Më 20 shtator 1940, lindi ish-kongresmeni amerikan me prejardhje arbëreshe, Joseph J. DioGuardi.
Shërbeu në radhët e Kongresit Amerikan në harkun e vjetëve 1984-1989. Në cilësinë e presidentit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civic League), DioGuardi vizitoi Shqipërinë së bashku me kongresmenin Tom Lantosh, më 30 maj të vitit 1990.
Drejtoria e Arkivave kujton se në takimin e mbajtur me kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, Lantosh-i hedh idenë e hapjes së një ambasade amerikane në Tiranë, që sikurse më gjerë në Ballkan, do të mundësëonte mbajtjen e një marrëdhënieje dypalëshe sa më harmonike.
Në bisedën me dyer të hapura të zhvilluar në selinë e Presidiumit, DioGuardi foli ndër të tjera për origjinën e tij shqiptare, traditat e ruajtura nga familja dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare.
“Babai im është nga katundi Greçi, ku si gjuhë të parë kanë shqipen. Kur lind një fëmijë në fshatin e babait tim, e ngrenë dhe e kthejnë me fytyre nga Shqipëria, ndonëse kanë kaluar 500 vjet. Unë kam në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku shkoi familja ime në 1929-n. Babai im nuk ishte në gjendje të përballonte kushtet ekonomike të atyre viteve. Amerika na dha rastin edhe familjes sime, edhe familjes së kongresmenit Lantosh që të vimë dhe sot këtu në përpjekje për të ndihmuar njerëzit tanë.”
Në vijim, DioGuardi do të kryente në Shqipëri funksione që lidheshin me kontekstin politik të viteve ’90. Në qershor të 1997-s, kryesoi një delegacion për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri, ndërsa në vitit e mëpasshëm, në gusht 1998, udhëtoi drejt viseve veriore të Shqipërisë për të vlerësuar krizën humanitare të shkaktuar nga lufta në Kosovë.
© SYRI.net