Lajmi i fundit

LIVE/ PD, aktivitet për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

BIRN: Rama e quan ‘kinezëri’ Kodin Zgjedhor dhe vendos rritje pensionesh në prag të zgjedhjeve!

BIRN: Rama e quan ‘kinezëri’ Kodin Zgjedhor dhe vendos rritje pensionesh në prag të zgjedhjeve!

19:27, 29/03/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se qeveria kishte vendosur të akordonte 5 mijë lekë shtesë për pensionistët muajin e ardhshëm, ndonëse sipas ekspertëve kjo bie ndesh me Kodin Zgjedhor dhe lidhet me zgjedhjet vendore që do të zhvillohen më 14 maj.

“Pensionistët do të ketë 5 mijë lekë të reja ose 50 mijë lekë (të vjetra) që do të shkojnë në drejtim të tyre bashkë me pensionet që do të marrin herën e ardhshme,” tha kryeministri pas mbledhjes së qeverisë, ku premtoi gjithashtu rritje pagash për administratën.

Kodi Zgjedhor ndalon që katër muaj para zgjedhjeve dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara – ku përfshuhet edhe rritja e pensioneve dhe pagave – por Rama e quajti atë një “kinezëri partish”.

“S’mund t’u them [pensionistëve] se do prisni disa muaj se kanë vendosur partitë, ato kinezëritë,” tha Rama duke iu referuar ndalimeve të Kodit Zgjedhor. Ai e quajti situatën në të cilën po i merr këto vendime si “kushte të jashtëzakonshme”.

I pyetur nga BIRN, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi nuk komentoi mbi deklaratën e kryeministrit, por tha se çështja do të vlerësohej në vijim.

“Nuk e di rrethanën e kësaj vendimarrje për momentin,” u përgjigj Celibashi.

Përdorimi i fondeve publike në prag të fushatës zgjedhore shihet me shqetësim nga organizatat monitoruese të procesit zgjedhor, të cilat kërkojnë reagimin institucional të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Vendimi për pensione, rritje rrogash apo akte të tjera financiare për shtesa të ndryshme sociale është dukshëm akt politik dhe lidhet me zgjedhjet,” tha Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Politike.

Sipas Krasniqit, nuk është detyrë e kryeministrit të komentojë dhe etiketojë Kodin Zgjedhor, por ta zbatojë atë si një ligj që përcakton qartë kufizimin e rolit të burimeve shtetërore në fushatën dhe procesin zgjedhor.

“Në gjuhën politike, cili është dallimi moral midis një qeverie që blen votues përmes masave lehtësuese financiare dhe një biznesmeni që blen vota?”- pyeti ai, duke shtuar se “procesi dhe produkti është i njëjtë, ndonëse e para e bën këtë me paratë publike dhe i dyti me fondet private”.

Për Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i “Qendresa qytetare”, sjellja e kryeministrit duhet të hetohet dhe penalizohet nga KQZ.

“Ky është një veprim i kryeministrit në shkelje të Kodit Zgjedhor, i cili duhet të hetohet administrativisht nga KQZ, të pezullohet rritja para zgjedhjeve lokale të 14 majit dhe të merret masa administrative ndaj Kryeministrit,” tha Xhemollari.

Ai shtoi gjithashtu se ky është veprimi i disatë i qeverisë “Rama” ku shfrytëzohen burimet publike dhe taksat e përbashkëta për të avantazhuar Partinë Socialiste në periudhën parazgjedhore, si rasti i rritjes së pagave të mjekëve apo skema e rimbursimit të naftës për bujqësinë.

Përdorimi i burimeve njerëzore dhe fondeve publike për fushatë zgjedhore është një nga problematikat më të mëdha të proceseve zgjedhore në Shqipëri.

Pavarësisht ndalimeve me ligj, partia në pushtet është kritikuar në raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve se ka përdorur asetet publike në funksion të fushatës partiake.

Krasniqi rikujton paralajmërimet e ODIHR që t’i jepet fund praktikave të tilla abuzive. Sipas tij, qeveria duhet të jetë asnjanëse në zgjedhje lokale, pasi nuk është pjesë e votëbesimit.

Qeveria ka për detyrë të krijojë standarde cilësore zgjedhore dhe kjo kërkon një distancim të qartë nga akte politike dhe administrative në funksion elektoral, evitimin e përdorimit të administratës në fushatë dhe evitimin e eventeve politike në funksion të fushatës,” përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco