Inceneratori fantazmë i Tiranës/ Kreu i SPAK flet si vartës i Ramës e Ballukut

Inceneratori fantazmë i Tiranës/ Kreu i SPAK flet si vartës i Ramës e Ballukut

10:02, 01/04/2023
A+ Aa A-

29 euro për ton. Kaq paguajmë për procesin e trajtimit të mbetjeve në inceneratorin e Tiranës, në Sharrë. Teorikisht mbetjet riciklohen, kapsulohen dhe digjen në temperatura shumë të larta.

Praktikisht, inceneratori nuk ekziston. Mbetjet thjesht groposen në Sharrë dhe mbulohen me dhe.

Meqenëse i paguajmë paratë kot, dhe meqënëse janë futur në burg ish-ministra, ish-deputetë, zyrtarë shtetërorë dhe janë shpallur në kërkim pronarët e inceneratorëve, gazetarët interesohen të dinë, nëse do ndërhyhet për t’i dhënë fund pagesave të larta.

Kur u pyet për këtë çështje në një takim që pati këtë të premte me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani u shpreh se “ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet të gjendet pronari real, se të çon në arbitrazh”.

Kjo përgjigje e Altin Dumanit për një nga çështjet më të mëdha të korrupsionit të regjistruara ndonjëherë nga prokuroria, ngjan me pohimet që bëhen nga ministrat e Ramës për të njëjtën temë. Edhe qeveria këtë mendim ka. Që pagesat duhet të vazhdojnë.

Kur Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja u shpallën në kërkim, atëherë Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pagesat do të vazhdojnë me arsyetimin se: “Në rast se ne nuk zbatojmë kontratat, nga ana e ligjit tregtar të kontratës, ne do t’i krijonim Republikës së Shqipërisë një dëm të tillë që me siguri do të përgjigjeshim në arbitrazh”.

Është i njëjti arsyetim si i Dumanit sot, me diferencën se kur foli Balluku, doli edhe Rama dhe e përshëndeti.

“Përgjigjia e ministres është përgjigjia e duhur sepse janë marrëdhënie kontraktuale të cilat imponohen nga ligji për të vazhduar deri kur të ketë vendime të formës së prerë nga gjykatat. Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia”, deklaroi Rama atëherë.

Afera e inceneratorëve ka çuar në burg ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ish-deputetin e PS-së, Alqi Bllako, ndërsa hetimet kanë nisur për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj. Të shpallur në kërkim janë pronarët e inceneratorëve Stela Gugallja, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, ndërsa disa zyrtarë të tjerë janë në burg.

Nuk ështe e qartë se kush janë pronarët e inceneratorit të Tiranës, por kontrata nuk është respektuar pavarësisht se pagesat janë bërë rregullisht nga shteti shqiptar.

Kryebashkiaku Erion Veliaj firmosi për kalimin e fondit për inceneratorin e Tiranës pa mbledhur Këshillin Bashkiak dhe kjo nuk është e vetmja shkelje e regjistruar në këtë aferë. Në korrespondencën me Alqi Bllakon, ish-deputetin që është në burg, erion Veliaj firmosi në emër të qarkut të Tiranës, megjithëse është vetëm kryetar bashkie.

Altin Dumani u zgjodh me këmbënguljen e posaçme të ambasadores amerikane në krye të SPAK. Gjatë prezantimit të tij, ai i inkurajoi prokurorët “të procedojmë penalisht çdo shkelës ligji pavarësisht pozitës”, ndërsa u shpreh se “detyrën e shoh si mision dhe jo si vend pune”.

Me gjithë këto deklarata nuk pritej që Altin Dumani të shndërrohej në hero, por nuk pritej as që të fliste si vartës i Edi Ramës./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco