Kraki: Kryedespot! Më i rrezikshëm është Rama për shqiptarët, se Vuçiçi për serbët në Ballkan!

Kraki: Kryedespot! Më i rrezikshëm është Rama për shqiptarët, se Vuçiçi për serbët në Ballkan!

20:18, 09/06/2023
A+ Aa A-

Pedagogu Nezir Kraki, lektor i Shkencave Politike në Université Paris Est është shprehur në mënyrën më të ashpër ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në krahasim me analistët e tjerë që e kanë kritikuar për ndërhyrjen e tij në marrëdhëniet Kosovë-Serbi duke e anashkaluar qëllimisht qeverinë dhe kryeministrin e saj Albin Kurti.

Ai reagoi edhe për postimin që Rama bëri pasditen e së premtes në Twitter,  ku shprehej se lufta në Kosovë ka mbaruar që në 1999 dhe armiku është mundur.

Image

“Rama pozicionohet si të ishte meksikan, - gjykoi Nezir Kraki. -  Një meksikan apo një politikan i Azisë jugore do ta shihte kështu Kosovën dhe Serbinë: “Ka ndodhur lufta para 20 e ca viteve, tash ku është armiku?! Armiku ka shkuar, ishte Milosheviçi"!!! Me këtë lexim në fakt, - nënvizoi Kraki, -  Edi Rama i bën dëm Kosovës...”

Më tej, duke analizuar sjelljen e Ramës ndër vite ndaj Kosovës, Nezir Kraki shprehu bindjen e tij të plotë dhe argumentoi mendimin e tij se më i rrezikshëm është Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët, sesa Vuçiçi për Serbinë dhe serbët në Ballkan.

Armela Ferko: Z. Kraki, si e keni parë lajmin e draft-statutit të Asociacionit nga kryeministri Edi Rama?

Nezir Kraki: Kjo është as më shumë e as më pak sesa një tradhti e re e kësaj qeverie në Tiranë, e cila ka vite, nuk është hera e parë, që në fakt ia ka hapur Kosovës një fron të ri mbrojtjeje.

Mundësia e ripushtimit të Kosovës ka qenë nga veriu dhe nga lindja, sepse Serbia gjendet atje; tash, unë e thashë edhe në një shkrim që në rast lufte, Shqipëria, me këto rrethana që janë krijuar, me këtë miqësi vëllazore që është duke e konsoliduar Edi Rama me Vuçiçin, Shqipëria do të ishte “Bjellorusia” e Serbisë për të na pushtuar ne si Kosovë.

Edi Rama e ka shumë gabim në fakt. Edhe në momentin kur lobonte për ndarjen e Kosovës në këshillat e super-këshilltarit të tij, super-jugosllavit Baton Haxhiu, edhe tash është shumë-shumë gabim sepse në atë moment, Edi Rama nuk e ka dëshmuar që e njihte Kosovën, që kishte njohuri për Kosovën.

Në fakt ky nuk e di as ku gjenden ato komuna. Madje, dje në konferencë me gazetarët i referohej atyre komunave si komuna serbe. Nuk janë komuna serbe, se komunat serbe gjenden veç në Serbi. Janë komuna në të cilat shumica e banorëve janë të etnisë serbe, po komunat janë të Kosovës!

Nuk ka as njohurinë bazike ku gjendet Leposaviqi, as ku gjendet Mitrovica e Veriut, nuk ka qenë kurrë atje, nuk i ka interesuar kurrë Kosova, kurrë Prishtina, kurrë lufta e Kosovës, kurrë përpjekja jonë për liri dhe tash, normalisht që ky pozicionohet si të ishte meksikan.

Një meksikan apo një politikan i Azisë Jugore do ta shihte kështu Kosovën dhe Serbinë: “Ka ndodhur lufta para 20 e ca viteve, tash ku është armiku?! Armiku ka shkuar, ishte Milosheviçi”!!!

Me këtë lexim në fakt, Edi Rama i bën dëm Kosovës. Ka 5-6 vite që i bën shumë dëm Kosovës, që nga momenti kur ky konsideroi, para disa vitesh, që Serbia mund të bisedonte me Shqipërinë për Kosovën, duke e eklipsuar Kosovën edhe si shtet edhe si çështje, aty ka qenë fillimi i skandalit, një sjellje skandaloze e këtij kryedespoti, se për mua është despoti i fundit, madje është më i rrezikshëm. Më i rrezikshëm është ky për Shqipërinë dhe shqiptarët, sesa Vuçiçi për Serbinë dhe serbët në Ballkan!

Pse?! Sepse qasja e tij politike është në shpërputhje të plotë, flagrante, skandaloze, me qasjen që duhet të kenë shqiptarët si popull në shtete ku jetojnë sot në Ballkan.”/ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë të z.Kraki në SYRI TV


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco