SYRI TV/ Nuk ka shlyer 60 mln lekë detyrime, Tatimet bllokojnë 'Albtek'-un e Stela Gugalljas

13:24, 28/09/2023
A+ Aa A-

Pas sekuestros nga SPAK, tatimet urdhërojnë bllokimin e kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, “Albtek Energy”. Kjo kompani në pronësi të të kërkuarës nga drejtësia për korrupsion dhe pastrim parash, Stela Gugallja, ka abuzuar me taksat, duke mos shlyer detyrimet fiskale në vlerën 60 mln lekësh.

Nga SYRI TV

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër kompanive koncesionare të inceneratorëve kanë nxitur edhe administratën tatimore që të veprojë ndaj tyre.

Pak javë më parë, Zyra e Mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ka urdhëruar Qendrën Kombëtare të Biznesit për të bllokuar çdo tjetërsim të mundshëm të aksioneve të shoqërisë “Albtek Energy”.

Kompania që fitoi kontratën koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit rezulton se ka të papaguara mbi 60 milionë lekë të vjetra taksa dhe detyrime të tjera fiskale.

Shoqëria është prej gati dy vitesh nën sekuestro preventive nga Prokuroria e Posaçme, ndërkohë që pronarja e saj, Stela Gugallja është në kërkim, e akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash.

Bashkë me të janë të akuzuar edhe bashkëjetuesi, Mirel Mërtiri, si edhe biznesmeni tjetër, Klodian Zoto.

“Albtek Energy” fitoi në dhjetor të vitit 2014 kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit, me kosto rreth 20 milionë euro.

Koncesioni zgjati 7 vjet dhe gjatë të gjithë kësaj kohe, kompania punoi e pashqetësuar nga autoritetet shtetërore, megjithëse opozita kishte ngritur shpesh akuza për abuzime të rënda financiare.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për këtë procedurë koncesionare, vetëm pas kallëzimeve të shoqërisë civile dhe opozitës, në vitin 2020. Hetimet u mbyllën në vitin 2023 dhe prokurorët konstatuan shkelje të shumta e të rënda në procedurën për dhënien e koncesionit, si edhe në zbatimin e saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco