‘opozita shqiptare është e vendosur ta mbrojë me çdo çmim’.

FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PD

Edi Rama, siç e patë ju, një orë pas konferencës së shtypit që u mbajt në këtë seli, doli gjysmë i shpërfytyruar ku u rrek të bëjë dorën e fortë.

Dëshmoi se ai ka vetëm një objektiv, vetëm një etje të pashuar, të mbajë të gjitha pushtetet në duart e tij.

Dëshmoi se ai është në këtë vend kryeministri, sipas mendjes së tij, presidenti, kryetari i një partie që nuk voton prej 10 vitesh por që është shndërruar në një parti krimi dhe mafie.

Dëshmoi se është Gjykatë Kushtetuese dhe që përcakton ai, vendimet e saj, SKAP-i, gjykatat e tjera.

Në fakt të gjitha këto, ishin shprehje e anktheve të tmerrshme që ka.

U rrek i tronditur thellë, të mbrohet përsëri nga komisionet hetimore parlamentare, të cilat duhet ta pranojmë, kanë në epiqendër veprimtarinë e tij kriminale, mafioze, korruptive.

Komisionet hetimore parlamentare, si e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese e një të katërtës të deputetëve të parlamentit, nuk mundet kurrë as t’i injorojë, as t’i bllokojë, asnjë njeri pa marrë përsipër shembjen e rendit kushtetues të vendit.

Një përpjekje e tillë është në një farë mënyre, një grusht shteti brenda shtetit. Është përpjekja e një njeriu që do të marrë çdo pushtet, përfshi pushtetin që Kushtetuta i njeh opozitës.

Edi Rama trilloi, mashtroi në mënyrë të paskrupullt se Gjykata Kushtetuese i ka ndaluar apo i ka bllokuar komisionet hetimore parlamentare. I bëj të ditur Edi Ramës dhe cilitdo, parlamenti, qeveria, presidenti mund të bllokohet, por Kushtetuta nuk mund të bllokohet kurrë.

Kushtetuta zbatohet dhe mbrohet me çdo çmim. Dhe opozita shqiptare është e vendosur të mbrojë Kushtetutën me çdo çmim.

Ndaj dhe mos luaj me të drejtat, me veton që Kushtetuta i ka njohur pakicës në parlament, pakicës prej një të katërtës së deputetëve.

Populli opozitar është i gatshëm ta mbrojë këtë të drejtë me të gjitha mjetet legjitime. Kur bie fjala te mbrojtja e Kushtetutës, mjetet janë një spektër i madh gjer një fitoren e kushtetutshmërisë si shtyllë nga më kryesoret e sistemit demokratik.

Ndaj dhe kjo është përgjigjja.

Do hetohesh Edi Rama, sepse si bashkëpunëtor i McGonigal, je fajtor në të gjithë akuzat që McGonigal ka pranuar.

Ke vepruar me të me një grup të strukturuar kriminal. Ndaj dhe u more një orë e gjysmë në pyetje nga FBI sapo shkele në tokën amerikane. Dhe u more edhe kur dole. Dhe qëndrove aty brenda një perimetri të caktuar.

Do hetohesh sepse përdore grupin e strukturuar kriminal për të manipuluar dosjet e opozitës.

Do hetohesh sepse e përdore grupin e strukturuar kriminal për të vendosur sistem gjobash në Shqipëri dhe në Kosovë, një nga historitë më të turpshme të shekullit.

Do hetohesh për ligjin e konfliktit të interesit, sepse me familjen tënde je abuzues kryesor dhe këto abuzime do të marrin fund.

U betove që nuk ka njeri nga familja jote që nuk ka marrë fonde publike, mashtrove publikisht. Të gjitha dokumentet faktojnë se një seri tenderash, po të rikujtoj këtu Muzeun Kombëtar, Ekoparkun e Porto Romanos dhe dhjetëra të tjerë. Kompanitë e huaja që kanë bashkëpunim me thjeshtrën, me vajzën e shtëpisë tënde, janë fituese dhe po shkatërrojnë plotësisht tregun në Shqipëri.

Do hetohen sepse prania e Linda Ramës në bordin e Abi Bank kërkon hetim.

Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është mbi Kushtetutën.

Kur në parlament u ngrit ky problem, reagove i sfazuar.

Do hetohesh pa diskutim për aferat e tmerrshme korruptive.

Sot more në mbrojtje, i the botuesi, do thosha një nga hajdutët më të specializuar, Karlo Bolinon, me të cilin ke ndarë pasuri publike, me të cilin ke rrëmbyer 4900 metër katrorë tokë, me planin e rregullimit të territorit, të përcaktuar për gjimnaz.

Sot paraqita para shqiptarëve tre vendimet, me firmë të Edi Rramës, vendime qeverie me firmë, të personalizuara për kompaninë e tij me Bolinon.

Nesër do paraqes dokumente të tjera se si është përdorur firma jote për këtë aferë kriminale korruptive.

Do hetohesh dhe nuk e fshehim këtë, sikundër jemi të hapur për çdo hetim vetë. Nuk ka këtu një qëllim si të tillë. Jo. Urdhëro, ish-kryeministër, je kryeministër, të hetohemi në çdo gjë.

Deputetët e tu në këtë komision të hetimit të konfliktit të interesit, le të përzgjedhin cilido, nga Sali Berisha dhe pushtetarët e tjerë. Por ky hetim do bëhet. Se po vazhdohet në mënyrën kriminale duke plaçkitur pasuritë e shqiptarëve.

 

Janë të shumta të dhënat që komprometojnë rëndë vëllain tënd, Olsi Ramën, ortakun e famëziut Amant Josifi.

Shkoni sot në burgjet e Tiranës. Aty gjeni me dhjetëra të rinj që nuk kanë pasur kurrë lidhje me callcenterat e Amant Josifit, dhe janë arrestuar për piramidën e tmerrshme që krijoi të vjedhjes së 2.2 miliard eurove nga qytetarët europianë. Kurse callcenterat e Josifit janë të paprekura.

Nuk ka gjë që të mbron nga ky hetim. Kushtetuta do prevalojë. Shndërrojë në çfarë të duash ti, SKAP-in e partisë, mbroju sa të duash me gjykatës të tipit Gjoka, që u thotë shqiptarëve se nuk jam Irena e mbiemrit të vajzërisë, por jam e mbiemrit të nusërisë. Në fakt mban dy mbiemra.

Ndaj dhe fjala që mbajte sot, tregoi në radhë të parë frikën, tmerrin që ke nga aksioni opozitar.

Por nga ana tjetër, ishte një ftesë për popullin opozitar, të vazhdojë me këmbëngulje betejën për rivendosjen e kushtetutshmërisë.

Do hetohesh se u ke marrë shqiptarëve të paktën 6 milionë metër katrorë me klanet e drogës dhe ato që ke favorizuar ti me ato investimet strategjike. Vetëm Pëllumb Gjokës i ke dhënë mbi 400 mijë metër.

Ika koha kur ti kontrolloje opozitën. Tani opozita, në përputhje me Kushtetutën, do të kontrollojë ty dhe cilido tjetër me atë autoritet që i jep Kushtetuta.

Ndaj dhe dil po deshe pastrohesh dhe mbaj një orë konferencë shtypi. Përgatitu se çdo ditë do më kesh duke të bërë gjyqin për vjedhjet, për lidhjet me krimin, për korrupsionin masiv dhe e vërteta është se ne nga parlamenti nuk ikim, por ne në parlament do të bëjmë gjyqin ty.

Sikundër ky gjyq do bëhet në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco