KLGJ anulon tenderin prej 3.4 milionë eurosh pas akuzave për korrupsion

KLGJ anulon tenderin prej 3.4 milionë eurosh pas akuzave për korrupsion

09:45, 06/06/2023
A+ Aa A-

Pas akuzave për korrupsion, Këshilli i Lartë Gjyqësor është detyruar të anulojë tenderin 3.4 milionë euro për “Blerjen e Pajisjeve të Sigurisë në Gjykata”. Vendimi për anulimin e tenderit është bërë publik nga Komisioni i Prokurimeve. Tenderi për pajisjet e sigurisë në gjykata u shpall nga KLGJ në datën 15 maj. Menjëherë pas publikimit të procedurës në APP, ajo u ankimua në Komisionin e Prokurimit Publik nga kompania Advanced Business Solutions, e cila akuzoi drejtpërdrejtë Këshillin e Lartë Gjyqësor për korrupsion dhe paracaktim të fituesit përmes vendosjes së kritereve absurde në tender.

Skandali i tenderit me fond limit 372 milionë lekë u publikua nga Oligarkia.al në datën 26 maj. Në të njëjtën ditë titullarja e KLGJ, Naureda Llagami ka vendosur anulimin e tij me argumentin se dokumentat e tenderit përmbajnë mangësi të rëndësishme.

“Referuar informacionit të autoritetit kontraktor rezulton se ky i fundit ka trajtuar ankesën e operatorit ekonomik ankimues “Advanced Business Solutions-ABS”, ku ka vendosur që të pranojë pjesërisht ankesën si dhe i ka propozuar titullarit të autoritetit kontraktor anulimin e kësaj procedure prokurimi, pasi dokumentat e tenderit përmbajnë mangësi të rëndësishme,” thuhet në vendimin e Komisionit të Prokurimeve Publike.

Në bazë të propozimit nga komisioni i tenderit, titullarja e KLGJ, Llagami ka urdhëruar anulimin e procedurës, e cila ishte parashikuar për t’u zhvilluar në 16 qershor.

Akuzat

Menjehërë pas shpalljes së tenderit, kompania Advanced Business Solutions akuzoi se kriteret e vendosura nga KLGJ në tenderin e majmë janë abuzive dhe shpjegohen vetëm me hipotezën e favorizimit të një operatori të caktuar.

“Ndërsa objekti i prokurimit janë kryesisht pajisje informatike dhe elektronike, KLGJ-ja kërkon vetëm 2 inxhinierë të fushës dhe plot 7 inxhinierë të fushave ndihmëse. Të bie në sy që kërkohen 2 inxhinierë mekanik dhe 2 inxhinierë mjedisi kur instalime mekanike nuk ka fare dhe kur vendimmarrje në lidhje me mjedisin nuk ka pothuajse fare,” thuhej në ankesën që kompania i ka dërguar Komisionit të Prokurimeve Publike.

Sipas ABS, ky nuk ishte kriteri i vetëm i dyshimtë që KLGJ ka vendosur në tenderin 3.4 milionë euro të parashikuara për t’u zhvilluar në 16 qershor. Në kriteret e kualifikimit Këshilli i Lartë Gjyqësor kërkonte që kompania të keishte 18 elektriçistë të punësuar dhe një teknik ndërtimi.

“Së pari kërkesa për teknikë të fushës së TIK dhe/ose Elektronikës është zero. Së dyti, numri i elektricistëve të kërkuar është i ekzagjeruar dhe disproporcional me rrjetet dhe sistemet elektrike që do të instalohen. Së treti dhe më flagrante është kërkesa për teknik ndërtimi, kur objekti i prokurimit nuk ka asnjë lidhje me ndërtimin,” thuhej në ankesë.

Sipas ABS, këto kritere nuk ishin vendosur rastësisht në tender. “Një lapsus i tillë, kaq i rëndë i Autoritetit Kontraktor mund të shpjegohet me hipotezën e ndërtimit të kritereve të kualifikimit që të favorizojnë një operator të caktuar,” mbyllej ankesa e Advanced Business Solutions drejtuar Komisionit të Prokurimeve Publike.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi më i lartë qeverisës në hierarkinë e sistemit gjyqësor. Praktikisht institucioni në majën e luftës kundër korrupsionit. Akuzat zyrtare dhe të drejtëpërdrejta për paracaktimin e fituesit në tenderin për kamerat janë një njollë jo e vogël për imazhin e institucionit që duhet të jetë model në luftën kundër korrupsionit./OLIGARKIA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco