Skandali i drejtësisë së re/ Tahiri u lirua për t’u kujdesur për fëmijët

Skandali i drejtësisë së re/ Tahiri u lirua për t’u kujdesur për fëmijët

12:03, 02/06/2023
A+ Aa A-

Lirimi i Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm, i dënuar për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj, ka ardhur me argumentin e dy akt-ekspertizave mjekoligjore, njëra për gjendjen shëndetësore të tij dhe tjetra për bashkëshorten. 1 vit, 7 muaj e 11 ditë i kanë mbetur nga shlyerja e plotë e dënimit që do ta kalojë në arrest shtëpie.

Sipas mbrojtjes së Tahirit, e cila prej 6 muajsh insiston për nxjerrjen e tij nga qelia, Tahiri duhet të kujdeset për fëmijët e mitur.

Shqyrtimi i akt-ekspertizës u bë këtë të premte në sallën e gjyqit në orën 9:00. Në akt-ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët. Kërkesa, që është bërë gjashtë muaj më parë në Gjykatën e Elbasanit, u pranua këtë të premte. Ndërkohë, situata për familjen e tij është rënduar sipas avokatëve të Tahirit dhe nga vdekja e babait të ish-ministrit pak kohë më parë.

Për akt-ekspertizën e parë thuhet se Saimir Tahiri ka pasur edhe probleme shëndetësore dhe për një periudhë kohe ka qëndruar në spitalin e burgut për shkak të një rrëzimi që ka pasur në ambientet e burgut kur ka qenë në ajrim. Si element që çoi në lirimin e Tahirit ishte edhe fakti për sjelljen e tij të mirë në burg.

Tahiri u dënua me 3 vjet e katër muaj burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, mbasi gjatë kohës në krye të dikasterit të rendit Habilajt kultivuan kanabis sativa.

Por, për të ulur dënimin dhe për të fituar lirinë, Tahiri ka futur në lojë të gjitha kartat. Në dhjetor të vitit të kaluar, SPAK, shërbimi i provës dhe i burgosuri VIP iu drejtuan Gjykatës së Elbasanit. Një kleçkë procedurale atëherë e bindi Saimir Tahirin se deri në datën 4 shkurt 2022 kur u vendos që ai të shkonte në qeli, koha po ecte për të si për një të dënuar nën shërbim prove.

Ish-ministri i tha Gjykatës së Elbasanit se SPAK harroi të nxirrte një urdhër të ekzekutimit të dënimit pavarësisht se ai u paraqit pranë shërbimit të provës. Shërbimi i provës këmbëngulte se ish-zyrtari u paraqit vetëm njëherë dhe u refuzua mbasi prokuroria nuk kishte sjellë urdhër. SPAK insistoi se vendimi nuk ishte i formës së prerë dhe nuk kishte shkak ligjor pse të nxirrte urdhër ekzekutimi, pasi vendimi nuk ishte i formës së prerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco