Si i lajnë duart në qeverinë e Ramës me ata që kapen në skandale korruptive

Si i lajnë duart në qeverinë e Ramës me ata që kapen në skandale korruptive

09:24, 06/06/2023
A+ Aa A-

Për t’i mbrojtur nderin dikasterit që drejton, Ogerta Manastirliu u kujdes të priste tre ditë, pastaj reagoi. Që nga e premtja, kur oficerët e BKH-së hynë në zyrat e ministrisë dhe kapën Sekretaren e saj të Përgjithshme me paratë e ryshfetit në duar, ministrja zgjodhi të heshtë. Kur foli në parlament, në fjalimin që kishte shkruar zgjodhi të përdorë një gjuhë të drunjtë. “Distancohemi nga kjo ngjarje si institucion. Është një ngjarje e trishtë dhe e rëndë. Është qëndrimi që kemi dhe do kemi gjithmonë për çdo rast në shkelje të ligjit, çdo rast të abuzimit me detyrën”, tha ajo në Kuvend. “Përgjegjësia është individuale”, u përgjigj në fjalimin e shkruar, pasi deputetët e opozitës i kërkuan dorëheqjen.

Por Sekretarja e Përgjithshme, Joana Duro nuk ishte një nëpunëse dosido e Ministrisë së Shëndetësisë. Me pozicionin që kishte, ajo konsiderohet titullari më i lartë në hierarkinë e administrates në një ministri. Varësia është direkte nga Manastirliu.

Ashtu siç pritej, në parlament ministrja nuk shfaqi asnjë luhatje për të dhënë dorëheqjen, për sa kohë çështja është nën hetim.

Ky nuk është rasti i parë, kur një nëpunës i veshur me pushtet bie në pranga, por ngjarja izolohet në përgjegjësi personale. Delina Ibrahimaj e Ministrisë së Financave u shfaq njësoj e paditur kur u arrestua Sekretari i saj i Përgjithshem, Arlind Gjokutaj. “Nuk bëhemi gjyqtarë, as prokurorë. Çështjen ia kemi lënë në dorë drejtësisë”, tha Ibrahimaj, kur u pyet nga gazetërët.

Por përse shfaqen kaq indiferente ministret?

Kjo sjellje është reflektim i të njëjtës filozofi me të cilën qeveris shefi i tyre, kryeministri Edi Rama. Rastet kur bashkëpunëtorë të ngushtë, të zgjedhur direkt prej tij, kanë përfunduar pas hekurave, janë të shumta. Por Rama i ka ikur përgjegjësisë duke dalë sikur nuk di gjë, njësoj siç bëjnë vartëset e tij sot.

Kur u pyet në komisionin e hetimit të inceneratorëve për arrestimin e Lefter Kokës, Rama deklaroi “E kam thënë publikisht që në momentin që drejtësia i kërkon hesap dikujt ndër ne, ai duhet të marrë avokat. Ne nuk jemi zyrë avokatie dhe çështjet me drejtësinë janë individuale, nuk janë çështje politike, as kolektive, as partiake”. Pastaj për Arben Ahmetajn, njësoj lau duart duke thënë: “Nëse ne nisemi për një betejë të caktuar dhe rrugës dikush apo disa që janë nisur për të arritur atë qëllim këpusin edhe dardha dhe mollë për t’i futur në trasta mbas shpinës time, kjo është një çështje që nuk e kanë me mua, e kanë me drejtësinë”. Edhe kur SPAK arrestoi ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Allën, Rama sërish u shpreh: “PS nuk është zyrë avokatie për askënd, kështu që secili duhet të gjejë avokatë vetë”.

Metafora e mollëve dhe e dardhave që bien pas shpinës së kryeministrit dhe që i hanë të tjerët vështirë se besohen. Jo më kot, raportet e perceptimit të Transparency International tregojnë se Shqipëria ka ngecur në luftën kundër kundër korrupsionit duke u afruar gjithnjë e më shumë me shtetet afrikane. Ndërkohë mendësia, sipas së cilës kush kapet, kryen dënimin dhe respekton kodin e heshtjes, më shumë se me vizionin e një organizate politike, ngjan me atë të një organizate kriminale./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco