Dr. Zija Ismaili, alternativa më e mirë për ndryshimin e shumëpritur për Beratin tonë lavdi-plotë!

Dr. Zija Ismaili, alternativa më e mirë për ndryshimin e shumëpritur për Beratin tonë lavdi-plotë!

19:16, 11/05/2023
A+ Aa A-

Nga Ndriçim Kulla

Nuk mund të mos dëgjosh të thuhet Berat e të mos sjellësh në mend magjinë e tij. Paskësaj, nuk mund të mos bashkëngjitësh togfjalëshin “magji qytetase” me cilësorin “turizëm elitar”. E në fund të gjithë këtij shoqërizimi, nuk mund të mos pyesësh: po si vallë e gjitha kjo ka arritur të shkojë në ndihmë dhe shërbim të qytetarëve të këtij qyteti dhe cilësisë së jetës së tyre. E pikërisht kësaj cilësie jete, rikthimit dhe vlerësimit të saj denjësisht, i bën thirrje parësisht platforma e ndryshimit të paraqitur nga kandidati i opozitës për Beratin, Dr.Zija Ismaili. 

Në këto 30 vite të pluralizmit iniciativa private bëri më të mundshmen për të transformuar panoramën hoteliere të dhjetëra vendbanimeve tona. Aktualisht në trevat shqiptare po vërehet një bum investimesh për të pritur mysafirë të panumërt që po vërshojnë nga përtej kufijve tanë. Njëkohësisht, publiku i huaj po joshet nga hiret e sapozbuluara të bukurisë që disa qytete të lashta të Shqipërisë kanë nisur t’u sfilojnë miqve të ardhur. Mes tyre Berati është “mbreti” i kurorëzuar prej kohësh i turizmit të ri shqiptar. 

Bukuria e Beratit, e këtij diamanti turistik shqiptar buzë lumit Osum, zë fill qysh në hapat e parë të qytetërimit shqiptar, atëherë kur orakujt e fatit e vendosën atë në një mjedis madhështor e të pasfidueshëm, atje, karshi malit të Tomorrit dhe rrëzë disa kodrave të gjelbëruara dhe buzë ujërave të mbushura me shkëlqim. Si askund tjetër te ne nuk ka një kështjellë më afër njerëzve, madje një lagje gjendet ende e trupëzuar brenda mureve të larta të saj. Por fizionominë e tij më të plotë kjo kryeqendër urbane e shqiptarëve do ta krijonte përfundimisht vetëm mbas mesit të shekullit XIX, pikërisht atëherë kur ajo do të merrte formën e hijshme origjinale që gëzon edhe sot. 

Le ta përfytyrojë për një moment veten tonë në rolin e një të ardhuri, që vizitën e tij në Berat dëshiron ta startojë nga lagjja e Kalasë. Nëse ai do të dëshironte që natën ta kalonte në një nga hotelet e atyshme, me siguri që qysh në orët e para te mëngjesit do ndjente kënaqësinë e rrallë që dielli t’i hapte sytë me rrezatimin e tij që depërton së pari këtu. Kjo lagje, që shëmbëllen me një ballkon natyror, ka privilegjin e padiskutueshëm që në çdo stinë të jetë e para që i ekspozohet ndriçimit të agimit, të atij zgjimi të natyrës që përsëritet në 12 muajt e pandërprerë të vitit e që i bën njerëzit të rendin drejt jetës së përditshme me vrull. 

Por surprizën më të papritur ta japin lokalet e vjetra dhe të reja, të cilat të ftojnë me hare që të zhytesh në “perandorinë” kulinare të beratasve, të këtyre mjeshtërve virtuozë të gatimit të një morie gjellësh të shijshme. Kur del për të shëtitur në rrugicat me kalldrëm të kësaj lagjeje historike, shpirti yt nuk ngopet duke soditur pamjen e ngjyrosur me larmi që të ofrojnë të katër anët e horizontit të kësaj “miniere” pjellore bukurie. 

Ne mund të vazhdonim të përshkonim edhe shumë lagje të tjera të Beratit dhe shumë bukuri të dallueshme të tij. Por edhe nga një gotë e vetme vere mund të shijosh cilësinë e fuçisë. Nga përshtypja e jashtëzakonshme e lagjeve Kala, Mangalen dhe Goricë çdo vizitor mund të shijojë paraprakisht edhe gjithë mrekullinë e Beratit. 

Dhe të përfytyrosh që në brendësi të atyre banesave jetuan dikur banorë të mrekullueshëm që nga zemrat e tyre rrezatuan dritë jo thjesht për familjet e tyre, por ndoshta edhe më tej për krejt vendin tonë. Me prejardhje prej njërës nga këto ndërtesa historike, nga një familje që i dha shumë Shqipërisë, dikur një djalosh i ri fluturoi drejt qiellit të kulturës franceze për t’u bërë më pas një yll i kulturës shqiptare në fushën e përkthimit. Jam i bindur se shpirti i Isuf Vrionit i lindur dhe i rritur në një nga dinastitë familjare më të shquara të Beratit dhe të gjithë trevave shqiptare qëndron përjetësisht mbi qiellin e Mangalemit. 

Janë të gjithë këta cilësore që bëjnë që Berati të mbetet ngaherë si biri më simpatik i nënës së dashur Shqipëri. Ndaj, për të gjithë ne shqiptarët e thjeshtë, që jemi fansat e përjetshëm të tij, është një ngasje dhe kërkesë legjitime që t’u lutemi gjithmonë autoriteteve shtetërore që freskinë e çdokohshme të tij ta ruajnë me impenjim sa më maksimal, të investojnë gjithnjë e më tepër në tiparet më të shkëlqyera të tij për ta mirëmbajtur dhe sidomos për ta promovuar. Vetëm kështu Berati do të jetë edhe në të ardhmen imazhi më i kërkuar i turizmit jo vetëm për të tjerët, por së pari për veten tonë, për kombin shqiptar, që duhet të jetë i denjë për t’iu gëzuar bukurive që kanë shpërthyer nga trupi i tij. 

Ndaj, është një interesim i brendshëm intelektual ai që më shtyn të kërkoj llogari e të analizoj se si vallë është arritur të gërshetohet e gjithë bukuria arkitekturore, antikiteti, kulinaria dhe kujtimi i personaliteteve të tij më të mëdhenj të kulturës së kombit në një ofertë të vetme dhe frytdhënëse për gjithë ekonominë dhe zhvillimin e qytetit dhe zonave përreth? Përgjigjia që marrim duke vëzhguar përballjen e kësaj fushate është disa planëshe. Në rradhë të parë ajo është politike, pasi vota që u kërkohet qytetarëve është një votë për ta, një votë për rivendosjen e pluralizmit, një votë kundër pushtetit të të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, i cili edhe engjëll po të jetë, shndërrohet në djall, pa le kur ka rastisur djall imagjinoni se çfarë bëhet, siç është Edi Rama. 

Së dyti është një votë vendimtare në rrafshin ekonomik. Sepse është pikërisht pasoja e përqëndrimit të të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, arsyeja pse mbi të gjithë shqiptarët, po njëlloj si dhe mbi qytetarët e Beratit, është vendosur tirania e varfërisë, një tirani kjo që sic thotë John Kenedi është njëra nga 3 armiqtë më kryesorë të njeriut. E së fundi, në rrafshin turistik dhe kulturor, që në fakt, për rastin e këtij qyteti, duhet t’i përgjigjet interesimit të natyrshëm të të gjithë shqiptarëve për problematikat e shfaqura herë pas here në cilësinë dhe promovimin e tij. 

Po cila është alternativa dhe oferta e opozitës për këtë zgjedhje disa-dimensionale që meriton Berati i përshkruar mrekullisht në fillim të këtij artikulli. Një mjek i njohur si Zija Ismaili, që rrjedh nga një familje e persekutuar nga regjimi, që ka jetuar dhe kontribuar gjithë kohës për këtë qytet, që ka marrë pjesë në të gjitha fushatat elektorale që ka drejtuar PD dhe në të gjitha nivelet e zgjedhjeve gjatë gjithë kohës.E aq më tepër që është zgjedhur demokratisht në primaret e kësaj fushate. Koherencës së treguar në vite ndaj vlerave të përhershme si profesionizmi dhe dinjiteti njerëzor, ai i shoqëron edhe një analizë realiste të gjendjes.

“Parashikimi i të ardhurave të bashkisë për vitin 2023 ka qenë 263 milionë lekë të rinj, shpenzimet për pagat e administratës janë 216 milionë lekë, kurse vjelja e të ardhurave bëhet vetëm në 13 për qind”. Pra, vihet re një anomali e theksuar në mënyrën e administrimit të burimeve njerëzore, e ardhur drejtpërdrejt prej “fryrjes” së administratës, sidomos në periudhën zgjedhore. Kjo ka bërë që taksat e qytetarëve të Beratit të shkojnë parësusht për të ndarë pagat e administatës.

Në një kohë që kandidati i opozitës, shpalos një mënyrë administrimi krejtësisht tjetër: Unë dhe administrata ime, thotë ai, i premtojmë qytetarëve të Beratit se të gjitha mbledhjet e këshillit bashkiak do të jenë transparente. I gjithë buxheti i bashkisë, fondet publike, taksat do të investohen pranë kësaj bashkie, duke u konsultuar fillimisht me qytetarët e Beratit, me një bord drejtues dhe me grupet e interesit. 

Ndërsa, përsa i përket asetit kryesor të qytetit, turizmit, ai analizon se “Infrastruktura është në gjendje të mjerueshme por sidomos edhe promocioni i cili duhej të kishte 4 përqind të ardhurave nga turizmi. Asnjë investim nuk është bërë në zonat rurale, as në kanalizime, rrugë, ndriçim dhe gjelbërim”. Kësaj panorama ai i kundërvendos një projekt total afatgjatë, gjithpërfshirës dhe të mirë-studiuar që synon jo vetëm gërshetëzimin e turizmit me agroturizmin, por edhe të turizmit malor me to, në mënyrë që të mund të përmirësohet oferta e qytetit për turistët që duan të kalojnë më shumë se një natë në të. 

Transparenca, qeveria e hapur dhe vizioni largpamës dhe njëherësh me këmbë në tokë e krejtësisht i realizueshëm i këtij vizioni, nuk mund të mos jenë një përgjigjie e mirë dhe e duhur për qytetarët e çdo ngjyre, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur në vite për bijën e bukur të nuses Shqipëri, Beratin tonë lavdi-plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco