Si po e pastrojnë mediat pranë qeverisë atë që bëri Safet Gjici

19:10, 17/06/2023
A+ Aa A-

Pasi u shpërnda me shpejtësi marramendëse, video e Safet Gjicit shkaktoi reagime pa fund në rrjetet sociale.

Disa u neveritën nga pamjet, të tjerë u revoltuan për atë që ndodh në zyrat e shtetit. Pati nga ata që ndjenë keqardhje për traumën familjare që pason raste të tilla, e ca të tjerë u intriguan nga pamjet e denja për një film me pullë të kuqe.

Vetëm ata, mediat pranë qeverisë u angazhuan në mision; të pastrojnë atë ç’ka lëshoi kryebashkiaku mbi tryezën e punës.

Në fakt, vetë Safet Gjici foli për një kurth që i ishte ngritur nga kundërshtarët politikë.

“Unë rash pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje” shkruajti Gjici, duke pranuar se me vajzën ishte në një marrëdhënie intime.

Por fill pas dorëheqjes nisën të qarkullojnë teoritë konspirative për prapaskenat e ngjarjes. Skandalin po e përshkruajnë si një komplot, ku përfshihen 1) opozita, 2) bandat kriminale dhe 3) shërbimet sekrete. Fokusi përqëndrohet tek vajza që shihet në video. Raportimet e përshkruajnë atë herë si një Mata Hari shqiptare, e herës si një femër të përdorur nga krimi, në kufijtë e çmendurisë.

Një pjesë shkruan se në të shkuarën vajza ka marrë pjesë në një investigim të rrezikshëm gazetaresk në Top Channel, por ishte prezantuar më parë si agjente e Shërbimit Informativ Shtetëror. Një teori tjetër që qarkullon është se ajo përdoret nga grupe kriminale për gjoba dhe shantazhe ndaj politikanëve dhe biznesmenëve. Komploti vuloset me fotot e takimit me Sali Berishën dhe keqpërdorimit për arsye politike, si e infiltruar e opozitës.

Të gjitha këto teori, kanë një të përbashkët. Ato synojnë të krijojnë perceptimin se Safet Gjici ishte viktimë. Në vend se të shihet si kryebashkiaku që përdhos zyrën e bashkisë, kur lexon këto shkrime ai duket si një njeri që ra pre e grupimit banda-opozita-agjentura.

Të njëjtin qëndrim, socialistët e mbajtën edhe në rastin e Shukri Xhelilit, kryebashkiaku që u filmua në një video-skandal në Dibër. Edhe pse, në rrethana shumë më rënduese se Gjici, pasi Shukri Xhelili premtoi nj] vend pune në këmbim të seksit, socialistët atëherë folën për një skenar të përgatitur kundër tij.

Mesazhi është i qartë. Qytetarët nuk duhen lënë të reflektojnë se në ç’derexhe kanë degraduar të zgjedhurit e tyre pas një dekade në pushtet, por duhen shpërqëndruar me teori konspirative.

Prokurorët e SPAK kanë nisur hetimin për çështjen në fjalë. Nuk dihet se çfarë do të zbulohet për prapaskenat e videos. E sigurtë është ajo që vetë Gjici shkruajti në tekstin e dorëheqjes, kur pranoi se nuk kishte asnjë justifikim dhe se besimi i qytetarëve që e kishin votuar, ishte tradhtuar./ Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco