Liroi Tahirin/ Gjyqtarja e kaloi vetingun me urgjencë para vendimit

Liroi Tahirin/ Gjyqtarja e kaloi vetingun me urgjencë para vendimit

09:12, 06/06/2023
A+ Aa A-

Thellohet më tej skandali i gjyqtares Matilda Fetau, e cila liroi para pak ditësh ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke shkaktuar zemërim jo vetëm në opinionin publik, por edhe te komuniteti ndërkombëtar.

Burimet thonë se gjyqtarja e Elbasanit e kishte mbajtur dosjen e Tahirit për pothuajse pesë muaj në dorë.

Por vendimin për lirimin e tij e dha vetëm tre ditë pasi kaloi vetingun.

Ndërkohë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kaloi me urgjencë vetingun e saj, duke dhënë vendim brenda ditës së gjykimit.

Burimet thonë se ky është një rast unik, pasi për të tjerët, KPK e ka dhënë vendimin edhe deri një muaj më pas.

Sipas Fetaut, vendimi për vuajtjen e dënimit në banesë, u mor pasi Tahirit i kanë mbetur më pak se dy vite burgim, ndërsa bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore, të cilat nuk i mundësojnë kujdesin e plotë ndaj fëmijëve të mitur.

Për ironi, edhe pse kaloi vetingun, Fetau ishte denoncuar për një rast të ngjashëm si i Tahirit.

Në një prej denoncimeve janë ngritur pretendime se Fetau ka favorizuar një prej të pandehurve në një çështje duke pezulluar dënimin e tij.

Gjyqtarja Fetau deklaroi se pezullimi ishte kryer bazuar në provat e shqyrtuara në gjykim, ku rezultonte se i pandehuri në fjalë rezultonte prind i dy fëmijëve të mitur, ndërsa bashkëshortja ishte provuar se vuante në mënyrë kronike prej çrregullimeve psikologjike, që krijonin tendencë për vetëvrasje. Sipas subjektit, ky i pandehur kishte përgjegjësi thelbësore për t’u kujdesur për familjen dhe prandaj ishte aplikuar pezullimi në rastin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco