Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Hetimi i TIMS, frika e socialistëve

Zgjedhjet/ Frymë ka, por ta merr azmatiku Rama

Zgjedhjet/ Frymë ka, por ta merr azmatiku Rama

15:27, 29/05/2023
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku

(Vrasja me pagesë e 14 majit)

Gjithologët qeveritarë, të punësuar në privilegje financiare projektesh, pronash, shpërblimesh, ryshfetesh, majmëri mendore, trushpërlarës të paguar dendur biznesesh, i janë turrur me uri të verbër opinionit publik, për të arnuar masakrën e Edi Ramës, si vullnet i lirë me 14 maj 2023. E tha Kryeministri epitafin kundërshtarëve, se ju jeni refuzuar dhe vrapimi maratonomak i shkronjësve të tij nisi për punë minutash. Sundon mes tyre qasja e mirëpaguar si refren, se gjoja refuzimi opozitar, solli fitoren e pozitarëve. Largqoftë ! Referuar shifrave të kontrolluara elektoralisht të INSTAT, e ke të pamundur të gjesh saktësinë se ku jetojnë më tepër shqiptarë, brenda apo jashtë vendit, ndonëse është lehtësisht e ditur, se më shumë se gjysma janë tej kufijve të Shqipërisë.

Vetëm në dy motet 2021 e 2022, sipas Eurostat, 220 mijë shqiptarë kanë ikur nga vendi i tyre, të dhëna të munguara zyrtarisht në statistikat tona. Sërish, censusi i shtyrë është një mollë e ndaluar e lakuriqësisë së qeverisë, ku të dhëna të pazyrtarizuara iu dalin se 2.3 milionë shqiptarë janë jashtë kufijve e 2.1 brenda tyre. Kaq duhet për të zhbojatisur hartën e luleve me numra pushteti, ku heroi i financave të mercenarëve, na del sulltani që u pikon në zemër njerëzisë.

E megjithatë, shifrantëve të parti-shtetit, u dalin ndryshe, sipas hesapeve të oreksit zgjedhor në stërmundimin për të justifikuar kanibalizmin e votës së vendorëve.

Nuk ka frymë, nuk ka alternativë, nuk ka ofertë ndryshe, apo kush ua mori frymën zgjedhjeve, votimeve, është pyetja shqip, qindra milionë - dollarësh për vendoret 2023?!

Qeveria nuk la kusur pa bërë. Me para publike dhe të paligjshme, përdorje të çdo aseti shtetëror, punësime mbi 20 mijë të tilla të përkohshme, përkthyer në së paku 100 mijë vota detyruese, kanosje për heqje nga puna, shpërblime pensionesh, legalizime, pagesa për ngujime, lopatëzim kutish votimi, pajisje identifikimi elektronik si teneqe skrapi, njohës vetëm të porositësit, sistemi TIMS i sallatosur në javën zgjedhore, ku djemtë problematikë nga DUBAI erdhën e kontribuuan siç ua kërkoi qeveria dhe ikën të lirë sërish.

Trukoi listat e zgjedhësve, ndryshoi qendrat e votimit, u mori kartat e identitetit kundërshtarëve, prodhoi të tjera, pajisi me to votues shëtitës, burgosi të zotët e tyre, bleu e dhunoi më shumë sa kishte nevojë për të përmbysur diferencën. Pastaj u befasua nga batërdia e prodhuar, ndonëse kishte rënie të dukshme të socialistëve në pjesëmarrjen në votime. Këtë nuk e thonë gjithologët, sepse nuk ua lejon shefi. Dukesha Glover, shefja e vëzhguesve ndërkombëtarë, ende nuk ka definuar raportin, por një fjali e pohuar deri tani është se nuk thoshte dot, u bënë zgjedhje të lira. Rama pas takimit me të, nuk rrezaton lehtësim, por dihatje fryme. Parlamenti Evropian, ndër të jera thekson se në Shqipëri duhet garantuar liria e partive të paraqiten në zgjedhje pa ndërhyrjen e aktorëve të tjerë shtetërorë. Mesazhi shkon hapur për gjykatat e reformuara vendimmarrëse sipas mesazheve të Edi Ramës.  

Prokuroria e Posaçme me anemi të theksuar, nuk ia del përsëri të spikasë pavarësinë e pretenduar, duke treguar njëanshmëri në krah të pushtetit, për hetimet e shkeljeve të dhunshme ligjore në dëm të procesit zgjedhor. Kjo barbari, ka në kurriz dhe mëkatet e brendshme të Partisë Demokratike. Një pjesë e saj aleate e partisë Socialiste si në gjykatë ashtu edhe në komisionerë, numërues e vëzhgues, u bënë vrasës me pagesë të 14 majit. Nëpër qendra numërimi argaliseshin bashkë me socialistët, me armikun e “armikut” të tyre, të cilin e trajtonin si mikun e tyre. Basha, Bardhi, Tabaku, Alibeaj e ndjekës të tyre të zhurmshëm apo të heshtur, u kujdesën të qortonin humbjen pa harxhuar asnjë orë për fitoren.

Pas 25 prillit 2021, deputetët me demek pro-perëndimorë, të shkarkuar me mosvotim nga anëtarësia me 6 mars dhe 14 maj, shërbejnë vetëm si instrument i Ramës, për të asgjësuar opozitën, duke u tenderosur e veshur me leje ndërtimtarie shpesh e më shpesh. Po ka pasur edhe funksionarë politikë të PD, në Tiranë kryesisht por edhe nëpër rrethe, të cilët u zvarritën qosheve, nuk bënë asnjë gram punë në muajin e fushatës, që u shqepën për copëza interesash. Këto Berisha duhet t’i vërë në peshoren e llogaridhënies imtësisht. Lunatikë e dilematikë, delirantë e arrogantë, ngreheshin në oborrin e PD, si mendimtarë shpëtues, ndonëse një lakër shpesh vlen më shumë se shumica e tyre.

Ulëritën për “non gratën” e Berishës, fajësinë e pretenduar të paprovuar nga vetë emërtuesit prej dy vjetësh, por nuk germëzuan asnjë fjalë kundër nongratave të Ramës, si i pandehur në gjykatë në USA, as për Tomën, Dakon, Qifen e të tjerë të padeklaruar, të cilët ambasadat i konservojnë sipas motit.

Opozita prodhoi frymë.

Kandidatët e saj ishin në shumicë dërrmuese më të mirë në ofertë, projekte, platformë, programe, cilësi profesionale e njerëzore, se të gjithë kandidatët qeveritarë. Asnjëri nga opozitarët nuk kishte telashe me krimin, siç nuk largohen rivalët nga ky lloj oborri ku furnizohen gjithmonë. Ishin kandidatë të cilët ftuan shqiptarët të mos vidheshin, të mos grabiteshin, të mos mielloseshin një ditë por të punonin ndershmërisht katër vitet e ardhshme. Të mos bëheshin banorë gomonesh, por të gjenin mundësi në dheun e tyre. Të mos bëheshin prindër pa fëmijë më fëmijë të gjallë në eksod e fëmijë jetim me prindër të braktisur nga pamundësia në Shqipëri. Të mos merrnin 100, 200 apo edhe 500 euro për një votë me 14 maj e të paguajnë me gjoba, rritje çmimesh, kosto jetese të shumëfishuar, borxhe të rritura, 1000, 10000 e më tepër euro nesër nga zgjedha e prodhuar prej shitjes dhe indiferencës. Frymë opozite kishte, frymë opozitari ka, por kur azmatiku Edi Rama, pushton gjithçka, i merr frymën kujtdo dhe heshtakët nuk kanë zë, atëherë kemi lejuar vrasësin me pagesë me 14 maj 2023 me 1.9 milionë dëshmitarë, të vrasë të sotmen e të nesërmen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco