Për të kuptuar më mirë replikën Yuri Kim-Edi Paloka

Për të kuptuar më mirë replikën Yuri Kim-Edi Paloka

18:49, 05/04/2023
A+ Aa A-

Ambasadorja Yuri Kim, pasi për të disatën herë, përpara zgjedhjeve, me lezet dhe pa lezet, nuk ngurroi të bënte thirrje publike, për të mos votuar një koalicion opozitar, që përfaqëson pothuajse gjysmën e votuesve shqiptarë, në një garë ku “de juro” nuk janë non grata as Belind Këlliçi, as Luçiano Boçi, as Igli Cara, apo Bardh Spahia!

Nuk skuqet as nga qëndrimi i kolegëve të saj Europianë që me zë dhe nën zë e kanë bërë të qartë që nuk kanë ndërmend të futen në punët e brendshme të partive shqiptare. Për të nuk mjafton si zakonisht as shkelja e çdo Konvente Ndërkombëtare, as shpërfillja e minimumit të 600 mijë votuesish shqiptarë, po ka dhe zellin e papërtuar të bëjë replikë me çdo fjalë të Partisë Demokratike, sikur Rama cakton të vetët për t'i bërë replikë Berishës në sallën e Parlamentit çdo të enjte.

Këtë herë Ambasadorja në fjalë u përfshi në replika dhe me deputetin e Partisë Demokratike Edi Paloka.

Thelbi i replikës ndaj “sulmeve” të deputetit Paloka ishte se “Baltosja dhe gënjeshtrat janë taktikë e vjetër për të sulmuar politikën e SHBA së”. “Baltosja dhe gënjeshtrat për Ambasadoren e SHBA janë një taktikë e vjetër të cilën shqiptarët e njohin sepse është përdorur ndaj çdo ambasadori si mënyrë për të sulmuar politikën e SHBA. Këto metoda të vjetra janë të padenja për një aleat krenar të NATO-s, vend aspirant për në BE, dhe mik të vyer të Shteteve të Bashkuara. Këto mbetje të turpshme të së kaluarës duhet të mbeten në të kaluarën”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane. 

I gjithë publiku shqiptar në fakt përpara zellit për replika me deputetë të opozitës ka pritur me javë e ditë që Ambasadorja Kim të flasë një fjalë për Aferën McGonigal: por kemi parë të kundërtën, kemi parë se si shtyhen gazetarët që bejnë pyetje në lidhje më këtë temë.

Ndoshta për t’i shërbyer dhe më mirë politikës amerikane, do ishte e udhës që Ambasadorja në fjalë t’i bënte thirrje drejtësisë shqiptare ta merrte në pyetje politikanin që përmendet 14 herë në aktakuzë në aferën McGonigal.

Ndoshta për t’i shërbyer më mirë politikës amerikane do ishte e udhës që të paktën një herë të vetme ambasadorja në fjalë të dilte të përshëndeste Raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit të vet. Ndoshta për t’i shërbyer më mirë politikës jo vetëm disa vjeçare, por qindra vjeçare të Amerikës, për Ambasadoren në fjalë do ishte e udhës të mos i uronte shqiptarët për 29 nëntor siç bëri disa kohë më parë.

Por e bëri dhe këtë.

Sikurse nga ana tjetër kritikoi ish-Presidentin e Republikës se përdori në një miting Flamurin Amerikan.

Ndaj, në çdo replikë të Ambasadores me deputetin Edi Paloka, Paloka del gjithmonë fitimtar, çfarëdo të thotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco