Gazetari i RTV21: Ende asnjë reagim nga ndërkombëtarët për zhvillimet e fundit në Kosovë

16:58, 14/06/2023
A+ Aa A-

Asnjë reagim nga ndërkombëtarët nuk ka ardhur deri në orën 16:00 të së mërkurës lidhur me tensionimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Kosovë- Serbi gjatë ditës, tension që u përkeqësua sot me rrëmbimin e 3 zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga serbët dhe mori si kundërpërgjigje nga Kosova, ndalimin e të gjitha mallrave serbe në territorin e saj.

Lajmin e dha z. Venhar Isufi, gazetar i RTV21 në Prishtinë, i pyetur në SYRI TV nga moderatori Arnold Kariqi për zhvillimet e fundit.

Isufi po ashtu njoftoi se në orën 17:00 pritej një konferencë shtypi e jashtëzakonshme nga Policia e Kosovës.

“Lajmi i fundit është që qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të gjithë mallrat, që vijnë nga Serbia për në territorin e Kosovës, të ndalohen, - tha ai. - Vendimi ka ardhur pas asaj që ka ndodhur gjatë ditës dhe vlen të theksohet se në orën 17:00, Policia e Kosovës do të ketë edhe një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku do të flitet rreth situatës së sotshme.

Unë si gazetar që e mbuloj situatën në veri të Kosovës prej shumë vitesh, mendoj se kjo është një hakmarrje e Serbisë ndaj Kosovës pas zhvillimeve të fundit në veri, kur e dimë se është arrestuar një kriminel i përmasave të jashtëzakonshme , i cili ka bërë presion të madh, ka rrahur qytetarë, ka sulmuar  institucionet e Kosovës dhe ka bërë vepra të ndryshme penale, të cilat janë konfirmuar edhe nga prokurori i rastit, Afrim Çekiu. Mendoj se këto veprime të sotme nga ana e Serbisë janë bërë vetëm për kundërpërgjigje dhe as për një mendim tjetër, për të reflektuar.

SYRI TV, Kariqi: Z. Isufi, a ka pasur reagim nga faktori ndërkombëtar në lidhje me këtë ngjarje?

Venhar Isufi: Jo, ende nuk kemi ndonjë reagim nga faktori ndërkombëtar, ndoshta mund të kemi më pas. Por ne si gazetarë sot gjatë ditës nuk kemi vërejtur ndonjë reagim nga faktori ndërkombëtar./ar.sh/SYRI.NET  

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco