SYRI TV/ Berisha: Rama nuk njeh ligje dhe kode, i jep tendera baxhanakut dhe thjeshtrës!

22:47, 29/03/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një takim me qytetarët e Cërrikut, nga ku i cilësoi  zgjedhjet e 14 majit, si më të rëndësishmet. Berisha komentoi vendimin e kryeministrit për shpërblimin e pensionistëve, duke thënë se Rama nuk njeh ligje, ndërsa theksoi se pagat dhe pensionet do të ishin rritur çdo vit, sikur shefi i qeverisë mos t'i dërgonte paratë te njerëzit e tij të afërt. 

SYRI TV

Qytetarët e Cërrikut e pritën me ovacione dhe brohorima, kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën, gjatë takimit që zhvilloi me ta, ku prezantoi kandidatin e koalicionit "Bashkë Fitojmë" për këtë bashki, Servet Duzhën.

Lideri i Partisë Demokratike, komentoi vendimin e kryeministrit Edi Rama, i cili në shkelje të Kodit Zgjedhor, do u japë pensionistëve, 50 mijë lekë, në prag të fushatës zgjedhore, duke theksuar se me ardhjen e opozitës në pushtet do ketë dyfishim të pagave dhe pensioneve. 

"Si njeri që nuk njeh ligj, që nuk përfill ligj, as normë, asgjë, thotë do t'u jap pensionistëve në kundërshtim flagrant me Kodin 50 mijë lekë, u premtoi 80 mijë. Çdo pensionist i them t'i gëzojë ato, pavarësisht se ai njeri nuk ka as ligj as moral, por ju t'i gëzoni. Ju garantoj ju se në aktet e para të qeverisë së ardhshme do të jetë dyfishimi i rrogave, dyfishimi i pensioneve dhe më shumë. Dhe se Shqipëria dhe shqiptarët do të ndiqen përsëri në krye të rrogave dhe pensioneve në rajonin tonë".  

Sali Berisha, kryetar i PD

Kreu demokrat deklaroi se kryeministri Edi Rama, ka pasur mundësitë të rriste çdo vit pagat dhe pensionet, por ka zgjedhur që paratë t'i çojë te të afërmit dhe klientët e tij.  

"Në asnjë tender publik nuk mund të marrë pjesë një familjar i kryeministrit. Ky ligj nuk ekziston për Edi Ramën. Fagu i tij siç quhet baxhanaku, fiton direkt me dhjetëra tendera. Thjeshtra e tij, i them zonjës, hiqe, të mos marrë pjesë në tendera. Nuk i takon thjeshtrës së kryeministrit të fitojë shumicën e tenderave për projektimet".  

Sali Berisha, kryetar i PD

Kreu i Partisë Demokratike, i cilësoi zgjedhjet e 14 majit, më të rëndësishme, që prej atyre të vitit '92, pasi edhe këtë herë beteja është për të kthyer pluralizmin në vend. 

"Vërtetë këto janë zgjedhje lokale, por janë zgjedhjet e jetës tonë, me të cilat ne i themi kësaj organizate kriminale që përdor paratë tona vetëm për t'u pasuruar vetë dhe klientela e tij, se ne nuk ju pranojmë më tutje, se ne do të bëjmë gjithçka për të ndryshuar Cërrikun dhe Shqipërinë, se ne nuk na mashtroni dot më".  

Sali Berisha, kryetar i PD

Berisha denoncoi sërish tenderat sekrete të AKSH-it, aferën e Portit të Durrësit dhe aferën e inceneratoreve, duke theksuar se ideatori i tyre është kryeministri Edi Rama. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco