Edhe kryetari i Partisë së Lirisë dënoi deklaratat e kryeministrit Rama i cili i kërkoi KFOR-it të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Sipas Metës këto qëndrime janë të njëjta me ato të presidentit Serb Aleksandër Vuçiç, dhe i shërbejnë projekti serb për ndarjen e Kosovës. Ish presidenti i bëri thirrje Edi Ramës të heq dorë nga ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës.
SYRI TV
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta dënoi ashpër qëndrimet e kryeministrit Rama i cili i kërkoi KFOR-it të marrë në kontroll Veriun e Kosovës dhe parelizmat që i bëri situatës me Dobabasin. Në një regim në Facebook, Meta deklaroi se Rama po përsërit deklaratat e Vuçiçit, të cilat sipas tij nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shërbejnë planit të ndarjes së Kosovës. Ai i bëri thirrje kreut të qeverisë shqiptare të mos ndërhyjë më në punët e brendshme të Kosovës.
‘Kërkesa e Ramës për vendosjen e Veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it është thjesht përsëritje e mesazheve dhe tezave të Vuçiçit, për ta konsideruar Veriun e Kosovës një konflikt të ngrirë, duke i bërë shërbim projektit Serb të ndarjes së Kosovës, ndërkohë që Republika e Kosovës është sot një shtet i pavarur, demokratik, multietnik, i njohur në arenën ndërkombëtare. Kryeministri i Shqipërisë duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga ndërhyrja në punët e brendshme të Kosovës.Detyra e tij kushtetuese dhe përgjegjësia e tij është që të dënonte rreptë agresorët dhe provokuesit serbë dhe t'i kërkonte Serbisë njohjen e Kosovës, si dhe nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit’, shkruan Meta.
Sipas ish presidentit, Gjendja shumë e rënduar në Veriun e Kosovës është administruar me profesionalizmin më të lartë nga policia dhe institucionet e shtetit të Kosovës. Ai shkruan me tej se mbështet plotësisht autoritetet kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat po ushtrojnë të drejtat e tyre në ruajtje të rendit publik, territorit dhe sovranitetit të vendit.
© SYRI.net