SYRI TV/ 200 mijë euro në ditë për Zoton! Durrësi e Kavaja japin miliona me prioritet për Sharrën

12:13, 29/03/2023
A+ Aa A-

Më 28 mars, bashkitë Durrës dhe Kavajë i kanë paguar rreth 200 mijë euro të tjera kompanisë së Klodian Zotos, “Integrated Energy BV”. Edhe pse kjo kompani nuk bën incenerimin e mbetjeve për të cilin është nënkontraktuar, për kryebashkiakët socialistë Emirjana Sako dhe Redian Krali nuk përbën problem, duke vijuar pagesat miliona eurosh për inceneratorin e Sharrës për një shërbim të pakryer.

SYRI TV

Bashkitë e Durrësit dhe të Kavajës vijojnë të kenë prioritet pagesën e qindra milionë lekëve për koncesionarin e plehrave të Sharrës, megjithëse kompania private nuk kryen shërbimin e plotë.

Brenda një dite, në 28 mars, institucionet e drejtuara nga Emirjana Sako dhe Redian Krali kanë arkëtuar për llogari të kompanisë “Integrated Energy BV” shumën prej 235 milionësh lekë të vjetra ose rreth 200 mijë eurosh.

Bashkitë e Durrësit dhe Kavajës kanë nënshkruar kontratë me kompaninë koncesionare për të paguar 29 euro për depozitimin dhe incenerimin e çdo toni mbeturina.

Ndërkohë, prej vitesh, kompania off-shore me seli në Amsterdam, e krijuar nga biznesmeni në kërkim Klodian Zoto, nuk kryen procesin e djegies së plehrave.

Të dhëna të shumta publike kanë dëshmuar se shoqëria private nuk e ka ngritur ende impiantin e incenerimit të mbetjeve urbane, megjithëse paguhet prej vitit 2018 për këtë shërbim.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, publikoi një investigim të plotë pak javë më parë, nga ku u pa qartë se në landfillin privat nuk kryhet incenerim i plehrave, por as ndarja e tyre.

Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi në një raport të publikuar më herët gjatë vitit 2022 se shoqëria e krijuar nga Klodian Zoto nuk kryen djegien e mbeturinave, duke i shtuar kosto fiktive buxhetit të bashkive.

Aktualisht, në landfillin e Sharrës i depozitojnë mbetjet urbane bashkitë e Tiranës, Vorës, të Durrësit dhe Kavajës.

Të gjitha këto bashki paguajnë nga 29 euro për ton për një shërbim që nuk u afrohet i plotë. 

Pavarësisht menaxhimit skandaloz të kontratës koncesionare, asnjë prej institucioneve qeveritare nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur shpenzimin pa kriter të taksave të qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco