INTERVISTA/ Neza: Rishfaqja e Bashës, vijim i skenarit për të goditur PD-në

INTERVISTA/ Neza: Rishfaqja e Bashës, vijim i skenarit për të goditur PD-në

10:58, 26/05/2023
A+ Aa A-

 "Unë e shoh daljen e Bashës si një shenjë të qartë të kandidimit të tij në strukturat e PD-së për kryetar të saj; strukturat  që janë pjesë e “grupit të vulës” dhe si vijim të një skenari që ka filluar që në marsin e vitit 2022 të funksionojë, në bashkëpunim me gjykatat apo me qeverinë, po edhe më herët, që në vitin 2021, përmes të cilit PD-ja ka pësuar goditje shumë të rënda."

“Kush e zgjoi Lulzim Bashën dhe cili është qëllimi i tij?!” – Kjo ishte një nga pyetjet për të cilën iu kërkua një përgjigje sot, analistit Sami Neza, në një intervistë në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV nga gazetari Flavio Qarri.

Kafe Shqeto: Z. Neza, cilat kanë qenë lëvizjet e djeshme dhe performanca e politike e z. Berisha, në dritën edhe të rizgjimit të famshëm të Lulzim Bashës?

Sami Neza: Ne vetëm dëgjuam një deklaratë të z. Berisha në lidhje me rikthimin në publik të z. Basha përmes një aktiviteti që organizoi në një nga hotelet e Tiranës me një grup të rinjsh, për të cilët në fakt u tha se janë të rinj të FRPD, por me sa e kishin vënë re edhe gazetarët dhe reporterët e politikës, nuk është se kishte njerëz të strukturave të Partisë Demokratike.

Duhet ta theksoj që tani që ky ka qenë një ndër “handicap”-et e para që është konstatuar gjatë kohës kur Lulzim Basha drejtonte PD-në. Ai afroi në fakt në strukturat e PD-së, në strukturat drejtuese të saj, njerëz të cilët nuk kishin lidhje me të djathtën dhe nuk kishin lidhje as me Partinë Demokratike në kohë, por fakti që nuk kishin lidhje em të djathtën, e dëmtoi PD-në dhe natyrisht që e dëmtoi edhe vet atë përgjatë proceseve elektorale në të cilat ai mori pjesë. Ndërkaq, Z. Berisha konsideron se Basha është një patericë e Ramës, një person, një deputet, ish-drejtues i PD-së që merr urdhra prej tij dhe se dalja e tij në publik është pjesë e një skenari apo e një skeme e cila është krijuar dhe dirigjohet nga Kryeministri.

Mendoj se duhet të kemi parasysh dy gjëra kur trajtojmë rikthimin e Bashës, aktivitetin e tij politik. Se pari duhet të nisemi nga fakti se ai është deputet i PD-së dhe në fakt aktiviteti i tij politik, si deputet i PD-së pothuajse nuk ekziston fare, çfarë do të thotë se në një farë mënyre edhe një grup i vogël brenda PD-së mund të priste shumë më tepër aktivitet prej tij.

Së dyti, unë e shoh daljen e tij si një shenjë të qartë të kandidimit të tij në strukturat e PD-së, për kryetar të saj; kam parasysh strukturat e PD-së që janë pjesë e “grupit të vulës” dhe e shoh daljen e tij si vijim të një skenari, që ka filluar që në marsin e vitit 2022 të funksionojë, në bashkëpunim me gjykatat apo me qeverinë, po edhe më herët, që në vitin 2021, përmes të cilit PD-ja ka pësuar goditje shumë të rënda, qoftë përmes përçarjes, qoftë edhe përmes humbjes së administrimit të saj a përfaqësimit të saj nga “vula” edhe nga përfitime të tjera, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin normal të një partie demokratike.

Kafe Shqeto: A ka në rikthimin e z.Basha edhe diçka tjetër? Duket se z. Rama ka një interes tjetër.

Sami Neza: Komunikimi që ka pasur dje Lulzim Basha me mediat dhe me atë publikun e vogël që kishte, rrezikon ta kthejë çështjen e Partisë Demokratike edhe njëherë në marsin e vitit të kaluar; domethënë, rimarrjen e të gjithë debatit, rimarrjen e të gjitha çështjeve që në njëfarë mënyre janë konsumuar përgjatë këtij debati.

Jam plotësisht dakord me z. Gurra që PD-ja duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për bashkim, për bashkimin e të gjithë demokratëve në një sigël dhe në vulën e Partisë Demokratike, në mënyrë të tillë që të mos shterohen energjitë. Praktikisht, ndarja e partisë në dy pjesë, kemi një pjesë të vogël dhe një pjesë shumë të madhe, e dëmton PD-në nga këndvështrimi elektoral, por edhe nga fokusimi dhe krijimi i frymës që janë gjëra shumë të rëndësishme  për një parti politike, aq më tepër në një fushatë elektorale apo në një aksion të madh politik.

Unë konsideroj se “pjesa e vulës”, domethënë ai grup parlamentar që para disa ditësh ka zgjedhur para pak ditësh Gazmend Bardhin si kryetar të vetin, po reflektojnë, po shfaqin një mungesë maturie politike për sa kohë ata nuk janë të qartë dhe nuk janë të gatshëm të marrin vendime që shkojnë në interes të PD-së dhe të demokratëve e në fund, edhe në interes të demokracisë dhe të pluralizmit në Shqipëri. Çdo shmangie nga marrja e vendimeve të qarta për të funksionuar ose për të mos funksionuar bashkimi i Partisë Demokratike e forcon statukuonë dhe duke u forcuar statukuoja, dobësohet opozitarizmi në vend.

Në mënyrë absolute duhet që kjo periudhë e debateve në lidhje me vulën dhe me siglën duhet të konsumohet sa më shpejt në mënyrë të tillë që pas pak muajsh, PD-ja të jetë plotësisht e gatshme, ose opozita, ose edhe një grup tjetër me një emër tjetër të jetë plotësisht i gatshëm për të marrë përsipër ose për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, të cilët nuk e duan këtë qeveri.

Kafe Shqeto: A i ka mundësitë që në lëvizje të beftë të zhvillimeve,  z. Bardhi të paqtojë gjithë opozitën në një njeri të vetëm?

Sami Neza: Unë e shoh z. Bardhi ende konfuz, domethënë ende nuk është i qartë në përcaktimin e tij. Natyrisht i përket atij grupi deputetësh, të cilët kanë nuanca të ndryshme brenda grupit parlamentar që ai tashmë drejton. Nuk e di nëse ai e ka të pjekur atë fuqinë e lidershipit apo fuqinë e politikanit për të marrë vendime, të cilat bëjnë ndryshimin. Nuk e kam parë të marrë vendime të kësaj natyre. Të gjitha vendimet që ai deri tani ka marrë janë vendime që në një farë mënyre reflektojnë paqendrueshmërinë e tij. Megjithatë ky është një moment shumë i rëndësishëm, një moment ku është e mjaftueshme të shikosh se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 14 majit për të shikuar jo më interesin personal brenda një partie politike, por interesin e demokratëve dhe interesin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Duhet që edhe pjesa tjetër e deputetëve që ndodhen te ai krah, duhet të bëjnë presion për ndalimin e procesit gjyqësor dhe heqjen dorë prej këtij procesi gjyqësor. Vetëm ndalimi i procesit gjyqësor është në fakt pika e cila e bën ndryshimin në atë situatë dhe në këtë ekuilibër që në fakt nuk është ekuilibër, por disekuilibër i PD-së i demokratëve në vend. Ata duhet ta shtojnë presionin.

Ashtu siç nuk pranojnë rikthimin e Bashës, ashtu siç nuk pranojnë ndarjen, ashtu siç konsiderojnë se ndarja e PD-së i bën dëm demokratëve dhe Shqipërisë, ata duhet ta çojnë gishtin te ajo çfarë i mban ata të ndarë dhe e  vetmja gjë që sot i mban të ndarë demokratët qenësisht është një përcaktim administrativ, që ndodhet në gjykatë edhe që është në duart e gjykatësve, por ndërkohë, indirekt është edhe në duart e qeverisë.

Ata i kanë të gjitha mundësitë t’ia heqin nga dora këtë instrument nga dora Edi Ramës. Për sa kohë ne mendojmë se e drejton edhe Edi Rama, t’ia heqin këtë instrument nga dora edhe atyre që duan ta mbajnë Partinë Demokratike të përçarë edhe ta kthejnë PD-në në një situatë normale ku mund të ketë debat , mund të ketë objeksione të ndryshme, mund të ketë fraksione siç e përcakton statuti, ndërkohë duhet të jenë koshientë edhe për një gjë: gjithçka mund të merret me zor, mund të merret edhe me mashtrime, mund të merret edhe me vjedhje; ju mund të hyni në shtëpinë e dikujt e të vidhni gjithçka aty e të largoheni, por të marrësh me një procedurë tërësisht jo transparente, po tërësisht edhe të gënjeshtërt një parti politike, është e pamundur.

Ata duhet të kthehen aty ku është bërë gabimi, aty ku është bërë edhe mashtrimi publik dhe duhet të reflektojnë në lidhje me këtë. Nuk duhet t’i bashkëngjiten, pasi nuk është vepër e tyre, është vepër e të tjerëve./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco