Violeta Kongo: Të ktheja kohën pas, s’do ndryshoja gjë, shqetësimi im më i madh sot përmbysja e sistemit të vlerave

23:00, 06/06/2023
A+ Aa A-

Artistja Violeta Kongo ishte e ftuar në ‘’A Show’’ në Syri TV me Adi Krastën. Ja fjalët me të cilat i parapriu, hyrjes së znj. Kongo në studio, moderatori Adi Krasta:

"Në çdo kohë ka pasur njerëz të pasionuar. Në çdo kohë ka pasur njerëz të talentuar. Çdo kohë ka pasur njerëzit e vet të aftë, njerëzit e vet të famshëm. Ne nuk shkojmë rastësisht për t’i kërkuar ata në atë kohë. Nëpërmjet tyre ne mundohemi të lexojmë kohën. Ka pasur të talentuar edhe në komunizëm, ka pasur në kohën e Zogut, ka pasur gjatë gjithë kohe, edhe në kohën e pluralizmit e të kapitalizmit në Shqipëri e do të ketë gjithmonë. E gjithë drita, e gjithë fama, e gjithë lavdia do të jetë e momentit.  Ne duam të lexojmë pak të kaluarën për të kuptuar shpirtin e atëhershëm, qasjen e atëhershme, formatimin e talentit të atëhershëm. Për këtë shkak unë do të thërras një kolege të televizionit dhe të radios, e një gruaje të talentuar që sot ka gjetur një shpëtim të jashtëzakonshëm tek piktura dhe që është një piktore, një artiste e arteve pamore e jashtëzakonshme: Violeta Kongo!"

Znj. Kongo, e pyetur nga Krasta gjatë intervistës se çfarë ka ngelur nga vajza e dikurshme, tha se ndien keqardhje për disa momente që nuk mund të kthehen pas, por e bindur që në të njëjtat kushte, nëse koha do kthehej pas ajo do zgjidhte të ishte përsëri e njëjta.

‘’Keq të vjen se vitet ikin dhe bashkë me to dhe ca gjëra që ti nuk mund ti bësh më sepse janë të lidhura me fizikun, me mendjen me shumë gjëra dhe mundësit janë të kufizuara fillojnë limitet. Por di të them që po të kthehesha mbrapa me të njëjtat kushte me të njëjtët njerëz dhe me të njëjtin sistem, të njëjtën gjë do bëja, do isha vajze e mirë dhe e zgjuar, do mësoja shumë, do shkoja në radio në televizion, të gjitha do i bëja njësoj. Mund të bëja ndonjë gjë të vogël ndryshe por jam krenare për punën dhe jetën që kam bërë.

Por, si i shikon një grua e artit dhe të bukurës ndryshimet në Shqipëri?! Për Kongon shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë dhe një pjesë e tyre dhe për keq. Përmbysja e një lloj sistemi vlerash tek njeriu, ngelet për të, shqetësimi më i madh.

Ka shumë gjëra që kanë ndryshuar për mirë, ka dhe për keq. Ajo që është për keq është përmbysja e një lloj sistemi të vlerave dhe një lloj e marrjes së jetës në mënyrë të lehtë, pa punuar. Këto janë gjëra që më lodhin, më mërzisin, më shqetësojnë. Pastaj nëse me pyet për Radio apo Tv apo të folurin, se kjo është pika ime e dobët them: Pse nuk marrin një person që flet bukur dhe të gjitha tekstet pas kamerës t'i lexojë ai person?! Me pasaktësira dhe dialekte dhe për këtë më vjen shume keq! Gjuha shqipe po shkatërrohet dhe konstrukti gramatikor po prishet dhe këtu nuk është vetëm çështja e fjalëve të huaja, është çështja e konstruktit sintaksor të shqipes.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco