Denoncimi me dokumente: Rama i fali Bolinos tokën e destinuar për shkollë

Denoncimi me dokumente: Rama i fali Bolinos tokën e destinuar për shkollë

09:33, 25/11/2023
A+ Aa A-

Sali Berisha denoncoi se kryeministri Edi Rama, me anë të disa vendimeve qeverie, i ka falur botuesit Karlo Bolino përmes qirasë simbolike një sipërfaqeje toke e destinuar për shkollë te rruga "Ndre Mjeda”, ku më pas u ngritën redaksitë e mediave të tij.

Në konferencën për mediat nga selia blu këtë të premte, kryetari i PD-së paraqiti dokumente për të mbështetur denoncimin. Ai e cilësoi procedurën “vjedhje” dhe “krimi shtetëror” dhe shtoi se “SKAP-i i mercenarëve të tij, qëndron mburojë”.

Kreu i PD u shpreh se janë marrë tre vendime në një hark kohor prej shtatë muajsh, ”me të cilën ka ndodhur një nga vjedhjet më spektakolare, më kriminale, me firmë të Edi Ramës, të tokës truall të dhuruar për gjimnaz, në mes të Tiranës”. Me këto vendime, theksoi ai, u vodhën 4900 metër katrorë tokë.

Qëllimi fundor, deklaroi Berisha, ishte që duke shfrytëzuar ligjin, Bolino të bëhet më pas pronar i tokës që e cilën “të grabitur” me vendim qeverie.

Toka e destinuar për shkollë

Berisha tha se sipas planit rregullues të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013, sipërfaqja e tokës prej 4900 metër katrorë ishte e përcaktuar për t'u ndërtuar një gjimnaz, për shkak të mungesës në këtë zonë. Toka, shtoi Berisha, i ishte falur shtetit nga pronarët për këtë qëllim.

“Ky është plani rregullues i Tiranës. Familjet fisnike të qytetit, kanë dhuruar një territor prej rreth 5 mijë metër katrorë, në mënyrë që komuniteti i kësaj zone të ketë gjimnazin e vet, për arsye se një zonë me 60 mijë banorë, nuk kishte një të tillë”, tha ai.

Vendimet e qeverisë

Më tej, solli sipas kronologjisë vendimet e Këshillit të Ministrave, për të cilat tha se i shërbejnë qëllimit final të faljes së tokës te Bolino nga Rama.

“Me VKM me numër 644, datë 2.10.2019, Edi Rama i dhuron vetes dhe Bolinos së tij 4020 metër katrorë tokë dhe mbi 1600 metër katrorë ndërtesë për 1 euro, për 20 vjet. E caktuar për shkollë, merret për pallat privat media”, tha Berisha.

“Me VKM-në e dytë, numër 157, datë 19.2.2020, katër muaj më vonë, pasi oreksi i Ramës dhe Karlos së tij vijnë duke ngrënë, vendosin të grabisin edhe një sipërfaqe shtesë prej 870 metër katrorë tokë, po me 1 euro. Dhe Edi Rama me firmën e tij amendon, shton në kontratë edhe 860 metër katrorë tokë”, shtoi ai.

“Por tre muaj më vonë, përsëri Edi Rama përdor firmën në mënyrën më abuzive, më korruptive, dhe me vendimin e tretë të Këshillit të Ministrave të datës 6.5.2020, Edi Rama mbledh qeverinë për të prishur tre ndërtesat që ia kishte dhënë me qira vetes dhe Bolinos së tij. Pra, fillimisht u dhanë me 1 euro, tani duhej të prisheshin. Nuk shpenzonin asnjë qindarkë, duhej t’ua prishte shteti. Kjo bëhet që të pastrohet toka, por edhe për më shumë. Kjo bëhet që investimet Rama-Bolino të tejkalojnë në vlerë, vlerën e tokës dhe të bëhen de facto në vitet në vazhdim, pronë e tyre. Të bëhet pronë e tyre edhe toka”, deklaroi kreu i PD.

“SPAK, mburojë e aferës”

Akuza hodhi ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke dënuar mosveprimet për këtë rast. SPAK, sipas tij, vepron “me porosi”.

“Kjo tokë, e thashë, ishte e destinuar në planin rregullator të vitit 2013, për gjimnaz. Banorët e zonës bënë protesta, kur panë se toka e dhuruar për gjimnaz, po grabitej nga Rama dhe Bolino. Por natyrisht mburojë e këtij krimi, qëndronte SKAP-i i partisë, pasi ai vepron, aktivizohet vetëm me porosi”, tha Berisha.

Më tej gjatë deklaratës së tij, kryedemokrati shtroi disa pyetje.

“Ndaj dhe sot, unë ftoj qytetarët të shtrojnë disa pyetje për këtë aferë të shëmtuar korruptive. Pse u zhduk shkolla e mesme nga plani rregullues i bashkisë së vitit 2013, që do ndërtohej mbi truall të falur nga familjet fisnike të Tiranës? Edi Rama nuk ka tagër të ndryshojë asgjë me vendim qeverie në planin rregullues të qytetit të Tiranës. Pse nuk u lidh kontrata e qirasë me Bashkinë e Tiranës, pasi prona ishte e bashkisë dhe pronarët e kishin dhuruar për ndërtimin e gjimnazit? Kjo së pari se Këshilli Bashkiak, pavarësisht nga urdhri që merrte nga Edi Rama, do e kishte të pamundur të shumëzonte me zero, të hiqte një shkollë për të ndërtuar pallatin e medias të Ramës dhe Bolinos. Pra, u krye një krim, u shkel një ligj vetëm e vetëm pse Këshilli Bashkiak nuk mund të miratonte një vendim të tillë.

Pse të mos nxirrej, nëse konkludohej se kjo shkollë nuk duhej, ligji ishte se kjo tokë që me çmim reference kushton 1 milion e 250 mijë euro, pse të mos nxirrej nga bashkia në ankand? Për të ndërtuar qoftë dhe ndërtesa sociale për banorët. Por do ndërtohej pallati Rama-Bolino me tre firma të Edi Ramës. Pse nxori Rama, VKM të veçantë, VKM-në e tretë, për të prishur objektet që sapo i kishte marrë me Bolinon e tij? Qëllimi është i qartë, që të mos shpenzohej një qindarkë për prishjen e tyre.

Së dyti, në mënyrë që investimi të tejkalonte vlerën e tokës dhe këta të bëheshin pronarë të përjetshëm të tokës së vjedhur.

Së fundmi, në rast se i ndryshoi destinacioni, pse nuk e bleu me çmimin e referencës, por e dha me 1 euro, për të ngritur median e tyre në funksion të pushtetit të tyre, duke i privuar arkës së shtetit, vetëm me çmimin e referencës 1 milion e 250 mijë euro me tre vendimet e tij antiligjore, me të cilën ka përvetësuar këtë pronë”, u shpreh Berisha.

“Ky është një akt unik, por Edi Rama ka me dhjetëra e dhjetëra vendime me të cilat ka vjedhur, ka rrëmbyer me sojin e tij prona, objekte, të cilat ne në mënyrë të vazhdueshme do i paraqesim para jush”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco