Trazirat në veri të Kosovës/ Edi Rama edhe një herë kundër Albin Kurtit

Trazirat në veri të Kosovës/ Edi Rama edhe një herë kundër Albin Kurtit

07:45, 27/05/2023
A+ Aa A-

Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama nuk i shpëton asnjë rast për të treguar diferencat që ka me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Përleshjet e një grupi serbësh të dirigjuar nga Beogradi në Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan ishin një shans i mirë për Ramën për të treguar edhe një herë se politika shtetërore e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk bashkërendohen mes tyre dhe as mendojnë njësoj. Të paktën sipas asaj që shkroi kryeministri në Twitter, duke u shprehur:

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”

Referimi që u bën Rama aleatëve tanë perëndimorë duket në pamje të parë një normalitet për të mos ia lënë rrjedhën e situatës kokave të nxehta ballkanare. Eshtë e vërtetë se ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhef Huvënier, reagoi kundër Kurtit.

Njësoj i ashpër ishte edhe mesazhi i Sekretarit të Shtetit, Entoni Blinken që i bëri thirrje Albin Kurtit “të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në dialogun e lehtësuar nga BE”.

Ky qëndrim i Edi Ramës, më shumë se shfaqje e besimit që ka ai, te këshillat e SHBA dhe BE, thjesht i përshtatet traditës që ka krijuar Rama për t’i ngulur “thika” pas shpine kryeministrave të Kosovës, në momente delikate për ta.

Mjafton të përmendim nismën e Ballkanit të Hapur, kur Rama në krah të Vuçiçit sulmoi pa reshtur kryeministrat e Kosovës që nuk lëviznin nga kushtet për hapjen e kufijve me Serbinë. Rast tjetër është dialogu i vështirë Kosovë-Serbi, kur Rama nuk lë rast pa mbajtur anën e Vuçiçit, duke fajësuar Albin Kurtin për ngërçin që krijohej në Bruksel.

Jo shumë kohë më parë, ndërsa diskutohej plani franko-gjerman për një zgjidhje të pranueshme mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Rama nuk i rezistoi dot cinizmit me Albin Kurtin, të cilit i kujtoi “tradhëtinë” dhe “harresën” duke iu referuar narrativës së tij në opozitë dhe vendimeve të vështira që ia imponon pushteti.

Kjo qasje e Ramës ndër vite është në themel të reagimit sot, ku nuk përmendur asnjë fakt dhe asnjë arsyetim lidhur me atë që ndodhi në Lepozaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Fakti që Rama e shfrytëzon situatën për ta vënë në vështirësi Kurtin e tregon edhe heshtja e tij për presidentin e Serbisë. Për të cilin, Rama nuk ka asgjë për të thënë.

Edhe Vuçiçi reagoi keq pas përplasjeve në veri të Kosovës. Madje ai urdhëroi ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë. E gjitha kjo, kur është e konfirmuar për të disatën herë se protestat në veri të Kosovës dirigjohen nga Beogradi. Por për këtë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka asgjë për të thënë./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco