SYRI TV/ Si iu 'falën’ 15 miliardë lekë në vit Ilir Rrapajt/ Shërbimi mund të kryhej nga Reparti i Sterilizimit

12:54, 28/08/2023
A+ Aa A-

Reparti Qendror i Sterilizimit, i ndërtuar në vitin 2011, kishte kapacitet të ofronte shërbim për të njëjtin numër operacionesh siç ka kryer koncesionari i Rrapajt. Në 2014, ish-ministri Beqaj ishte informuar se reparti kishte kapacitet për ripërshtatjen e seteve për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale, shifër e ngjashme me atë që ofroi në vitin 2021 koncesionari. Por edhe pse strukturat spitalore publike kishte kapacitet, Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë në atë kohë, zgjodhi që t’i paguante privatit 100 milionë euro, duke i falur çdo vit nga 15 miliardë lekë të vjetra

SYRI TV

Në vitin 2021, strukturat spitalore publike paguan rreth 15 miliardë lekë të vjetra për shërbimin privat të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, sipas një auditi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Fatura financiare i takon rreth 60 mijë ndërhyrjeve kirurgjikale. Ky numër operacionesh mund të përballohej lehtësisht me sete kirurgjikale nga Reparti Qendror i Sterilizimit shtetëror, i cili u ndërtua në vitin 2011.

Por, ky repart nuk u vendos asnjëherë në punë nga strukturat publike. Ai iu dorëzua pa asnjë pagesë koncesionarit “Sani Service”, e cila arkëtoi dhe vijon të arkëtojë miliarda lekë nga fondet publike, bazuar në kontratën e dyshimtë të nënshkruar në vitin 2016 me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Vlera e shërbimit për vitin 2021 paraqitet në shumën 1,550,245.000 lekë, ndërkohë që numri i ndërhyrjeve sipas tre kompleksiteteve nuk ka kaluar projeksionin prej 63,000 ndërhyrjesh”, thuhet në raportin e KLSH-së.

Një numër i ngjashëm ndërhyrjesh kirurgjikale citohet edhe në një shkresë të datës 25 qershor 2014, të cilën ish-zv/ministri Klodian Rjepaj ia drejton shefit të tij, Ilir Beqaj.

“Reparti Qendror i Sterilizimit ka kapacitet për ripërshtatjen e seteve për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale”, shkruan ish-numri dy i Shëndetësisë, në atë shkresë, e cila është administruar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, në kuadër të hetimit që po zhvillon për kontratën koncesionare.

Pra, duket qartë që reparti publik ishte i aftë të kryente më së miri shërbimin e sterilizimit. Por, për drejtuesit e asaj kohe të Ministrisë së Shëndetësisë u pa më e arsyeshme që, për të njëjtin shërbim, të nënshkruanin kontratën me kosto koncesionare 100 milionë euro me kompaninë private “Sani Service”.

Për këtë kontratë, aktualisht janë marrë nën përgjegjësi penale 7 ish-zyrtarë shëndetësorë dhe aksioneri kryesor i koncesionarit, Ilir Rrapaj.

Gjykata e Posaçme kërkoi nga prokurorët specialë që të thellojnë hetimet edhe mbi rolin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco