Kryeministri Edi Rama, një ditë pasi shpërndau në mediat e tij një qëndrim, ku thuhej se Shqipëria po dilte kundër BE-së për situatën në Kosovë, doli në një konferencë për shtyp sot pikërisht për këtë çështje.
Por edhe pse u duk se foli kundër Serbisë, Rama sërish nuk mori përsipër të denoncojë mikun e tij, Aleksandër Vuçiç.
Duke folur me tone nacionaliste për shqiponjën me dy krena, Rama tha se veriu i Kosovës rrezikon të kthehet në një Donbas. Duke folur për gjakderdhje e për luftë, Rama përsëriti kërkesën që KFOR të marrë nën kontroll veriun e Kosovës.
Kjo kërkesë ishte bërë para dy ditësh edhe nga presidenti serb, Vuçiç.
“Kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike, e kam thënë dhe kërkuar disa herë publikisht se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në planin e një konference. Ndërsa përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog duhej ngritur edhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë si bashkëautore të këtij plani, sot besoj është e qartë që formati i Brukselit, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re. Kjo besoj minimalisht është e qartë.
Nga ana tjetër dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe mund të shkojnë shpejt. Ndaj jo vetëm niveli i përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur larg dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshjeve përgjithësisht të pazbatuara, vonesa në hedhjen e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur Për të parandaluar këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, edhe në Samitin e NATO-s”, u shpreh Rama.
“Udhëheqja e Kosovës i ka kusuret e veta në procesin e dialogut me Serbinë, por asnjë nga ato kusure nuk e relativizon dot peshën e jashtëzakonshme të këtyre zhvillimeve të rënda, të cilat nuk krahasohen me asgjë të keqe të ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 1999”, shtoi Rama.
© SYRI.net