Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ 'Divorci' Meta - Kryemadhi

Konfiskimet/ BIRN: Qeveria me standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm

Konfiskimet/ BIRN: Qeveria me standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm

09:19, 01/06/2023
A+ Aa A-

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën një projektligj të veçantë për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, disa muaj pas një serie vendimesh të debatueshme për konfiskimin e objekteve për qëllime fitimi që kanë shkelur lejet e ndërtimit

BIRN

Ndërkohë që VKM-ja është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese pas një padie të deputetëve të opozitës si antikushtetuese, me anë të këtij projektligji, qeveria përcakton kompetencat dhe detyrat e autoriteteve publike përgjegjëse, të përfshira në proceset e zhvillimit dhe administrimit të objekteve të konfiskuara, si dhe procedurat e shit-blerjes së godinave të konfiskuara.

Në procesin e shitjes që do të kryejë qeveria kanë të drejtën e parablerjes me vlerën e tregut; pronarët e truallit, subjekti ndërtues, si dhe personat e tretë që kanë një marrëveshje juridiko-civile për pronën e konfiskuar.

Nëse palët e parashikuara nuk shfaqin interes objektet dalin në ankand publik.

Projektligji i njeh të drejtat e pronësisë pronarëve të truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti në tejkalim të lejes së ndërtimit. Mbi pjesën e objektit që është ndërtuar ligjërisht, zbatohen termat e kontratës së sipërmarrjes dhe pronarët nëshkruajnë një marrëveshje të re zhvillimi me shtetin, termat e të cilës do të përcaktohen nëpërmjet një rregulloreje të hartuar nga ministria e linjës.

Të gjitha veprimet e vlerësimit teknik e financiar të pronave të konfiskuara dhe problematikat ligjore që paraqesin, si dhe mënyrën e administrimit të tyre, do t’i kryejë  “Komisioni i Objekteve të Konfiskuara”, një strukturë ndërinstitucionale, që do të ngrihet pranë Kadastrës.

Komisioni ka po ashtu detyrë që të propozojë për miratim në Këshillin e Ministrave kalimin në përgjegjësi administrimi, përdorim të përkohshëm apo pronësi të objektit të konfiskuar në favor të institucioneve publike apo të enteve publike përkatëse.

Qeveria po ashtu parashikon procedura të përshpejtuara për përfundimin e punimeve të objekteve të konfiskuara dhe zhvillimin e tyre duke duke propozuar pranë KKT-së ndryshimin e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit.

Ndërtimi pa leje është krim në Shqipëri dhe Kodi Penal parashikon dënime deri në 5 vjet burg për qytetarët e zakonshëm dhe 8 vjet burg për objektet me qëllime fitimi.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave i anashkaloi këto sanksione përmes një vendimi të miratuar më 7 shtator 2022, i cili u jep ndërtuesve të mëdhenj një mundësi për t’i ligjëruar shtesat apo godinat e paligjshme, në këmbim të një pagese financiare apo dhënies së sipërfaqeve në favor të shtetit.

Vendimi parashikon procedurat e transferimit të sipërfaqeve të paligjshme nga subjektet private te shteti dhe anasjelltas dhe nuk e përmend në mënyrë eksplicite ndjekjen penale.

Për ekspertët e ligjit, ky vendim përbën një anashkalim të rendit juridik si dhe vendos një standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco